Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Si t’i mbaj nën kontroll shpenzimet?

Si t’i mbaj nën kontroll shpenzimet?

 «Kohët e fundit shkova në një dyqan thjesht për të parë çfarë kishte. Ama, kur dola, kisha blerë diçka të shtrenjtë që s’e kisha fare ndër mend ta blija.»​—Kolini.

 Kolini e pranon se e ka të vështirë t’i mbajë nën kontroll shpenzimet. A e ke edhe ti të vështirë? Nëse po, ky artikull do të të ndihmojë.

 Pse t’i mbash nën kontroll shpenzimet?

 Ide e gabuar: Nëse merakosesh për shpenzimet, ia kufizon lirinë vetes.

 Fakt: Kur i mban nën kontroll shpenzimet, ke më shumë liri, jo më pak. «Sa më shumë të dish si t’i përdorësh paratë, aq më shumë para do të kesh për gjërat që dëshiron​—tani dhe në të ardhmen.»​—I’m Broke! The Money Handbook.

 Mendo pak: Duke i mbajtur nën kontroll shpenzimet . . .

  •   Do të kesh më tepër para kur të të nevojiten. «Kam shumë qejf që një ditë të udhëtoj drejt Amerikës së Jugut. Përpiqem ta mbaj në mendje këtë synim kur kursej para»,​—thotë Inesa, një adoleshente.

  •   Do të kesh më pak (ose aspak) borxhe. Bibla thotë: «Huamarrësi është shërbëtor i huadhënësit.» (Proverbat 22:7) Edhe Ana, një e re, është dakord me këtë. Ajo thotë: «Borxhet të skllavërojnë. Kur s’ke borxhe, mund të përqendrohesh te synimet e tua.»

  •   Tregon se je i pjekur. Ata që i mbajnë nën kontroll shpenzimet, bëhen të rritur më të përgjegjshëm. «Është një stërvitje e mirë për të ardhmen, kur të jetoj më vete,​—thotë Xhina 20-vjeçare.—​Po përpiqem të tregohem e përgjegjshme me paratë që tani, që të më bëhet zakon për të ardhmen.»

 Përfundimi: «T’i menaxhosh vetë paratë, është hapi i parë i shkëlqyer që të çon drejt një jete të pavarur. Menaxhimi i mirë i parave është një aftësi që do të të vlejë për gjithë jetën.»​—The Complete Guide to Personal Finance: For Teenagers and College Students.

 Si ta arrish këtë?

 Njihi dobësitë e tua: Nëse mbetesh vazhdimisht pa para, së pari përpiqu të kuptosh ku të shkojnë. Për disa, problemi janë blerjet online. Kurse të tjerë shpenzojnë vazhdimisht nga pak derisa u mbetet portofoli bosh.

 «Ndikojnë edhe shpenzimet e vogla që bën përditë. Një dhuratë e vogël këtu, një atje, një kafe, një ushqim me skonto më tepër . . . dhe në fund të muajit pyes veten nga më ikën njëqind dollarë.»​—Hejli.

 Bëj një buxhet. Bibla thotë: «Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri përfitim.» (Proverbat 21:5) Një buxhet të ndihmon të mos harxhosh më tepër nga ç’fiton.

 «Nëse shpenzon më tepër nga ç’fiton, përpiqu të kuptosh ku ikin paratë dhe shmang gjërat e panevojshme. Zvogëloje listën e shpenzimeve derisa të ardhurat të jenë më të mëdha se shpenzimet.»​—Daniela.

 Shpenzo sipas buxhetit. Ka disa mënyra si t’i mbash nën kontroll shpenzimet e t’i shmangësh harxhimet e panevojshme. Disa të rinjve u janë dukur të suksesshme metodat e mëposhtme:

  •  «Zakonisht i fus paratë direkt në bankë, sepse kështu tundohem më pak t’i shpenzoj.»​—Davidi.

  •  «Kur shkoj në dyqan, marr me vete një sasi të arsyeshme parash. Kështu, nuk mund të shpenzoj më shumë nga ç’e kisha ndër mend.»​—Eleni.

  •  «Sa më shumë të pres para se të blej diçka, aq më realist jam kur vendos nëse më nevojitet vërtet.»​—Xhesi.

  •  «S’kam pse të shkoj në çdo rast shoqëror. S’ka problem nëse thua jo kur nuk ta mban xhepi.»​—Xheniferi.

 Përfundimi: Menaxhimi i parave është përgjegjësi serioze. Këtë nisi të kuptonte Kolini, që e përmendëm më lart. Ai thotë: «S’mund të jem xhepshpuar nëse një ditë do të jem kryefamiljar. Nëse tani si beqar s’kam fare marrëdhënie të mira me paranë, kjo do të më sjellë probleme në martesë.»

Këshillë: «Tregoja dikujt buxhetin që ke bërë dhe kërkoji ta shihni bashkë herë pas here. Është gjë e mirë të jesh i përgjegjshëm.»​—Vanesa.