Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI SHTATËMBËDHJETË

«Ja, skllavja e Jehovait!»

«Ja, skllavja e Jehovait!»

1, 2. (a) Ç’përshëndetje mori Maria nga një i huaj? (b) Në ç’kuptim ishte në një pikë vendimtare të jetës?

MARIA vështroi e shtangur vizitorin që hyri në shtëpinë e saj. Nuk kërkonte babanë ose nënën e saj, ishte atje për të! Ai nuk mund të ishte nga Nazareti, e për këtë Maria ishte e sigurt. Në një qytet të vogël si i saji, të huajt binin në sy. Ky person do të binte në sy kudo. Edhe mënyra se si iu drejtua Marisë, ishte e re për të, pasi i tha: «Tungjatjeta, o ti që ke gjetur shumë hir, Jehovai është me ty!»​—Lexo Lukën 1:26-28.

2 Kështu, Bibla na prezanton me Marinë, bijën e Helit, nga qyteti i Nazaretit në Galile. Për herë të parë lexojmë për të kur ndodhet në një pikë vendimtare të jetës. Maria ishte e fejuar me zdrukthëtarin Jozef, që nuk ishte i pasur, megjithatë ishte njeri me besim. Pra, dukej sikur udha e jetës së saj ishte e përcaktuar qartë​—një jetë e thjeshtë, duke punuar e duke përkrahur bashkëshortin Jozef, ndërsa formonin familje së bashku. Megjithatë, papritur u gjend përballë këtij vizitori që i solli një caktim nga Perëndia i saj, përgjegjësi që do t’i ndryshonte jetën.

3, 4. Çfarë duhet të lëmë mënjanë e ku duhet të përqendrohemi që ta njohim më mirë Marinë?

3 Shumë habiten kur mësojnë se në Bibël nuk flitet shumë për Marinë. Në të thuhet pak për formimin e saj, akoma më pak për personalitetin dhe asgjë për paraqitjen. Megjithatë, ajo çfarë thotë Fjala e Perëndisë për të, është vërtet domethënëse.

4 Për ta njohur më mirë Marinë, duhet të shikojmë përtej shumë ideve të shtrembëruara që mësojnë për të fe të ndryshme. Kështu pra, le të lëmë mënjanë pikturat dhe shëmbëlltyrat e panumërta të bëra me bojë, mermer ose allçi. E le të mos flasim as për teologjinë dhe dogmën e ndërlikuar që i atribuojnë kësaj gruaje të përulur tituj të lartë, si «Nëna e Perëndisë» dhe «Mbretëresha e qiejve». Në vend të kësaj, të përqendrohemi tek ajo që zbulon vërtet Bibla, që do të na japë kuptueshmëri të çmuar për besimin e saj dhe si mund ta imitojmë këtë besim.

Vizitë nga një engjëll

5. (a) Ç’mësojmë nga reagimi i Marisë ndaj përshëndetjes së engjëllit? (b) Cilin mësim jetësor nxjerrim nga Maria?

5 Vizitori i Marisë nuk ishte njeri i zakonshëm. Ishte engjëlli Gabriel. Kur i tha Marisë «o ti që ke gjetur shumë hir», atë «e turbulluan shumë» këto fjalë dhe pyeste veten për kuptimin e kësaj përshëndetjeje të pazakontë. (Luka 1:29) Në sytë e kujt kishte gjetur shumë hir ose miratim? Maria nuk priste që të kishte miratimin e njerëzve. Engjëlli po fliste për miratimin e Perëndisë Jehova, e për Marinë kjo ishte e rëndësishme. Gjithsesi, ajo nuk pretendonte me krenari se kishte miratimin e Perëndisë. Nëse përpiqemi të kemi miratimin e Perëndisë, pa pretenduar me fodullëk se tashmë e kemi, do të nxjerrim një mësim jetësor që vashëza Mari e kuptonte plotësisht. Perëndia u kundërvihet fodullëve, por i do dhe i mbështet të përulurit.​—Jak. 4:6.

Maria nuk pretendonte me krenari se kishte miratimin e Perëndisë

6. Cilin privilegj i ofroi engjëlli Marisë?

6 Marisë do t’i duhej një përulësi e tillë, pasi engjëlli i ofroi një privilegj pothuajse të paimagjinueshëm. Ai i shpjegoi se do të lindte një fëmijë që do të bëhej më i rëndësishmi i të gjithë njerëzve. Gabrieli tha: «Perëndia Jehova do t’i japë fronin e Davidit, të atit, ai do të mbretërojë përgjithmonë në shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë fund.» (Luka 1:32, 33) Patjetër, Maria e dinte premtimin që Perëndia i kishte bërë Davidit më shumë se një mijë vjet më parë​—pra që njëri nga pasardhësit e tij do të sundonte përgjithmonë. (2 Sam. 7:12, 13) Kështu, biri i saj do të ishte Mesia për të cilin kishte shpresuar populli i Perëndisë prej shekujsh!

Engjëlli Gabriel i ofroi një privilegj pothuajse të paimagjinueshëm

7. (a) Çfarë tregon për Marinë pyetja që i bëri ajo engjëllit? (b) Ç’mësojnë të rinjtë nga Maria?

7 Për më tepër, engjëlli i tha asaj se i biri ‘do të quhej Bir i Më të Lartit’. Si mund ta sillte në jetë një grua Birin e Perëndisë? Pastaj, si mund të lindte fëmijë Maria? Ajo ishte e fejuar me Jozefin, por akoma nuk ishin martuar. Maria e pyeti hapur engjëllin: «Si do të ndodhë kjo, kur unë s’kam pasur kurrë marrëdhënie me një burrë?» (Luka 1:34) Vini re se Maria foli pa ndrojtje për virgjërinë e saj. Ajo madje e çmonte dëlirësinë e saj. Sot, shumë të rinj mezi presin të humbin virgjërinë dhe janë të shpejtë për të tallur ata që nuk veprojnë kështu. Pa dyshim që bota ka ndryshuar, por jo Jehovai. (Mal. 3:6) Si në ditët e Marisë, ai i vlerëson ata që u përmbahen normave të tij morale.​—Lexo Hebrenjve 13:4.

8. Si mund të lindte një pasardhës të përsosur Maria edhe pse ishte e papërsosur?

8 Ndonëse ishte një shërbëtore besnike e Perëndisë, Maria ishte e papërsosur. Atëherë, si do të mund të lindte ajo një pasardhës të përsosur, Birin e Perëndisë? Gabrieli shpjegoi: «Fryma e shenjtë do të vijë te ti dhe fuqia e Më të Lartit do të të mbulojë. Për këtë arsye, ai që do të lindë, do të quhet i shenjtë, Bir i Perëndisë.» (Luka 1:35) I shenjtë do të thotë «i pastër» dhe «i shenjtëruar». Normalisht njerëzit ua kalojnë gjendjen e papastër dhe mëkatare pasardhësve të tyre. Por në këtë rast, Jehovai do të kryente një mrekulli të pashoqe. Ai do të transferonte jetën e Birit të tij nga qielli në barkun e Marisë, e pastaj do të përdorte forcën e tij vepruese ose frymën e shenjtë që ‘të mbulonte’ Marinë, duke mbrojtur fëmijën nga çdo njollë mëkati. A i besoi Maria premtimit të engjëllit? Si u përgjigj ajo?

Përgjigjja që i dha Maria Gabrielit

9. (a) Pse gabohen skeptikët që nuk e besojnë tregimin për Marinë? (b) Si ia forcoi Gabrieli besimin Marisë?

9 Skeptikët, duke përfshirë edhe disa teologë të feve të krishtere, e kanë të vështirë ta besojnë se një virgjëreshë mund të lindë fëmijë. Pavarësisht nga dijet, ata nuk arrijnë të kuptojnë një të vërtetë të thjeshtë. Siç tha Gabrieli, për «Perëndinë asgjë s’është e pamundshme». (Luka 1:37, Diodati i Ri) Maria i besoi fjalët e Gabrielit, pasi ishte një e re me besim të madh. Megjithatë, ky besim nuk ishte i verbër. Si çdokush me arsye, Maria kishte nevojë për prova ku të mbështeste besimin e saj. Gabrieli ishte gati t’i jepte edhe më shumë prova. Ai i tregoi për kushërirën e saj të moshuar, Elizabetën. Të gjithë e dinin se ajo ishte shterpë por, me anë të një mrekullie, Perëndia kishte bërë që ajo të ngelte shtatzënë.

10. Pse nuk duhet të mendojmë se ky privilegj ishte i lehtë apo se duhej marrë pa frikë?

10 Çfarë do të bënte tani Maria? Kishte një caktim përpara, si edhe prova se Perëndia do të bënte gjithçka që kishte thënë Gabrieli. Gjithsesi, të mos mendojmë se ky privilegj ishte i lehtë apo se duhej marrë pa frikë. Pikësëpari, ajo duhej të mendonte për fejesën me Jozefin. A do të donte përsëri ai të martohej me Marinë kur të zbulonte se ajo ishte shtatzënë? Po ashtu, vetë caktimi mund t’i jetë dukur një përgjegjësi që të trembte. Ajo do të mbante jetën e krijesës më të çmuar të Perëndisë, Birin e tij të dashur. Do t’i duhej të kujdesej për të kur të ishte një foshnjë e brishtë dhe ta mbronte në një botë të ligë. Vërtet, një përgjegjësi serioze!

11, 12. (a) Si kanë reaguar ndonjëherë edhe burra të fortë e besnikë kur kanë marrë një caktim të vështirë nga Perëndia? (b) Çfarë tregoi Maria me përgjigjen që i dha Gabrielit?

11 Bibla tregon se edhe burra të fortë e besnikë, ndonjëherë kanë ngurruar të pranojnë caktime të vështira nga Perëndia. Moisiu kundërshtoi duke thënë se nuk ishte aq i gojës, sa të vepronte si zëdhënës i Perëndisë. (Dal. 4:10) Edhe Jeremia ngurroi dhe tha se ishte «veçse një djalosh», tepër i ri për të marrë përsipër detyrën që i kishte caktuar Perëndia. (Jer. 1:6) Ndërsa Jonai ia mbathi nga caktimi. (Jon. 1:3) Ç’të themi për Marinë?

12 Fjalët e saj plot përulësi dhe bindje të menjëhershme kanë shumë vlerë për të gjithë njerëzit me besim. Ajo i tha Gabrielit: «Ja, skllavja e Jehovait! Le të më ndodhë sipas fjalës sate.» (Luka 1:38) Një skllave ishte shërbëtorja më e ulët, jeta e saj ishte krejtësisht në duart e pronarit. Kështu ndihej Maria ndaj Pronarit të saj, Jehovait. Ajo e dinte se ishte e sigurt në duart e tij, se ai është besnik me ata që i qëndrojnë besnikë, dhe se do ta bekonte ndërsa bënte më të mirën në këtë caktim të vështirë.​—Psal. 18:25.

Maria e dinte se ishte e sigurt në duart e Perëndisë së saj besnik, Jehovait

13. Si na ndihmon shembulli i Marisë nëse duket e vështirë madje e pamundur të bëjmë atë që na kërkon Perëndia?

13 Ndonjëherë Perëndia kërkon të bëjmë diçka që mund të duket e vështirë, madje e pamundur, në sytë tanë. Megjithatë, në Fjalën e tij, jep arsye të bollshme që të besojmë tek ai, ta lëmë veten në duart e tij, ashtu si Maria. (Prov. 3:5, 6) A do të veprojmë edhe ne kështu? Nëse po, Perëndia do të na shpërblejë, duke na dhënë arsye për të ndërtuar një besim edhe më të fortë tek ai.

Vizita tek Elizabeta

14, 15. (a) Si e shpërbleu Jehovai Marinë kur vizitoi Elizabetën dhe Zakarinë? (b) Çfarë tregon për Marinë ligjërata që është dokumentuar te Luka 1:46-55?

14 Fjalët që tha Gabrieli për Elizabetën ishin shumë domethënëse për Marinë. Kush nga të gjitha gratë në botë mund ta kuptonte situatën e saj më mirë? Maria shkoi me nxitim në vendin malor të Judës, udhëtim që ndoshta zgjati tre a katër ditë. Me të hyrë në shtëpinë e Elizabetës dhe të priftit Zakaria, Jehovai e shpërbleu Marinë me prova të tjera të pakundërshtueshme për t’i forcuar besimin. Elizabeta dëgjoi përshëndetjen e Marisë dhe menjëherë ndjeu foshnjën në barkun e saj që hovi nga gëzimi. Ajo u mbush me frymë të shenjtë dhe e quajti Marinë «nëna e Zotërisë tim». Perëndia i kishte zbuluar Elizabetës se biri i Marisë do të bëhej Zotëria i saj, Mesia. Gjithashtu, ajo u frymëzua të lavdëronte Marinë për bindjen e saj besnike, me fjalët: «Lum edhe ajo që besoi.» (Luka 1:39-45) Po, gjithçka që Jehovai i kishte premtuar Marisë, do të dilte e vërtetë!

Miqësia mes Marisë dhe Elizabetës ishte një bekim për të dyja këto gra

15 Pastaj foli Maria. Fjalët e saj janë ruajtur me kujdes në Fjalën e Perëndisë. (Lexo Lukën 1:46-55.) Pa dyshim, këto fjalë përbëjnë ligjëratën më të gjatë të Marisë që është dokumentuar në Bibël dhe na zbulojnë shumë rreth saj. Ato tregojnë mirënjohjen e saj, teksa lëvdonte Jehovain që e kishte bekuar me privilegjin si nëna e Mesisë. Na tregojnë se sa i thellë ishte besimi i saj, kur tha se Jehovai i ul fodullët e të fuqishmit dhe i ndihmon të përulurit e të varfrit që i shërbejnë. Gjithashtu zbulojnë se sa njohuri kishte. Sipas një llogaritjeje, ajo iu referua më tepër se 20 herë Shkrimeve Hebraike! *

16, 17. (a) Si treguan Maria dhe biri i saj një frymë që duhet ta imitojmë? (b) Cilin bekim na kujton vizita e Marisë tek Elizabeta?

16 Qartë, Maria mendonte thellë për Fjalën e Perëndisë. E megjithatë, mbeti e përulur, duke parapëlqyer të linte Shkrimet të flitnin, sesa të fliste nga vetja. Foshnja që po rritej në bark një ditë do të tregonte të njëjtën frymë e do të thoshte: «Ajo që mësoj, nuk është imja, por i përket atij që më dërgoi.» (Gjoni 7:16) Bëjmë mirë të pyesim veten: «Po unë, a tregoj po kaq respekt dhe nderim për Fjalën e Perëndisë? Apo parapëlqej idetë dhe mësimet e mia?» Maria kishte qëndrimin e duhur.

17 Maria qëndroi me Elizabetën për rreth tre muaj, pa dyshim, duke shkëmbyer me të shumë inkurajim. (Luka 1:56) Ky tregim i ngrohtë biblik, që flet për këtë vizitë, na kujton se miqësitë mund të jenë një bekim i madh. Nëse kërkojmë miq që e duan vërtet Perëndinë tonë, Jehovain, me siguri do të na rritet besimi dhe do t’i afrohemi më shumë Atij. (Prov. 13:20) Në fund, erdhi koha që Maria të kthehej në shtëpi. Çfarë do të thoshte Jozefi kur të merrte vesh për gjendjen e saj?

Maria dhe Jozefi

18. Çfarë i tregoi Maria Jozefit dhe si reagoi ai?

18 Patjetër që Maria nuk priti derisa shtatzënia të binte në sy. Ajo duhej të fliste me Jozefin. Që më përpara, mund të ketë menduar se si do të reagonte ky burrë i ndershëm dhe me frikë Perëndie ndaj gjërave që do t’i thoshte. Prapëseprapë, iu afrua atij dhe i tregoi ç’i kishte ndodhur. Siç mund ta imagjinoni, Jozefi u trazua thellësisht. Ai dëshironte ta besonte këtë vajzë që e donte, por dukej sikur ajo nuk i kishte qëndruar besnike. Bibla nuk thotë se çfarë i kaloi nëpër mend ose se si arsyetoi Jozefi. Por ama, tregon se ai donte të divorcohej prej saj, sepse, në atë kohë, çiftet e fejuara konsideroheshin si të martuara. Sidoqoftë, nuk donte që ajo të turpërohej ose të ndëshkohej para të gjithëve, kështu që vendosi të divorcohej fshehurazi. (Mat. 1:18, 19) Duhet të ketë qenë e dhembshme për Marinë të shihte këtë njeri të mirë të vuante për këtë situatë të pazakontë. Gjithsesi, Maria nuk u zemërua me Jozefin, edhe pse ai nuk e besoi.

19. Si e ndihmoi Jehovai Jozefin të merrte vendimin e duhur?

19 Jehovai me dashamirësi e ndihmoi Jozefin të merrte vendimin e duhur. Në një ëndërr, engjëlli i tha atij se shtatzënia e Marisë ishte vërtet falë një mrekullie. Sa i lehtësuar duhet të jetë ndier Jozefi! Tani bëri atë që Maria kishte bërë që në fillimi​—veproi në harmoni me drejtimin e Jehovait. Ai u martua me Marinë dhe u përgatit të merrte përsipër përgjegjësinë e pashoqe që të kujdesej për Birin e Jehovait.​—Mat. 1:20-24.

20, 21. Çfarë mund të mësojnë nga Maria e Jozefi të martuarit dhe ata që po mendojnë të martohen?

20 Të martuarit, dhe ata që po mendojnë të martohen, bëjnë mirë të mësojnë nga ky çift i ri që jetoi 2.000 vjet më parë. Teksa Jozefi e shihte gruan e tij të re të përmbushte detyrat dhe përgjegjësitë e një nëne, me siguri ishte i kënaqur që ishte drejtuar nga engjëlli i Jehovait. Jozefi duhet ta ketë kuptuar se sa rëndësi ka të mbështetemi te Jehovai kur marrim vendime të rëndësishme. (Psal. 37:5; Prov. 18:13) S’ka dyshim se vazhdoi të tregohej i kujdesshëm dhe i dashur ndërsa merrte vendime si kryefamiljar.

21 Nga ana tjetër, çfarë mund të mësojmë nga gatishmëria e Marisë për t’u martuar me Jozefin? Edhe pse në fillim atij mund t’i jetë dukur e vështirë të kuptonte çka i tha Maria, ajo priti që ai të merrte vendimin sepse Jozefi ishte burri që do të bëhej kreu i familjes. Patjetër, nga kjo ngjarje ajo e kuptoi sa i rëndësishëm ishte durimi, dhe ky është një mësim i mirë për gratë e krishtere sot. Së fundi, ka të ngjarë që nga këto situata, Jozefi dhe Maria të kenë mësuar shumë për vlerën e komunikimit të sinqertë dhe të hapur.​—Lexo Proverbat 15:22.

22. Mbi cilin themel e ndërtuan martesën Jozefi e Maria, dhe ç’mundësi do të kishin?

22 Ky çift i ri e ndërtoi martesën mbi themelin më të mirë. Që të dy donin mbi gjithçka Perëndinë Jehova dhe dëshironin me zjarr ta kënaqnin duke qenë prindër të përgjegjshëm dhe të dashur. Me siguri i prisnin bekime të mëdha, por edhe sfida të mëdha. Do të kishin mundësinë të rritnin Jezuin, i cili do të bëhej njeriu më i madh që ka njohur ndonjëherë bota.

^ par. 15 Me sa duket, Maria iu referua ndër të tjera edhe fjalëve të gruas besnike Hana. Ashtu si Maria, edhe ajo ishte bekuar nga Jehovai me një fëmijë.​—Shih kutinë «Dy lutje të jashtëzakonshme» në kapitullin 6.