Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI KATËR

«Ku të shkosh ti, do të shkoj edhe unë»

«Ku të shkosh ti, do të shkoj edhe unë»

1, 2. (a) Përshkruaj udhëtimin e Ruthës e të Naomit dhe barrën e pikëllimit të tyre. (b) Nga ndryshonte udhëtimi i Ruthës me atë të Naomit?

RUTHA ecte përkrah Naomit në rrugën përmes rrafshinave të Moabit, të larta e të rrahura nga era. Tani ishin vetëm, dy figura të vockla në peizazhin e paanë. Përfytyroje Ruthën tek vëren hijet e pasdites që zgjaten; më pas sheh vjehrrën dhe pyet veten nëse ka ardhur koha të gjejë një vend ku të kalojnë natën. Ajo e do shumë Naomin dhe do të bënte gjithçka mundej që të kujdesej për të.

2 Të dyja grave u rëndonte barra e pikëllimit. Naomi kishte vite si vejushë, por së fundi po vajtonte për vdekjen e dy djemve të saj, Kilionit dhe Mahlonit. Edhe Rutha ishte e pikëlluar, sepse Mahloni ishte i shoqi. Ajo dhe Naomi po shkonin drejt të njëjtit vend, në qytetin e Betlehemit në Izrael. Por, në njëfarë mënyre, udhëtimi i tyre ndryshonte. Naomi po shkonte në shtëpi. Kurse Rutha po guxonte drejt së panjohurës dhe po linte pas të afërmit, vendlindjen e gjithë zakonet​—përfshirë edhe perënditë.​—Lexo Ruthën 1:3-6.

3. Përgjigjet e cilave pyetje do të na ndihmojnë të imitojmë besimin e Ruthës?

3 Çfarë e shtyu këtë grua të re të bënte një ndryshim kaq të madh? Ku do ta gjente Rutha forcën që të fillonte një jetë të re dhe të kujdesej për Naomin? Teksa marrim përgjigjet, do të mësojmë shumë si ta imitojmë besimin e moabites Ruthë. (Shih edhe kutinë « Kryevepër në miniaturë».) Në fillim, le të shohim pse këto dy gra morën rrugën e gjatë për në Betlehem.

Tragjedia ndan një familje

4, 5. (a) Pse u shpërngul në Moab familja e Naomit? (b) Cilat sfida hasi Naomi në Moab?

4 Rutha u rrit në Moab, një vend i vogël në lindje të Detit të Vdekur. Rajoni përbëhej kryesisht nga pllaja me pyje të rralla, që priteshin nga gryka të thella. Shpesh «fushat e Moabit» ishin pjellore, edhe kur në Izrael pllakosi zia e bukës. Kjo ishte arsyeja pse Rutha u njoh me Mahlonin dhe me familjen e tij.​—Rutha 1:1.

5 Një zi buke që ra në Izrael e kishte detyruar burrin e Naomit, Elimelekun, që ta çonte gruan e dy djemtë larg vendlindjes e të nisnin jetën si të huaj në Moab. Kjo shpërngulje duhet të ketë sjellë sfida për besimin e secilit në familje, pasi izraelitët duhej të adhuronin rregullisht në vendin e shenjtë që kishte përcaktuar Jehovai. (Ligj. 16:16, 17) Naomi ia doli ta mbante gjallë besimin. Gjithsesi, atë e pushtoi pikëllimi kur i vdiq i shoqi.​—Rutha 1:2, 3.

6, 7. (a) Pse mund të jetë shqetësuar Naomi kur bijtë e saj morën gra moabite? (b) Pse ishte e lavdërueshme mënyra si i trajtoi Naomi nuset?

6 Por ndoshta Naomi vuajti sërish më vonë, kur bijtë e saj u martuan me gra moabite. (Rutha 1:4) Naomi e dinte se paraardhësi i kombit të saj, Abrahami, ishte përpjekur shumë të gjente mes popullit të vet një adhuruese të Jehovait si grua për të birin, Isakun. (Zan. 24:3, 4) Më vonë, Ligji i Moisiut i paralajmëronte izraelitët të mos i linin bijtë e bijat të martoheshin me të huaj, përndryshe populli i Perëndisë do të përfshihej në idhujtari.​—Ligj. 7:3, 4.

7 Megjithatë, Mahloni dhe Kilioni u martuan me gra moabite. Edhe nëse Naomi ishte e shqetësuar a e zhgënjyer, me sa duket bëri çmos t’u tregonte mirësi dhe dashuri të sinqertë dy nuseve të saj, Ruthës e Orpës. Mbase shpresonte që edhe ato një ditë të adhuronin Jehovain, ashtu si ajo. Sido të ketë qenë, si Rutha, edhe Orpa e donin fort Naomin. Marrëdhënia e mirë që kishin, i ndihmoi kur i goditi tragjedia. Këto dy të reja mbetën të veja që para se të bëheshin me fëmijë.​—Rutha 1:5.

8. Çfarë mund ta ketë tërhequr Ruthën drejt Jehovait?

8 A e përgatiti Ruthën prejardhja fetare për një tragjedi të tillë? Ka shumë mundësi që jo. Moabitët adhuronin shumë perëndi, ndër të cilët kryesonte Kemoshi. (Num. 21:29) Duket se feja moabite nuk bënte përjashtim nga praktikat brutale e të tmerrshme që ishin të zakonshme në atë kohë, ku përfshihej edhe flijimi i fëmijëve. Pa dyshim, Ruthës i bënte përshtypje të thellë çdo gjë që mësonte nga Mahloni a Naomi për Perëndinë e dashur e të mëshirshëm të Izraelit, Jehovain, pasi ishte krejt ndryshe nga ajo që dinte. Jehovai sundonte me anë të dashurisë, jo të terrorit. (Lexo Ligjin e përtërirë 6:5.) Pas asaj humbjeje shkatërruese, Rutha mund të jetë lidhur edhe më tepër me Naomin e mund ta ketë dëgjuar me gatishmëri gruan e moshuar tek i fliste për Perëndinë e plotfuqishëm, Jehovain, për veprat e tij të mrekullueshme dhe për mënyrën e dashur e të mëshirshme si vepronte me popullin e vet.

Me mençuri Rutha u lidh ngushtë me Naomin në kohë pikëllimi e humbjeje

9-11. (a) Ç’vendim morën Naomi, Rutha dhe Orpa? (b) Çfarë mund të mësojmë nga tragjeditë që u ndodhën këtyre grave?

9 Naomi, nga ana e saj, mezi priste lajme nga vendlindja. Një ditë, ndoshta me anë të një tregtari shëtitës, dëgjoi se zia në Izrael kishte mbaruar. Jehovai e kishte kthyer vëmendjen nga populli i tij. Betlehemi ishte sërish në lartësinë e emrit që mbante, «shtëpi e bukës». Naomi vendosi të kthehej në shtëpi.​—Rutha 1:6.

10 Çfarë do të bënin Rutha e Orpa? (Rutha 1:7) Ato ishin lidhur shumë me Naomin gjatë gjëmës së përbashkët. Veçanërisht Ruthën, me sa duket e kishte tërhequr mirësia e Naomit dhe besimi i patundur që kishte te Jehovai. Të tria vejushat u nisën së bashku për në Judë.

11 Tregimi i Ruthës na kujton se tragjeditë dhe vdekjet u ndodhin si të mirëve, ashtu edhe të këqijve. (Ekl. 9:2,11) Gjithashtu na mëson se përballë një humbjeje të dhembshme, tregohemi të mençur nëse kërkojmë ngushëllim e lehtësim nga të tjerët​—sidomos nga ata që kërkojnë strehë te Jehovai, Perëndia që adhuronte Naomi.​—Prov. 17:17.

Dashuria besnike e Ruthës

12, 13. Pse Naomi donte që Rutha dhe Orpa të mos e shoqëronin, por të ktheheshin në shtëpitë e tyre, dhe si reaguan në fillim dy të rejat?

12 Ndërsa tri vejushat linin pas kilometra të tërë, Naomin nisi ta brente një merak tjetër. Ajo mendonte për dy të rejat që kishte pranë dhe për dashurinë që i kishin treguar asaj e bijve të saj. Nuk e duronte dot mendimin se do t’ua shtonte më tej barrën. Po ta linin vendlindjen e të iknin me të, ç’mund të bënte për to në Betlehem?

13 Më në fund Naomi foli: «Shkoni, kthehuni secila në shtëpinë e nënës së vet. Jehovai u tregoftë dashamirës me ju, ashtu si u treguat ju me burrat që kanë vdekur dhe me mua!» Gjithashtu u tha se shpresonte që Jehovai do t’i shpërblente me bashkëshortë të tjerë dhe me një jetë të re. Tregimi thotë: «Pastaj i puthi dhe ato zunë të qanin me të madhe.» Nuk është e vështirë të kuptojmë pse Rutha dhe Orpa ishin kaq të lidhura me këtë grua zemërmirë e altruiste. Të dyja këmbëngulnin: «Jo, ne do të kthehemi me ty, te populli yt.»​—Rutha 1:8-10.

14, 15. (a) Te cilat gjëra u kthye Orpa? (b) Si u përpoq Naomi ta bindte Ruthën që të mos shkonte me të?

14 Por Naomi nuk bindej kaq lehtë. Ajo këmbënguli duke arsyetuar me forcë se nuk mund të bënte asgjë për to në Izrael. Nuk kishte bashkëshort që të kujdesej për të, as bij që të martoheshin me to, e as kishte ndonjë shpresë për këtë. S’ndihej e aftë të kujdesej për nuset, dhe kjo e hidhëronte tej mase. Orpës iu dukën me vend fjalët e Naomit. Ajo kishte familjen në Moab, nënën dhe një shtëpi që e priste. I dukej vërtet më praktike të qëndronte atje. Kështu, me zemër të pikëlluar i dha Naomit puthjen e lamtumirës dhe u kthye.​—Rutha 1:11-14.

15 Ç’të themi për Ruthën? Ajo që tha Naomi, vlente njësoj edhe për të. Megjithatë lexojmë: «Kurse Rutha nuk iu nda.» Ndoshta Naomi kishte vazhduar rrugën, kur ja, sheh Ruthën tek çapitej pas saj. Ajo u përpoq t’ia kthente mendjen me fjalët: «Ja, kunata jote e ve u kthye te populli dhe te perënditë e saj. Kthehu bashkë me të.» (Rutha 1:15) Fjalët e Naomit zbulojnë një hollësi jetësore për lexuesin. Orpa nuk u kthye vetëm te populli i saj, por edhe te «perënditë e saj». Ajo ishte e kënaqur të mbetej adhuruese e Kemoshit dhe e perëndive të tjera të rreme. A ndihej edhe Rutha kështu?

16-18. (a) Si shfaqi dashuri besnike Rutha? (b) Çfarë mund të mësojmë nga Rutha për dashurinë besnike? (Shih edhe figurën ku tregohen dy gratë.)

16 Teksa gjendej përballë Naomit në atë rrugë të shkretë, Rutha ishte e sigurt për atë që ndiente. Zemra i gufonte nga dashuria për Naomin dhe për Perëndinë të cilit i shërbente Naomi. Ja çfarë tha ajo: «Mos m’u lut që të të braktis, të largohem dhe të mos të shoqëroj, sepse ku të shkosh ti, do të shkoj edhe unë e ku ta kalosh natën ti, do ta kaloj natën edhe unë. Populli yt do të jetë populli im dhe Perëndia yt, Perëndia im. Ku të vdesësh ti, do të vdes edhe unë, e atje do të varrosem. Kështu ma bëftë Jehovai, madje edhe më keq, nëse nga ti më ndan gjë tjetër veç vdekjes!»​—Rutha 1:16, 17.

«Populli yt do të jetë populli im dhe Perëndia yt, Perëndia im»

17 Fjalët e Ruthës janë kaq të jashtëzakonshme, sa kanë mbijetuar shumë më tepër se ajo vetë, duke bërë jehonë rreth 30 shekuj më pas. Ato zbulojnë në mënyrë të përsosur një cilësi të çmuar, dashurinë besnike. Dashuria e Ruthës ishte kaq e fortë dhe besnike, sa nuk do t’i ndahej Naomit kudo që të shkonte. Vetëm vdekja mund t’i ndante. Populli i Naomit do të bëhej populli i saj, pasi Rutha ishte gati të linte pas gjithçka që njihte në Moab, madje edhe perënditë moabite. Ndryshe nga Orpa, ajo mund të thoshte me gjithë zemër se donte që Perëndia i Naomit, Jehovai, të ishte edhe Perëndia i saj. *

18 Kështu ato vazhduan udhën, të vetme në rrugën e gjatë drejt Betlehemit. Sipas një llogaritjeje, udhëtimi mund të ketë zgjatur një javë. Por me siguri, përballë pikëllimit, që të dyja gjenin njëfarë ngushëllimi në shoqërinë e njëra-tjetrës.

19. Si mund ta imitojmë dashurinë besnike të Ruthës në familje, mes miqve dhe në kongregacion?

19 Mjaft njerëz përjetojnë pikëllim në botën e sotme. Në kohët tona, që Bibla i quan «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar», gjendemi përballë gjithfarë humbjesh e pikëllimesh. (2 Tim. 3:1) Prandaj, cilësia që shfaqi Rutha është bërë më e rëndësishme se kurrë. Dashuria besnike​—dashuria që kapet fort pas dikujt a diçkaje dhe që nuk pranon të ndahet—​është një forcë e fuqishme për mirë në këtë botë të errët. Kemi nevojë për të në martesë, në marrëdhëniet familjare, në marrëdhëniet me miqtë dhe në kongregacionin e krishterë. (Lexo 1 Gjonit 4:7, 8, 20.) Ndërsa zhvillojmë këtë lloj dashurie, po imitojmë shembullin e shkëlqyer të Ruthës.

Rutha dhe Naomi në Betlehem

20-22. (a) Si kishte ndikuar te Naomi jeta në Moab? (b) Ç’pikëpamje të gabuar kishte Naomi për vështirësitë e saj? (Shih edhe Jakovin 1:13.)

20 Pa dyshim, një gjë është të themi se kemi dashuri besnike, por është krejt tjetër ta tregojmë me vepra. Rutha kishte para mundësinë t’ia tregonte dashurinë besnike jo vetëm Naomit, por edhe Perëndisë që zgjodhi t’i shërbente, Jehovait.

21 Më në fund dy gratë arritën në Betlehem, një qytezë rreth 10 kilometra në jug të Jerusalemit. Me sa duket, Naomi dhe familja e saj dikur kishin qenë me emër në atë qytet të vogël, pasi tërë vendi po gumëzhinte nga lajmi për kthimin e saj. Gratë e shihnin ngultas dhe thoshin: «Naomi është kjo?!» Ka të ngjarë që jeta në Moab ta kishte ndryshuar shumë; çehrja dhe qëndrimi i trupit tregonin gjurmët që kishin lënë vitet plot vështirësi e pikëllim.​—Rutha 1:19.

22 Naomi u zbuloi atyre të afërmeve e fqinjave që kishte pasur vite më parë, sa i ishte hidhëruar jeta. Madje, ajo mendonte se emri i duhej ndryshuar nga Naomi që do të thotë «kënaqësia ime», në Mara që do të thotë «e hidhur». E gjora Naomi! Shumë ngjashëm Jobit që kishte jetuar para saj, ajo besonte se vështirësitë ia kishte sjellë Perëndia Jehova.​—Rutha 1:20, 21; Jobi 2:10; 13:24-26.

23. Për çfarë filloi të mendonte Rutha dhe çfarë mase për të varfrit siguronte Ligji i Moisiut? (Shih edhe shënimin.)

23 Teksa gratë nisën jetën në Betlehem, Rutha filloi të mendonte si të kujdesej më së miri për veten e për Naomin. Ajo mori vesh se Ligji që Jehovai i kishte dhënë popullit të tij në Izrael përfshinte një masë të dashur për të varfrit. Ata lejoheshin të shkonin në ara gjatë kohës së të korrave e të ndiqnin korrësit për të mbledhur atë që mbetej, si edhe atë që rritej në cepat e në pjesët anësore të arave. *​—Lev. 19:9, 10; Ligj. 24:19-21.

24, 25. Çfarë bëri Rutha kur rastisi në arat e Boazit, dhe çfarë përfshinte mbledhja e të korrave të mbetura?

24 Kishte ardhur koha e të korrave të elbit, ndoshta në prill sipas kalendarit të sotëm. Rutha shkoi në ara të shihte se kush do ta linte të punonte sipas masës për të mbledhur prodhimin e mbetur. Ajo rastisi në arat e një burri që quhej Boaz, një pronari të pasur tokash që ishte edhe një i afërm i Elimelekut, burrit të Naomit. Ndonëse Ligji i jepte të drejtën të mblidhte të korrat e mbetura, ajo nuk e mori si të mirëqenë këtë. Që të punonte aty, i mori leje të riut përgjegjës për korrësit. Ai ia dha lejen dhe Rutha iu fut punës.​—Rutha 1:22–2:3, 7.

25 Imagjinoje Ruthën tek mbledh pas korrësve. Ndërsa ata korrnin elbin me drapërinj prej stralli, Rutha kërrusej që të mblidhte atë që linin mbrapa, i grumbullonte kallinjtë në duaj dhe i mbartte në një vend ku më vonë do të shinte drithin. Puna ishte e ngadaltë dhe e lodhshme, dhe vështirësohej më tepër teksa paraditja s’kishte të sosur. Gjithsesi Rutha nuk u dorëzua, por ndalonte vetëm që të fshinte djersën nga balli dhe që të hante një drekë të thjeshtë «në shtëpi»​—mbase një strehë që u bënte hije punëtorëve.

Rutha ishte gati të bënte punë të vështirë e të përulur që të kujdesej për veten dhe Naomin

26, 27. Ç’lloj njeriu ishte Boazi dhe si e trajtoi Ruthën?

26 Me sa duket Rutha as shpresonte, as priste ta vinin re, por ja që e panë. Boazi e pa dhe pyeti përgjegjësin e ri se kush ishte ajo. Ngaqë ishte njeri me besim të jashtëzakonshëm, Boazi i përshëndeste punëtorët, disa prej të cilëve mund të ishin mëditës, madje të huaj. U thoshte: «Jehovai qoftë me ju!» Ata ia kthenin me të njëjtat fjalë. Boazi, ky burrë i madh në moshë që e donte Jehovain, tregoi interes atëror për Ruthën.​—Rutha 2:4-7.

27 Duke e quajtur «bija ime», Boazi e këshillon Ruthën të vazhdojë të vijë në arat e tij që të mbledhë prodhimin e mbetur dhe të qëndrojë afër shërbëtoreve të shtëpisë së tij që të mos e ngacmojë ndonjë nga punëtorët. U sigurua që ajo të kishte ç’të hante në drekë. (Lexo Ruthën 2:8, 9, 14.) Por, mbi të gjitha, e lavdëroi e i dha zemër. Si?

28, 29. (a) Çfarë reputacioni kishte Rutha? (b) Si mund të gjesh edhe ti strehë te Jehovai, ashtu si Rutha?

28 Kur Rutha e pyeti Boazin pse ajo, një e huaj, kishte fituar pëlqimin e tij, ai i tha se kishte dëgjuar gjithë sa kishte bërë për të vjehrrën. Ndoshta Naomi e kishte lavdëruar Ruthën e saj të dashur mes grave të Betlehemit dhe fjala kishte rënë në vesh të Boazit. Ai e dinte edhe se Rutha ishte bërë adhuruese e Jehovait, pasi i tha: «Jehovai të shpërbleftë për këtë që bëre! Marrsh një pagë të përsosur nga Jehovai, Perëndia i Izraelit, nën krahët e të cilit erdhe të kërkosh strehë!»​—Rutha 2:12.

29 Sa duhet ta kenë inkurajuar këto fjalë Ruthën! Ajo kishte vendosur vërtet të gjente strehë nën krahët e Perëndisë Jehova, si një zog i vogël që strehohet i sigurt nën krahët mbrojtës të prindit. E falënderoi Boazin që i dha kaq siguri dhe punoi deri në mbrëmje.​—Rutha 2:13, 17.

30, 31. Ç’mund të mësojmë nga Rutha për shprehitë në punë, çmueshmërinë dhe dashurinë besnike?

30 Besimi me vepra i Ruthës është shembull i shkëlqyer për të gjithë ne që luftojmë me vështirësitë ekonomike të këtyre kohëve. Ajo nuk mendonte se të tjerët kishin ndonjë detyrim ndaj saj, kështu që çmonte çdo gjë që i ofrohej. Nuk i vinte turp të punonte fort e për një kohë të gjatë që të kujdesej për Naomin e shtrenjtë, ndonëse ishte punë e përulur. E pranoi me mirënjohje dhe e zbatoi këshillën e mençur si të punonte e sigurt dhe në shoqëri të mirë. Ç’është më e rëndësishmja, kurrë s’e humbi nga sytë strehën e vërtetë—Atin e saj mbrojtës, Perëndinë Jehova.

31 Nëse tregojmë dashuri besnike si Rutha dhe ndjekim shembullin e saj të përulësisë, papërtueshmërisë e mirënjohjes, edhe besimi ynë do të bëhet një shembull i dobishëm për të tjerët. Por, si ua plotësoi Jehovai nevojat Ruthës e Naomit? Këtë do ta trajtojmë në kapitullin vijues.

^ par. 17 Është interesante se Rutha nuk përdori vetëm titullin formal «Perëndi», siç mund të bënin shumë të huaj, por përdori edhe emrin personal të Perëndisë, Jehova. Një vepër (The Interpreter’s Bible) komenton: «Në këtë mënyrë shkrimtari thekson se kjo e huaj është adhuruese e Perëndisë së vërtetë.»

^ par. 23 Ky ligj ishte i jashtëzakonshëm, pa dyshim krejt ndryshe nga çdo gjë që Rutha dinte në vendin e vet. Në atë kohë, në Lindjen e Mesme të lashtësisë, vejushat trajtoheshin keq. Një vepër referimi vëren: «Pas vdekjes së të shoqit, normalisht vejusha mbështetej te bijtë e saj; nëse nuk kishte bij, mund t’i duhej të shitej në skllavëri, t’i dorëzohej prostitucionit ose të vdiste.»