Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Ç’duhet të di për sulmet seksuale?​—Pjesa 2: Si të marrësh veten

Ç’duhet të di për sulmet seksuale?​—Pjesa 2: Si të marrësh veten

 Si të përballosh ndjenjat e fajit

 Mjaft viktimave të abuzimeve seksuale u vjen shumë turp për çfarë ka ndodhur. Madje mund të ndihen fajtorë. Të mendojmë për Karenën, tani 19 vjeçe, me të cilën abuzuan seksualisht nga mosha 6 deri 13 vjeç. Ajo thotë: «Gjëja më e keqe që duhet të përballoj, janë ndjenjat e fajit. Mendoj: ‘Si munda të lejoja që abuzimet të vazhdonin kaq gjatë?’»

 Nëse ndihesh kështu edhe ti, shqyrto sa vijon:

  •   Fëmijët nuk janë të përgatitur as fizikisht, as emocionalisht për marrëdhënie seksuale. Nuk e dinë çfarë nënkuptojnë këto marrëdhënie dhe për këtë arsye janë të paaftë për të vendosur nëse do të përfshihen. Kjo do të thotë se një fëmijë me të cilin kanë abuzuar, nuk është aspak fajtor.

  •   Fëmijët priren t’u besojnë të rriturve dhe të jenë naivë ndaj taktikave të njerëzve të shthurur, të cilët mund ta bëjnë pre të lehtë një fëmijë. «Ngacmuesit e fëmijëve janë batakçinj shumë të aftë dhe një fëmijë as që krahasohet me manipulimet e tyre të stërholluara»,—thotë libri The Right to Innocence.

  •   Një fëmijë mund të provojë stimul seksual ndërsa abuzojnë me të. Nëse të ka ndodhur edhe ty, ji i sigurt se ky është një reagim fizik dhe i vetvetishëm i trupit kur preket në njëfarë mënyre. Nuk do të thotë se pranove me vetëdije të plotë të abuzonin me ty ose se ke ndonjë faj për të.

 Sugjerim: Mendo për një fëmijë që njeh dhe që ka të njëjtën moshë që kishe kur abuzuan me ty. Pyet veten: «A do të ishte e drejtë ta quaje fajtor fëmijën nëse do të abuzonin me të?»

 Karena arsyetoi rreth kësaj kur punonte si bebisiter për tre fëmijë, një prej të cilëve ishte gati gjashtë vjeç​—aq sa ishte Karena kur filluan të abuzonin me të. Ajo thotë: «Kuptova sa i brishtë është në të vërtetë një fëmijë në atë moshë​—sa e brishtë isha unë në atë moshë.»

 Fakt: Abuzuesi mban përgjegjësinë për abuzimin. Bibla thotë: «Mbi të ligun do të bjerë ligësia e tij.»—Ezekieli 18:20.

 Pse ia vlen të hapesh me dikë

 Po të flasësh me një të rritur të besueshëm për abuzimin, mund të ndihesh i lehtësuar. Bibla thotë: «Shoku i vërtetë të do në çdo kohë, dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.»​—Proverbat 17:17.

 Kuptohet që mund të ndihesh disi i sigurt nëse nuk flet për çfarë ndodhi. Mbase heshtja është bërë si një mur që e ke ndërtuar për t’u mbrojtur që të mos lëndohesh më tej. Megjithatë, ki parasysh se muri i heshtjes që të mbron nga lëndimi, mund të jetë edhe një pengesë për të marrë ndihmë.

Muri i heshtjes që të mbron nga lëndimi, mund të jetë edhe një pengesë për të marrë ndihmë

 Një e re me emrin Xhaneta vërejti se ndjeu shumë lehtësim kur foli për abuzimet që kishte pësuar. Ajo thotë: «Më ngacmoi në moshë shumë të njomë dikush që e njihja dhe i besoja, dhe këtë gjë e mbajta përbrenda për shumë vjet. Por, kur arrita t’ia tregoja mamit, ishte sikur hoqa nga supet një barrë tepër të rëndë.»

 Kur mendon për të shkuarën, Xhaneta e kupton pse disa ngurrojnë të flasin. «Është mjaft e sikletshme të flasësh për abuzimet,​—thotë ajo.—Por nuk më bënte mirë ndjenja e lëndimit që provoja duke e mbajtur përbrenda. Ishte më mirë të përballesha me të sa më shpejt e jo ta shtyja.»

 «Një kohë për të shëruar»

 Për shkak të abuzimeve mund të kesh ide të gabuara​—për shembull, se s’ke për ta marrë kurrë veten emocionalisht dhe se je e pavlerë ose se ekziston vetëm për të kënaqur të tjerët seksualisht. Tani ke mundësinë të rimëkëmbesh nga këto gënjeshtra, të përfitosh nga ‘koha për t’u shëruar’. (Eklisiastiu 3:3) Çfarë mund të të ndihmojë?

 Studimi i Biblës. Bibla përmban mendimet e Perëndisë, të cilat janë «të fuqishme . . . që të përmbysim gjëra të fortifikuara mirë»​—përfshirë arsyetimet e rreme për vlerën që ke. (2 Korintasve 10:​4, 5) Për shembull, lexo dhe mendo për shkrimet vijuese: Isaia 41:10; Jeremia 31:3; Malakia 3:​16, 17; Luka 12:​6, 7; 1 Gjonit 3:​19, 20.

 Lutja. Kur të pushtojnë ndjenjat e pavlefshmërisë ose të fajit, «hidhja barrën tënde Jehovait» me anë të lutjes. (Psalmi 55:22) Kurrë nuk je vetëm!

 Pleqtë e kongregacionit. Këta burra të krishterë janë stërvitur që të jenë «si një strehë për t’u mbrojtur nga era dhe si një vend për t’u fshehur nga shtrëngata». (Isaia 32:2) Ata mund të të ndihmojnë të fitosh një pikëpamje të ekuilibruar për veten dhe të vazhdosh përpara në jetë.

 Shoqëritë e mira. Vëzhgo burrat dhe gratë që kanë një jetë shembullore si të krishterë. Vëre se si e trajtojnë njëri-tjetrin. Me kalimin e kohës do të kuptosh se jo të gjithë njerëzit e përdorin ndikimin e tyre për të abuzuar me personat që thonë se i duan.

 Një e re me emrin Tania po e mëson këtë të vërtetë jetësore. Qysh në fëmijëri e trajtuan si objekt seksual disa burra. Ajo thotë: «Të vetmit burra që i kisha të afërt, më lënduan.» Por, me kohë Tania ka kuptuar se ka burra që tregojnë dashuri të vërtetë. Si e ka kuptuar?

 Nga shoqëria me një çift që bënin një jetë shembullore si të krishterë, Tania ndryshoi pikëpamje. «Nga veprimet e atij burri shihja se jo të gjithë burrat abuzojnë,​—thotë ajo.—​Burri e mbronte gruan dhe tamam kështu do Perëndia.» a​—Efesianëve 5:​28, 29.

a Nëse ke probleme të tilla, si depresion kronik, çrregullime në të ngrënë, vetëdëmtim, abuzime me substanca të ndryshme, çrregullime me gjumin ose mendime vetëvrasëse, do të ishte mirë të kërkoje ndihmë te një mjek i kualifikuar.