Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Ti mund t’i mposhtësh ndjenjat e vetëvrasjes

Ti mund t’i mposhtësh ndjenjat e vetëvrasjes

 «Disa vjet më parë vuaja aq shumë nga ankthi, saqë çdo ditë më dukej sikur luftoja për të shuar flakët e zjarrit. Gjatë asaj periudhe më shkonte mendja të vrisja veten. Nuk doja vërtet t’i jepja fund jetës, doja vetëm t’i jepja fund dhimbjes.»—Jonatani, 17 vjeç.

 Në një sondazh me rreth 14.000 nxënës në shkollë të mesme, gati 1 në 5 veta pranoi se kishte menduar seriozisht të kryente vetëvrasje brenda 12 muajve të fundit. a Ç’mund të bësh nëse edhe ti mendon se nuk ia vlen më të jetosh?

  •   Prit. Premtoji vetes se nuk do të veprosh nxitimthi, sipas emocioneve të çastit. Edhe pse tani problemet mund të të duken si një mal i pakapërcyeshëm, ka disa gjëra që mund të të ndihmojnë t’i përballosh.

 Mbase ndihesh sikur ke ngecur në një labirint pa rrugëdalje. Por mos harro: ndjenjat jo gjithmonë pasqyrojnë realitetin. Ekzistojnë disa mënyra për ta trajtuar situatën ku gjendesh; me ndihmën e duhur, rrugëdalja mund të jetë më afër nga ç’mendon.

  •  Parim nga Bibla: «Jemi zënë ngushtë, por jo aq sa të mos lëvizim; jemi në mëdyshje, por jo fare pa rrugëdalje.»—2 Korintasve 4:8.

     Sugjerim: Nëse mendimet për t’i dhënë fund jetës janë të forta dhe të vazhdueshme, interesohu se çfarë ndihme ke në dispozicion. Ndoshta mund të përdorësh një linjë telefonike për parandalimin e vetëvrasjeve ose mund t’i drejtohesh urgjencës. Stafi që punon atje, është i kualifikuar për të dhënë ndihmën e nevojshme dhe ka vërtet dëshirë të të ndihmojë.

  •   Fol me dikë. Ke përreth njerëz që të duan vërtet dhe dëshirojnë të të ndihmojnë, si për shembull, familja dhe miqtë. Por ata s’kanë si ta dinë çfarë po kalon nëse nuk ua thua.

 Disa njerëz kanë nevojë për syze që të shohin më qartë. Në mënyrë të ngjashme, një mik mund të të ndihmojë të qartësosh mendimet e t’i shohësh problemet sipas këndvështrimit të duhur, si edhe të rifitosh dëshirën për të jetuar.

  •  Parim nga Bibla: «Miku i vërtetë . . . të bëhet vëlla në ditë të vështira.»—Proverbat 17:17.

     Sugjerim: Për të hapur bisedën, mund të thuash: «Kam pasur disa mendime negative kohët e fundit. A mund të flas me ty për këtë?» Ose mund të thuash: «Kam disa probleme që me sa duket nuk i zgjidh dot vetë. A mund të më ndihmosh?»

  •   Konsultohu me një mjek. Disa probleme shëndetësore, të tilla si ankthi dhe depresioni, mund të na e heqin dëshirën për të jetuar. Lajmi i mirë është se këto sëmundje mund të kurohen.

 Ashtu si gripi që mund të të heqë oreksin, edhe depresioni mund të të venitë dëshirën për të jetuar. Gjithsesi, të dyja këto sëmundje janë të kurueshme.

  •  Parim nga Bibla: «Të shëndetshmit nuk kanë nevojë për mjek, kurse të sëmurët, po.»—Mateu 9:12.

     Sugjerim: Fli mjaftueshëm, bëj ushtrime fizike dhe ushqehu në mënyrë të shëndetshme. Shëndeti fizik mund të ndikojë te gjendja jote emocionale dhe te pikëpamja për jetën.

  •   Lutu. Bibla thotë se Krijuesi ynë «është më i madh se zemra jonë dhe di gjithçka». (1 Gjonit 3:20) Pse të mos flasësh me të që sot nëpërmjet lutjes? Përdor emrin e tij, Jehova, dhe zbrazja zemrën.

 Disa ngarkesa janë tepër të rënda për t’u mbajtur vetëm. Krijuesi yt, Jehovai, dëshiron të të ndihmojë.

  •  Parim nga Bibla: «Bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja. . . . Kështu paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe mendjen tuaj.»—Filipianëve 4:6, 7.

     Sugjerim: Përveçse t’i shprehësh Jehovait problemet, përpiqu të gjesh të paktën një gjë të mirë për të cilën mund ta falënderosh sot. (Kolosianëve 3:15) Mirënjohja të ndihmon ta shohësh jetën nga një këndvështrim më pozitiv.

 Nëse mendon se nuk ia vlen më të jetosh, kërko ndihmë. Kështu bëri edhe Jonatani që përmendëm në fillim të artikullit. Ai tregon: «M’u desh të bëja sa e sa biseda me prindërit dhe të merrja ndihmë mjekësore. Por tani ndihem shumë më mirë. Ndonëse kam akoma ditë të mira e të këqija, nuk luftoj më me mendimet për të vrarë veten.»

a Sondazhi u realizua në vitin 2019 nga Qendrat Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.