Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

E drejtë apo e gabuar: Drejtim që funksionon

E drejtë apo e gabuar: Drejtim që funksionon

Shqyrto katër fusha të jetës, ku miliona njerëz kanë parë se drejtimi i Biblës funksionon dhe është i besueshëm.

1. Martesa

Njerëzit kanë pikëpamje të ndryshme për martesën dhe se çfarë nevojitet për të pasur një martesë të lumtur.

BIBLA THOTË: «Secili nga ju duhet ta dojë gruan si veten, dhe gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin.»—Efesianëve 5:33.

Ç’DO TË THOTË KJO: Martesën e ka themeluar Perëndia, prandaj ai e di se çfarë nevojitet që një çift të jetë i lumtur. (Marku 10:6-9) Lumturia në martesë vjen kur secili nga bashkëshortët përqendrohet tek ajo që mund të japë për të forcuar martesën dhe jo tek ajo që mund të marrë. Burri që e do gruan, do ta tregojë me mënyrën si e trajton dhe kujdeset për të. Gruaja që e respekton burrin, do ta tregojë me mënyrën si i flet dhe si sillet me të.

DREJTIMI I BIBLËS FUNKSIONON: Kuang dhe Tia nga Vietnami, ndiheshin sikur nuk do të provonin kurrë lumturi në martesën e tyre. Kuang sillej shpesh me vrazhdësi. Ai thotë: «S’doja t’ia dija për ndjenjat e Tiës dhe shpesh e poshtëroja.» Tia donte të divorcohej. Ajo thotë: «Ndieja që s’mund të kisha më besim te bashkëshorti e as ta respektoja.»

Me kalimin e kohës, Kuang dhe Tia mësuan çfarë thotë Bibla për martesën dhe si ta zbatonin Efesianëve 5:33. Kuang thotë: «Nga ky varg kuptova se duhej të isha më i butë dhe t’i tregoja Tiës se e doja e se do të kujdesesha për të materialisht, fizikisht dhe emocionalisht. Kur veproj kështu, fitoj dashurinë dhe respektin e saj.» Ndërsa Tia thotë: «Sa më shumë zbatoj Efesianëve 5:33 dhe i tregoj respekt bashkëshortit, aq më shumë ndihem e mbrojtur, në paqe dhe se kam dashurinë e tij.»

Për më shumë informacion rreth martesës, lexo Zgjohuni! nr. 2 2018, të titulluar «12 sekrete të familjeve të suksesshme», në jw.org.

2. Mënyra si i trajtojmë të tjerët

Zakonisht njerëzit i keqtrajtojnë të tjerët për shkak të racës, kombësisë, paraqitjes, fesë ose orientimit seksual.

BIBLA THOTË: «Nderoni njerëz të çdo lloji.»—1 Pjetrit 2:17.

Ç’DO TË THOTË KJO: Bibla është kundër racizmit, homofobisë dhe ksenofobisë. Ajo na nxit të respektojmë këdo, pavarësisht nga raca, kombësia dhe shtresa shoqërore. (Veprat 10:34) Edhe nëse nuk jemi dakord me bindjet ose sjelljen e të tjerëve, prapëseprapë i trajtojmë me mirësjellje dhe respekt.—Mateu 7:12.

DREJTIMI I BIBLËS FUNKSIONON: Që kur ishte i vogël, Danielin e mësuan që t’i shihte njerëzit nga Azia si kërcënim për vendin e tij. Ai urrente këdo që kishte prejardhje aziatike dhe shpesh i fyente në publik. Danieli thotë: «Sjelljen time e konsideroja ‘patriotizëm’. S’e vija në dyshim nëse mënyra si mendoja e veproja ishte e gabuar.»

Më vonë Danieli mësoi çfarë thotë Bibla. «Duhej ta ndryshoja krejt mënyrën si mendoja,—thotë ai.—Duhej t’i shihja njerëzit siç i sheh Perëndia: jemi të gjithë njësoj, pavarësisht nga prejardhja.» Danieli përshkruan si ndihet kur takon për herë të parë njerëz të rinj: «Shpesh as që e mendoj se nga janë. Tani dua njerëz të çdo lloji dhe kam miq të ngushtë nga e gjithë bota.»

Për më shumë informacion, lexo Zgjohuni! nr. 3 2020, të titulluar «A kanë shërim paragjykimet?», në jw.org.

3. Paratë

Shumë njerëz synojnë të pasurohen për të qenë të lumtur dhe për të pasur një të ardhme më të mirë.

BIBLA THOTË: «Mençuria është mbrojtje siç është edhe paraja, por epërsia e njohurisë dhe e mençurisë është se i ruajnë gjallë ata që i zotërojnë.»—Eklisiastiu 7:12.

Ç’DO TË THOTË KJO: Kemi nevojë për para, por ato nuk garantojnë lumturi dhe një të ardhme të sigurt. (Proverbat 18:11; 23:4, 5) Lumturia e vërtetë dhe e ardhmja e sigurt vijnë kur zbatojmë mençurinë e Perëndisë që gjendet në Bibël.—1 Timoteut 6:17-19.

DREJTIMI I BIBLËS FUNKSIONON: Kado, një burrë në Indonezi, u dha me gjithë shpirt pas pasurisë. Ai tha: «Kisha gjithçka që njerëzit ëndërrojnë. Udhëtoja ku të doja, blija gjëra luksoze, kisha makina dhe disa shtëpi.» Por kjo mirëqenie nuk zgjati shumë. «Më mashtruan, dhe paratë për të cilat isha mundur gjithë ato vite, u zhdukën sa hap e mbyll sytë,—thotë Kado.—Kisha rendur gjithë jetën pas parave, por në fund, gjithçka që ‘fitova’, ishin ndjenjat e pavlefshmërisë, të zhgënjimit dhe të boshllëkut.»

Kado filloi të zbatojë këshillën e Biblës për paratë. Tani nuk i përqendron të gjitha energjitë që të vërë pasuri, por bën një jetë më të thjeshtë. Ai thotë: «Pasuria e vërtetë dhe jetëgjatë, është miqësia e ngushtë që kam me Perëndinë. Gjumin e bëj më të qetë dhe jam vërtet i lumtur.»

Për më shumë informacion për pikëpamjen e Biblës rreth parave, lexo artikullin «Arsimimi dhe paratë—Garanci për të ardhmen?» në Kullën e Rojës nr. 3 2021, në jw.org.

4. Seksi

Njerëzit kanë mendime nga më të ndryshmet për atë që është e gabuar ose e drejtë në lidhje me seksin.

BIBLA THOTË: «T’i rrini larg imoralitetit seksual. Secili nga ju duhet të dijë si t’i vërë fre trupit të vet, që ta mbajë të shenjtë dhe të nderuar, e të mos jepet pas epsheve seksuale pa fre e me lakmi, siç bëjnë kombet që nuk e njohin Perëndinë.»—1 Selanikasve 4:3-5.

Ç’DO TË THOTË KJO: Bibla vë kufij se si t’i shprehim dëshirat tona seksuale. Në shprehjen ‘imoralitet seksual’ përfshihen: kurorëshkelja, prostitucioni, marrëdhëniet seksuale mes individëve të pamartuar, homoseksualizmi dhe marrëdhëniet seksuale me kafshët. (1 Korintasve 6:9, 10) Marrëdhëniet seksuale janë dhuratë nga Perëndia, dhuratë vetëm për një burrë e një grua që janë të martuar me njëri-tjetrin.—Proverbat 5:18, 19.

DREJTIMI I BIBLËS FUNKSIONON: Një grua në Australi që quhet Kajli thotë: «Si e pamartuar që isha, mendoja se seksi do të më jepte dashurinë dhe sigurinë që kërkoja. Por ndodhi e kundërta. U ndjeva e pasigurt dhe e lënduar.»

Më vonë Kajli mësoi dhe zbatoi çfarë thotë Bibla për seksin. Ajo thotë: «Kuptoj se Perëndia i ka vënë këto standarde që të na mbrojë nga vuajtjet dhe lëndimet emocionale. Tani i bëj gjërat sipas mënyrës së Jehovait. Jam martuar dhe bashkëshorti më bën të ndihem e sigurt dhe e çmuar. Zbatimi i drejtimit të Biblës më ka shpëtuar nga shumë dhimbje!»

Për më shumë informacion, lexo në jw.org artikullin: «Çfarë thotë Bibla për bashkëjetesën pa qenë të martuar?»

Krijuesi ynë na ndihmon të kuptojmë çfarë është e drejtë dhe çfarë e gabuar. Të ndjekim drejtimin e tij nuk është gjithnjë e lehtë, ama ia vlen. Kjo do të na sjellë gjithmonë lumturi të vërtetë.