Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A janë ndjenjat tona gjithmonë një udhërrëfyes i besueshëm?

E drejtë apo e gabuar: Çfarë e drejton shumicën?

E drejtë apo e gabuar: Çfarë e drejton shumicën?

Thuajse çdo njeri është dakord se disa veprime janë plotësisht të drejta ose absolutisht të gabuara. Për shembull, vrasja, përdhunimi dhe abuzimi me fëmijët dënohen gjerësisht, kurse paanshmëria, mirëdashja dhe empatia vlerësohen nga shumica. Mirëpo, në fusha të tjera të jetës, madje në situata ku përfshihet seksualiteti, ndershmëria ose prindërimi, mjaft veta mendojnë se nuk ka një zgjedhje të drejtë apo të gabuar. Për ta, thuajse çdo opsion është i pranueshëm. Shpesh njerëzit marrin vendime bazuar te mënyra si ndihen ose tek opinioni i të tjerëve për këto çështje. Por, a funksionojnë gjithmonë këto opsione?

NDJENJAT TONA

Shpesh udhëhiqemi nga mënyra si ndihemi, pra nga ndjenja jonë e brendshme se çfarë është e drejtë ose e gabuar. Ndryshe kjo quhet ndërgjegje. (Romakëve 2:14, 15) Që në moshë të njomë, fëmijët mund ta dallojnë kur diçka është e drejtë ose e padrejtë dhe ndihen në faj kur bëjnë gabime. Me kalimin e kohës, ndërgjegjja jonë modelohet nga vlerat që mësojmë nga familja, bashkëmoshatarët, mësuesit, komuniteti, feja dhe kultura. Kur marrim vendime, ndërgjegjja na dikton nëse ato përputhen apo jo me vlerat tona.

Ndjenja jonë për atë që është e drejtë apo e gabuar mund të na shtyjë të shfaqim empati, mirënjohje, paanshmëri dhe dhembshuri. Gjithashtu, ajo mund të na frenojë të mos bëjmë gjëra që do t’i lëndonin ata që duam ose që mund të na shkaktonin siklet, turp a ndjenja faji.

A janë ndjenjat tona gjithmonë një udhërrëfyes i besueshëm? Kur ishte i ri, Gerik zgjodhi të ndiqte zemrën. Ja si shprehet ai për atë kohë: «Mund të bëja si të doja.» Megjithatë, kuptoi se, kur bënte atë që atij i dukej e drejtë, nuk pati rezultate të mira. Më vonë pranoi se u zhyt thellë e më thellë «në llumin e imoralitetit, abuzimit me drogën, dehjes e dhunës».

OPINIONI I TË TJERËVE

Përveç ndjenjave tona, shpesh mbajmë parasysh edhe mendimin e të tjerëve për vendimet që marrim. Kjo na ndihmon të përfitojmë nga përvoja dhe mençuria e tyre. Fitojmë respektin e familjarëve, të miqve dhe të komunitetit kur bëjmë atë që u duket e drejtë.

A është opinioni i të tjerëve gjithmonë një udhërrëfyes i besueshëm? Kur ishte e re, Prishila bënte si shumë moshatarë të saj dhe kryente marrëdhënie seksuale pa qenë e martuar. Mirëpo më vonë kuptoi se, të bënte atë që të tjerëve u dukej e drejtë, nuk i sillte lumturi. Ajo tha: «Nuk u ndjeva më mirë vetëm ngaqë bëra si gjithë të tjerët. Madje kjo më futi në një rrugë të pamendë plot rreziqe.»

A KA NJË MËNYRË MË TË MIRË?

Kur zgjedhim mes së drejtës dhe së gabuarës, ndjenjat tona dhe opinioni i të tjerëve kanë një rol të rëndësishëm. Por ato nuk mjaftojnë për të na sjellë gjithmonë rezultate të mira. Ndonjëherë mund të lëndojmë veten ose të tjerët ngaqë nuk arrijmë të dallojmë rreziqet e zgjedhjeve tona. (Proverbat 14:12) Gjithashtu, vlerat tona ose të njerëzve që na rrethojnë mund të mos jenë për të mirën tonë dhe mund të ndryshojnë. Tekefundit, disa sjellje që dikur konsideroheshin të gabuara, tani pranohen gjerësisht, kurse disa që më parë pranoheshin, tani konsiderohen të papërshtatshme.

A është opinioni i të tjerëve gjithmonë një udhërrëfyes i besueshëm?

A ka një mënyrë më të mirë për të kuptuar se çfarë është e drejtë apo e gabuar? A ka një standard për të drejtën dhe të gabuarën që, po ta ndjekim sot, nuk do të na sjellë zhgënjim vite më vonë?

Sa mirë që ekziston një udhërrëfyes i cili nuk ndryshon dhe funksionon për të gjithë dhe kudo. Në artikullin vijues do të shohim ku mund të gjejmë drejtimin më të besueshëm për të përcaktuar se çfarë është e drejtë ose e gabuar.