Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Pse t’i ndihmoj të tjerët?

Pse t’i ndihmoj të tjerët?

 Dy sekrete që shumë njerëz nuk i dinë

 Sekreti nr. 1: Po të japësh, ka shumë mundësi që të marrësh.

 Njerëzit do ta shohin që je bujar. Prandaj ka shumë mundësi që edhe ata të tregohen bujar me ty. Ja si e shpreh Bibla:

  •  «Bëjeni zakon të jepni, dhe do t’ju japin. . . . Do t’ju matin me po atë masë që ju i matni të tjerët.»​—Luka 6:38.

  •  «Si t’i trajtosh të tjerët, do të të trajtojnë.»​—Luka 6:38, Contemporary English Version.

 Sekreti nr. 2: Kur ndihmon të tjerët, ndihmon veten!

 Kur bën të mira për të tjerët, të rritet respekti për veten dhe ndien kënaqësinë që vjen kur jep. Ja si e shpreh Bibla:

  •  «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.»​—Veprat 20:35.

  •  «Kur të shtrosh gosti, fto të varfrit, sakatët, të çalët dhe të verbrit. Atëherë do të jesh i lumtur, sepse ata s’kanë me se të ta shpërblejnë.»​—Luka 14:13, 14.

 Të rinj që mendojnë për të tjerët

 Të rinj që mendojnë për të tjerët ka gjithandej. Ja disa prej tyre.

 «Ndonjëherë kur ulem në divan dhe shoh televizor, mendoj për mamin e babin që janë në punë dhe sa të lodhur do të jenë kur të kthehen. Prandaj çohem e laj enët, pastroj dyshemenë dhe marr pluhurat. U bëj gati edhe kafenë se vdesin për kafe. Kur mami vjen në shtëpi, më thotë: ‘Oh, ke qejf të rrish këtu! Mbaka edhe erë të mirë. Shumë faleminderit, zemër!’ Ndihem gjithmonë mirë kur bëj diçka të tillë për mamin e babin.»​—Kejsi.

 «Prindërit më kanë mbështetur gjithmonë dhe më kanë siguruar gjithçka që më nevojitej. Prandaj, vitin e kaluar kur makina e tyre kishte një defekt serioz, u dhashë ca para për ta riparuar, ndonëse ishin një pjesë e mirë e kursimeve të mia. Sigurisht, ata nuk donin t’i pranonin, por unë këmbëngula. Prindërit e mi meritojnë më tepër se kaq. U ndjeva mjaft mirë që u tregova bujare dhe u dhashë diçka.»​—Holli.

 A e dije? Shumë të rinj Dëshmitarë të Jehovait kanë provuar gëzimin që vjen kur ndihmon të tjerët me anë të arsimimit biblik. Disa madje janë transferuar në një vend të huaj ku ka nevojë për mësues të Biblës.

 «U transferova nga Shtetet e Bashkuara në Meksikë për t’i ndihmuar të tjerët të mësojnë për Biblën. Ndonjëherë e kam të vështirë të jem bujar me paratë ose gjërat sepse nuk kam shumë ç’të jap. Por kam kuptuar se, dhënia e kohës dhe e energjive të mia në predikim vlerësohet më tepër sesa dhënia materiale.»​—Evani.

 Si t’i ndihmoj të tjerët?

 A do të doje ta provoje gëzimin që vjen kur ndihmon të tjerët? Ja disa sugjerime.

 Për të ndihmuar familjen:

  •  Pastro dyshemenë, laj enët ose pastro dhomën​—pa të thënë kush

  •  Gatuaj

  •  Shkruaju prindërve një kartolinë vlerësimi

  •  Ndihmo motrën ose vëllanë me mësimet

 Për të ndihmuar ata jashtë familjes:

  •  Dërgoji një kartolinë dikujt që nuk është mirë me shëndet

  •  Ndihmo me punët e kopshtit një fqinj të moshuar

  •  Shko për vizitë te dikush që nuk del dot nga shtëpia

  •  Bli një dhuratë për dikë që po kalon një periudhë të vështirë

 Këshillë: Përpiqu të gjesh vetë disa ide. Pastaj syno të ndihmosh një person këtë javë. Do të habitesh sa mirë ke për t’u ndier!

 «Kur ndihmon të tjerët, gjen lumturi. Ndien se ke bërë diçka dhe sheh që të tjerët e vlerësojnë. Mund të kënaqesh ndërsa ndihmon, edhe pse në fillim nuk mendoje se do të të jepte aq shumë kënaqësi. Ndoshta nuk t’u duk aspak sakrificë, sepse në fund të fundit edhe ti vetë fitove shumë.»​—Alana.