Kalo te përmbajtja

Pse prindërit nuk më lënë të dal për qejf?

Pse prindërit nuk më lënë të dal për qejf?

 Përfytyro situatën e mëposhtme:

 Ti dëshiron të shkosh në një festë, por nuk je i sigurt nëse do të të lënë prindërit. Cilën mundësi do të zgjidhje?

  1.    MOS PYET, THJESHT SHKO

  2.    MOS PYET, MOS SHKO

  3.    PYET DHE PRIT

  1. MOS PYET, THJESHT SHKO

 Pse ta konsiderosh këtë mundësi: Ke qejf t’u bësh përshtypje shokëve duke u treguar sa i pavarur je. Kujton se di më shumë se prindërit ose nuk ke fort respekt për mendimin e tyre.—Proverbat 14:18.

 Pasojat: Shokëve mund t’u bëjë përshtypje, por do të kuptojnë edhe diçka për ty: di të mashtrosh. Nëse ua hodhe prindërve, s’do ta kesh problem t’ua hedhësh edhe shokëve. Po ta marrin vesh çfarë ke bërë, prindërit do të ndihen keq, do të zhgënjehen dhe ka të ngjarë që s’do të të lënë të dalësh më.—Proverbat 12:15.

 2. MOS PYET, MOS SHKO

 Pse ta konsiderosh këtë mundësi: Pasi mendon për ftesën, vendos që ai aktivitet bie ndesh me parimet e tua ose që disa të ftuar nuk janë shoqëri e mirë. (1 Korintasve 15:33; Filipianëve 4:8) Nga ana tjetër, ke qejf të shkosh, por s’ta mban t’u thuash prindërve.

 Pasojat: Nëse nuk shkon ngaqë e ke të qartë se s’është gjë e mirë, do të ndihesh më i sigurt kur t’u përgjigjesh shokëve. Mirëpo, nëse nuk shkon vetëm ngaqë s’ta mban të pyesësh prindërit, ka rrezik të rrish në shtëpi gjithë turinj, sikur je i vetmi që nuk bën qejf.

 3. PYET DHE PRIT

 Pse ta konsiderosh këtë mundësi: E pranon autoritetin e prindërve dhe e respekton gjykimin e tyre. (Kolosianëve 3:20) I do dhe nuk dëshiron t’i lëndosh duke dalë vjedhurazi. (Proverbat 10:1) Duke vepruar kështu, ke mundësi edhe të shpjegosh arsyet e tua.

 Pasojat: Prindërit do ta ndiejnë se i do dhe i respekton. Nëse kërkesa jote u duket e arsyeshme, mund të të thonë po.

Pse prindërit mund të thonë jo

Ashtu si rojat në plazh, prindërit e tu i pikasin më mirë rreziqet nga pika e vrojtimit.

 Një arsye mund të ilustrohet kështu: Po të kishe mundësi, mbase do të zgjidhje të notoje në një plazh ku ka roja bregdetare. Pse? Sepse, kur je në ujë për qejfin tënd, s’e ke fort mendjen te rreziqet. Kurse roja i plazhit nga pika e vrojtimit i pikas më mirë rreziqet. Po ashtu, falë njohurisë e përvojës që kanë, prindërit ndoshta diktojnë rreziqe që ti nuk i dallon. Njësoj si roja i plazhit, synimi i tyre nuk është të të prishin qejfin, por të të ndihmojnë të shmangësh rreziqe që mund të ta heqin gëzimin në jetë.

 Ja edhe një arsye tjetër: Prindërit kanë një dëshirë të fortë të të mbrojnë. Nga dashuria thonë po kur munden, por thonë jo kur duhet. Kur ti i pyet nëse mund të bësh diçka, ata pyesin veten nëse mund ta plotësojnë kërkesën tënde dhe pastaj të pranojnë pasojat. Do t’i përgjigjen po edhe vetes—edhe ty—vetëm nëse janë të bindur mjaftueshëm se nuk do të të ndodhë ndonjë e keqe.

Si t’i shtosh mundësitë që të thonë po

 Ja ç’mund të bësh

 Sinqeriteti: Pyet veten: «Në të vërtetë, pse dua të shkoj? Ngaqë më pëlqen aktiviteti apo ngaqë dua të më pranojë shoqëria? Mos dua të shkoj se do të jetë dikush që e kam fiksim?» Pastaj tregohu i sinqertë me prindërit. Edhe ata dikur kanë qenë të rinj dhe të njohin mirë. Prandaj, çfarëdo që t’u thuash, ka shumë të ngjarë t’i dallojnë motivet e tua të vërteta. Prindërit do të vlerësojnë sinqeritetin tënd, dhe ti do të nxjerrësh dobi nga mençuria e tyre. (Proverbat 7:1, 2) Mirëpo, nëse nuk tregohesh i sinqertë, do ta humbin besimin te ti dhe do të pakësohen mundësitë që të thonë po.

 Koha e duhur: Mos i mbyt me kërkesa prindërit sapo kthehen nga puna ose kur janë të përqendruar te diçka tjetër. Bisedo me ta kur janë më të qetë. Gjithsesi, mos prit deri në minutën e fundit e pastaj t’u bësh presion të të përgjigjen aty për aty. Prindërve nuk u vjen mirë kur detyrohen të marrin një vendim të nxituar. Pyeti mjaft kohë përpara, që të kenë kohë të mendojnë.

 Përmbajtja: Mos fol në tym. Trego qartë çfarë do të bësh. Prindërit bezdisen kur përgjigjesh «nuk e di», sidomos nëse të kanë pyetur: «Cilët do të vijnë?», «A do të jetë ndonjë i rritur i përgjegjshëm?» ose «Në ç’orë do të kthehesh në shtëpi?»

 Qëndrimi: Mos i shih prindërit si armiq. Mendo sikur jeni një skuadër, sepse kështu është. Nëse i sheh prindërit si aleatë, ka më pak të ngjarë të flasësh me ton luftarak dhe ata do të jenë më të prirur të të mbështetin.

 Tregoju prindërve se je aq i pjekur sa ta pranosh e ta respektosh vendimin e tyre. Nëse vepron kështu, do të të respektojnë e mbase herën tjetër do të jenë më të gatshëm të thonë po.