Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

IMITONI BESIMIN E TYRE | MARIA

Ajo i mbijetoi shpatës së pikëllimit

Ajo i mbijetoi shpatës së pikëllimit

MARIA ra në gjunjë, me shpirt të therur nga dhembja e tejskajshme. Akoma i ushtonte në vesh klithma e të birit kur dha frymë pas orësh torture. Qielli ishte errësuar, edhe pse ishte mesditë. Toka u trondit furishëm. (Mateu 27:45, 51) Marisë mund t’i jetë dukur sikur vetë Jehovai po ia bënte të ditur botës se atij, më shumë se çdokujt tjetër, vdekja e Jezu Krishtit ia kishte bërë zemrën plagë.

Teksa drita e pasdites përzinte errësirën që kishte gllabëruar Golgotën, ose Vendin e Kafkës, Maria vajtonte të birin. (Gjoni 19:17, 25) Kujtimet duhej t’ia kishin kapluar mendjen. Një prej tyre mund të ketë qenë një ngjarje që kishte ndodhur rreth 33 vjet më parë. Ajo dhe Jozefi sapo e kishin çuar foshnjën e tyre të shtrenjtë në tempullin e Jerusalemit. Aty, një burrë i moshuar që quhej Simeon, u frymëzua nga Perëndia dhe bëri një profeci. Ai paratha gjëra të jashtëzakonshme për Jezuin, por shtoi se një ditë Maria do të ndihej sikur shpirtin t’ia kishte tejshpuar një shpatë e gjatë. (Luka 2:25-35) Vetëm tani, në këtë moment tragjik, ajo e kuptoi plotësisht sa të vërteta ishin ato fjalë.

Pikëllimi ia shpoi tejpërtej zemrën Marisë

Thuhet se vdekja e fëmijës është humbja më e madhe dhe më e dhembshme që mund t’i ndodhë dikujt. Vdekja është një armik mizor dhe, në një mënyrë a në një tjetër, të gjithëve na plagos. (Romakëve 5:12; 1 Korintasve 15:26) A mund t’u mbijetojmë këtyre plagëve? Ndërsa shqyrtojmë jetën e Marisë që nga fillimi i shërbimit të Jezuit, deri në momentin kur ai vdiq, madje edhe pak më tutje, do të mësojmë shumë për besimin që e ndihmoi Marinë t’i mbijetonte shpatës së pikëllimit.

«BËNI Ç’T’JU THOTË AI»

Le të kthehemi mbrapa në kohë tre vjet e gjysmë. Maria e ndiente se diçka do të ndryshonte. Edhe në qytetin e vogël të Nazaretit, njerëzit flisnin për Gjon Pagëzorin dhe për mesazhin e tij që i nxiste të pendoheshin. Maria mund ta dallonte se për djalin e saj të madh ky lajm ishte një sinjal; ishte koha për të filluar shërbimin. (Mateu 3:1, 13) Për Marinë dhe familjen e saj, mungesa e Jezuit nënkuptonte vështirësi të ndryshme. Pse?

Ka mundësi që burri i Marisë, Jozefi, të kishte vdekur tashmë. Nëse po, Maria e kishte provuar se ç’do të thotë të humbasësh një person të dashur. * Tani Jezui nuk quhet vetëm «biri i zdrukthëtarit», por edhe «zdrukthëtari». Me sa duket, punën e të atit tani e administronte Jezui dhe ai kishte marrë përsipër të kujdesej për familjen, e cila përbëhej nga të paktën gjashtë fëmijë që kishin lindur pas tij. (Mateu 13:55, 56; Marku 6:3) Edhe nëse Jezui mund ta kishte stërvitur Jakovin—mbase djali i dytë—që të kujdesej për punën, largimi i djalit të madh nuk do të ishte i lehtë për familjen. Tashmë Maria mbante një barrë të rëndë. A i druhej ajo një ndryshimi të tillë? Këtë nuk e dimë. Por, këtu ngrihet një pyetje edhe më e rëndësishme: si do të reagonte ajo kur Jezui i Nazaretit të bëhej Jezu Krishti, Mesia i premtuar prej kohësh? Një tregim i Biblës na zbulon diçka.—Gjoni 2:1-12.

Jezui shkoi te Gjoni që të pagëzohej dhe pas kësaj u bë i Mirosuri i Perëndisë ose Mesia. (Luka 3:21, 22) Më pas, filloi të zgjidhte dishepujt. Edhe pse vepra e tij ishte urgjente, prapëseprapë ai gjeti kohë për të kaluar momente të gëzuara me familjen dhe miqtë. Bashkë me nënën, dishepujt dhe vëllezërit, ai shkoi në një dasmë në Kanë, që ka mundësi të ketë qenë një qytet mbi kodër rreth 13 kilometra larg Nazaretit. Gjatë festimeve, Maria pikasi një problem. Mbase ajo vuri re te familjarët e çiftit shikime plot panik dhe pëshpëritje që përcillnin një ndjenjë urgjence. Kishte mbaruar vera! Në kulturën e tyre, të mos tregoje mikpritjen e duhur zakonore, ishte turp për familjen dhe do ta prishte jashtë mase atë rast. Marisë i erdhi keq për ta, prandaj iu drejtua Jezuit.

«Nuk kanë më verë»,—i tha të birit. Çfarë priste nga ai? Këtë nuk e dimë me saktësi, por ama ajo e dinte se i biri ishte njeri i madh që mund të bënte gjëra të mëdha. Mbase ajo shpresonte që ai të fillonte tani. Me fjalë të tjera, ajo po i thoshte: «Bir, bëj diçka të lutem!» Përgjigjja e Jezuit duhet ta ketë habitur të ëmën. Ai tha: «Ç’punë kam unë me ty, o grua?» Fjalët e Jezuit nuk përmbanin nuanca mosrespekti, megjithëse janë keqinterpretuar kështu. Në gjuhën origjinale, kjo frazë shpreh thjesht kundërshtim. Me këto fjalë Jezui po i jepte nënës një qortim të butë. Ai po i kujtonte asaj se nuk kishte të drejtë t’i thoshte si ta kryente shërbimin e tij; kjo i takonte vetëm Atit të tij, Jehovait.

Maria e pranoi ndreqjen e të birit, pasi ishte grua e përulur dhe nuk kishte një zemër të pandjeshme. Ajo iu drejtua atyre që shërbenin në gosti dhe u tha vetëm: «Bëni ç’t’ju thotë ai.» Maria e kuptoi se tani nuk ishte më ajo që do ta drejtonte të birin; përkundrazi, ajo dhe të tjerët duhej të merrnin drejtim prej tij. Nga ana e tij, Jezui tregoi se kishte të njëjtën dhembshuri si e ëma për çiftin e sapomartuar. Ai bëri mrekullinë e tij të parë, duke e kthyer ujin në verë të shkëlqyer. Cili ishte rezultati? «Dishepujt e vet treguan besim tek ai.» Edhe Maria tregoi besim te Jezui. Për të, Jezui nuk ishte thjesht i biri, por ishte Zotëria dhe Shpëtimtari i saj.

Sot prindërit mund të mësojnë shumë nga besimi i Marisë. Është e vërtetë që asnjë njeri tjetër nuk ka rritur ndonjëherë një fëmijë tamam si Jezui. Por, kur fëmija, ndonëse i papërsosur, rritet dhe arrin moshën madhore, ky ndryshim mund të nxjerrë përpara pengesa. Një prind mund të priret të vazhdojë ta trajtojë si fëmijë të vogël djalin ose vajzën, megjithëse ky lloj trajtimi mund të mos jetë më i përshtatshëm. (1 Korintasve 13:11) Si mund ta ndihmojë një prind fëmijën e tij të rritur? Një mënyrë është duke pasur besim të sinqertë që djali ose vajza e tij besnike do të vazhdojë t’i zbatojë mësimet e Biblës dhe si rezultat të marrë bekimet e Jehovait. Kur prindi shpreh besim me përulësi, kjo do të ndikojë jashtë mase për mirë te fëmijët e rritur. Jezui pa dyshim që e vlerësonte tej mase mbështetjen e Marisë gjatë viteve pasuese plot aktivitet.

«VËLLEZËRIT E TIJ NUK TREGONIN BESIM TEK AI»

Ungjijtë nuk na tregojnë shumë gjëra për Marinë gjatë shërbimit të Jezuit që zgjati tre vjet e gjysmë. Megjithatë, mos harro se ajo ka mundësi të ketë qenë vejushë—një nënë e vetme që mbase kishte akoma fëmijë të vegjël për të rritur. Është më se e kuptueshme nëse ajo nuk mund të shkonte me Jezuin teksa predikonte në çdo skaj të vendlindjes së tij. (1 Timoteut 5:8) Prapëseprapë, ajo vazhdoi të meditonte për gjërat frymore që kishte mësuar për Mesinë dhe të ndiqte mbledhjet në sinagogën vendëse, siç e kishte pasur gjithmonë zakon me familjen.—Luka 2:19, 51; 4:16.

Ka mundësi që Maria të ketë qenë në auditor kur Jezui foli në sinagogën e Nazaretit. Sa emocionuese duhet të ketë qenë për të tek dëgjonte të birin që shpallte se ajo profeci shumëshekullore për Mesinë tani ishte përmbushur tek ai! Nga ana tjetër, duhet të jetë trazuar përbrenda që nazareasit e tjerë nuk e pranuan birin e saj. Madje, u orvatën ta vritnin.—Luka 4:17-30.

Ligështuese ishte edhe mënyra si reaguan bijtë e tjerë ndaj Jezuit. Nga Gjoni 7:5 mësojmë se katër vëllezërit e Jezuit nuk kishin të njëjtin besim si nëna e tyre. Aty lexojmë: «Vëllezërit e tij nuk tregonin besim tek ai.» Për sa u përket motrave të Jezuit—të cilat ishin të paktën dy—Bibla nuk thotë gjë. * Sido që të ketë qenë, Marisë iu desh ta provonte dhembjen therëse të të jetuarit në një shtëpi ku mbizotëronin pikëpamje të ndryshme fetare. I duhej të mundohej për të ruajtur ekuilibrin që t’i mbetej besnike së vërtetës hyjnore, ndërkohë që përpiqej t’u fitonte zemrën pjesëtarëve të familjes pa u treguar autoritare ose luftarake.

Në një rast, disa të afërm, ku pa dyshim ishin edhe vëllezërit e Jezuit, shkuan «ta kapnin» atë. Ata thanë: «Ai ka luajtur mendsh.» (Marku 3:21, 31) Sigurisht, Maria nuk e çonte nëpër mend diçka të tillë, megjithatë shkoi bashkë me bijtë e saj; mbase shpresonte që ata të mësonin diçka që do t’i ndihmonte të rriteshin në besim. A besuan ata? Ndonëse Jezui bënte vazhdimisht vepra të jashtëzakonshme dhe mësonte të vërteta të mrekullueshme, bijtë e tjerë të Marisë ende nuk besuan. Mos vallë Maria, tejet zemërlëshuar, pyeste veten si mund t’ua prekte zemrat?

A jeton në një shtëpi me besime të ndryshme fetare? Mund të mësosh shumë nga besimi i Marisë. Ajo nuk i humbi shpresat për të afërmit e saj jobesimtarë. Përkundrazi, e pa të arsyeshme që ata të shihnin vetë sa gëzim dhe paqe mendore i sillte besimi. Nga ana tjetër, ajo vazhdoi ta mbështeste të birin besnik. A e merrte malli për Jezuin? A dëshironte ndonjëherë që ai të ishte në shtëpi me të dhe familjen? Nëse po, ajo i mbante nën kontroll ndjenja të tilla. E konsideronte privilegj ta mbështeste dhe ta inkurajonte Jezuin. A mund t’i ndihmosh edhe ti fëmijët që të vendosin adhurimin e Perëndisë në vend të parë në jetë?

«TY DO TË TA TEJSHPOJË SHPIRTIN NJË SHPATË E GJATË»

A u shpërblye besimi që kishte Maria te Jezui? Jehovai e shpërblen gjithmonë besimin, dhe sigurisht Maria nuk bënte përjashtim. (Hebrenjve 11:6) Vetëm mendo pak si ndihej Maria kur dëgjonte të birin teksa fliste ose të tjerët teksa tregonin për fjalimet e tij që i kishin dëgjuar me veshët e tyre.

Në shumë ilustrime të Jezuit gjenden gjurmë të stërvitjes që mori nga Jozefi dhe Maria

A vërente Maria tek ilustrimet e të birit një pasqyrim të fëmijërisë që kaloi në Nazaret? Kur Jezui foli për një grua që fshinte shtëpinë për të gjetur monedhën e humbur, për bluarjen në mulli ose për ndezjen dhe vendosjen e llambës mbi mbajtësen e vet, a mendonte Maria për atë djalë të vogël që i rrinte afër ndërsa bënte punët e përditshme? (Luka 11:33; 15:8, 9; 17:35) Kur Jezui tha se zgjedha e tij ishte e këndshme dhe ngarkesa e tij ishte e lehtë, a mendonte Maria për pasditet e arta kur shihte Jozefin që mësonte djaloshin Jezu si të bënte dhe t’i jepte formë një zgjedhe me kujdes, që një kafshë ta mbante me lehtësi? (Mateu 11:30) Sigurisht që Marisë i bëhej zemra mal kur mendonte për privilegjin që i kishte dhënë Jehovai—të rriste dhe të stërviste djalin që do të bëhej Mesia. Duhet të ketë provuar gëzim të pamasë kur dëgjonte Jezuin, mësuesin më të madh që ka njohur njerëzimi, i cili merrte si shembuj objekte dhe rrethana të zakonshme për të përcjellë mësime të thella.

Prapëseprapë, Maria mbeti e përulur. I biri nuk i dha kurrë admirim të tepruar, jo më ta adhuronte. Gjatë shërbimit të tij, një grua tha me zë të lartë në mes të turmës se nëna e Jezuit duhej të ishte vërtet e lumtur që e solli në jetë. Por ai tha: «Jo, më mirë lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!» (Luka 11:27, 28) Gjithashtu, kur dikush në turmë i tha Jezuit se nëna dhe vëllezërit e tij ishin afër, ai tha se nëna dhe vëllezërit e tij ishin ata që kishin besim. Në vend që të fyhej, Maria sigurisht që e kuptoi ku donte të dilte Jezui—lidhjet që formohen nga besimi janë ku e ku më të rëndësishme se lidhjet e gjakut.—Marku 3:32-35.

Megjithatë, a ka fjalë që mund ta përshkruajnë dhembjen e Marisë tek shihte të birin që po vdiste në shtyllën e torturës? Një dëshmitar okular i ekzekutimit të tij, apostulli Gjon, përfshiu më vonë këtë hollësi në tregimin e tij: gjatë asaj agonie, Maria po qëndronte «pranë shtyllës së torturës së Jezuit». Asgjë në botë nuk mund ta pengonte këtë nënë besnike dhe të dashur që të rrinte pranë djalit të saj deri në grahmat e fundit. Jezui e pa dhe i foli, megjithëse çdo frymëmarrje i shkaktonte një dhembje agonike dhe çdo fjalë që nxirrte, i kushtonte shumë. Nënën e la nën kujdesin e Gjonit, apostullit të tij të dashur. Meqenëse vëllezërit e Jezuit ishin ende jobesimtarë, ai nuk ia besoi nënën ndonjërit prej tyre, por një dishepulli të sinqertë. Kështu, Jezui tregoi sa e rëndësishme është për një njeri me besim që të kujdeset për familjarët, veçanërisht për nevojat që lidhen me besimin e tyre.—Gjoni 19:25-27.

Kur Jezui vdiq, Maria e ndjeu dhembjen e parathënë shumë kohë më parë, shpatën e gjatë të pikëllimit. Nëse e kemi të vështirë ta imagjinojmë sa i madh ishte pikëllimi i saj, atëherë e kemi edhe më të vështirë ta përfytyrojmë gëzimin që ndjeu tri ditë më vonë. Maria mori vesh për mrekullinë më madhështore—Jezui ishte ringjallur! Gëzimi i saj ishte edhe më i madh, sepse Jezui iu shfaq më vonë Jakovit, gjysmëvëllait të tij, kur ishte vetëm. (1 Korintasve 15:7) Ky takim e preku Jakovin dhe gjysmëvëllezërit e tjerë të Jezuit. Më vonë mësojmë se ata filluan të besonin se Jezui ishte Krishti. S’kaloi shumë dhe nisën të ndiqnin mbledhjet e krishtere bashkë me nënën dhe «ngulmonin në lutje». (Veprat 1:14) Dy prej tyre, Jakovi dhe Juda, më vonë shkruan libra të Biblës.

Marisë i gufonte zemra nga gëzimi kur shihte djemtë e tjerë që ishin bërë të krishterë besnikë

Herën e fundit që përmendet, Maria është në mbledhje bashkë me bijtë e saj duke u lutur. Sa mbyllje e përshtatshme për historinë e Marisë dhe sa shembull të jashtëzakonshëm që ka lënë! Ngaqë kishte besim, ajo i mbijetoi shpatës së pikëllimit, dhe në fund mori një shpërblim të lavdishëm. Nëse e imitojmë besimin e saj, edhe ne do t’i mbijetojmë çfarëdolloj plage që na shkakton kjo botë e egër, dhe as nuk mund t’i përfytyrojmë shpërblimet e pamasa që do të gëzojmë!

^ par. 8 Pasi shfaqet në një ndodhi kur Jezui ishte 12 vjeç, Jozefi nuk përmendet më në tregimet e ungjijve. Më pas, e ëma e Jezuit dhe fëmijët e tjerë përmenden, por Jozefi jo. Në një rast Jezui u quajt «biri i Marisë», pa përmendur fare Jozefin.—Marku 6:3.

^ par. 16 Jozefi nuk ishte babai biologjik i Jezuit, prandaj teknikisht Jezui i kishte gjysmëvëllezër dhe gjysmëmotra.—Mateu 1:20.