Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI GJASHTË

Ajo ia hapi zemrën Perëndisë në lutje

Ajo ia hapi zemrën Perëndisë në lutje

1, 2. (a) Pse s’ishte e lumtur Hana teksa përgatitej për udhëtimin? (b) Ç’mund të mësojmë nga historia e Hanës?

HANA u angazhua plotësisht në përgatitjet e udhëtimit që ta largonte mendjen nga problemet e saj. Duhej të ishte një kohë e lumtur pasi burri i saj, Elkanahu, e kishte zakon ta çonte çdo vit tërë familjen në Shiloh që të adhuronin në tabernakull. Jehovai donte që këto raste të ishin të gëzuara. (Lexo Ligjin e përtërirë 16:15.) Dhe pa dyshim, Hana kishte gjetur kënaqësi në këto festa që nga fëmijëria. Por vitet e fundit, gjërat kishin ndryshuar për të.

2 Ishte bekuar me një burrë që e donte. Megjithatë, Elkanahu kishte edhe një grua tjetër. Ajo quhej Penina dhe dukej sikur ishte betuar t’ia nxinte jetën Hanës. Penina kishte gjetur një mënyrë që edhe këto raste të përvitshme t’ia bënte tepër të hidhura asaj. Si? Ç’është më e rëndësishmja, si e ndihmoi Hanën besimi te Jehovai ta përballonte këtë situatë që shpesh dukej e pashpresë? Nëse has vështirësi që ta heqin gëzimin në jetë, atëherë historia e Hanës mund të të japë shumë zemër.

«Pse brengoset zemra jote?»

3, 4. Cilat ishin dy probleme të mëdha që hasi Hana dhe pse ishte sfiduese secila prej tyre?

3 Bibla na flet për dy probleme të mëdha në jetën e Hanës. Për problemin e parë mund të bënte fare pak, kurse për të dytin nuk bënte dot gjë. Së pari, gjendej në një martesë poligame dhe shemra e urrente. Së dyti, ishte shterpë. Shterpësia është e vështirë për çdo grua që dëshiron me zjarr të ketë fëmijë, por për kohën e Hanës dhe për kulturën e atëhershme, ishte burim hidhërimi shumë i madh. Çdo familje duhej të kishte pasardhës që të mos shuhej emri i familjes. Shterpësia shihej si turp dhe poshtërim i rëndë.

4 Hana mund ta kishte përballuar me sukses situatën e saj po të mos i hapte probleme Penina. Poligamia nuk ishte asnjëherë praktikë ideale. Rivaliteti, fërkimet dhe lëndimet ishin më se të zakonshme. Ajo ishte larg standardit të monogamisë që kishte vendosur Perëndia në kopshtin e Edenit. (Zan. 2:24) Kështu, Bibla na bën një portretizim të zymtë të poligamisë, dhe përshkrimi i gjallë i jetës në shtëpinë e Elkanahut na tregon mjaft qartë pse poligamia nuk ishte praktikë e mirë.

5. Pse donte Penina t’i shkaktonte vuajtje Hanës dhe si e lëndonte atë?

5 Elkanahu e donte më shumë Hanën. Nga sa dimë nga tradita judaike, në fillim ai u martua me Hanën dhe vite më vonë me Peninën. Sido që të ketë qenë, Penina, i shkaktonte shumë vuajtje rivales së saj, pasi ishte shumë xheloze për të. Ngaqë Penina mund të lindte fëmijë, kjo i jepte më tepër epërsi. Ajo lindi pasardhës njëri pas tjetrit dhe pas çdo fëmije i jepte vetes më shumë rëndësi. Në vend që t’i vinte keq për Hanën dhe ta ngushëllonte për fatkeqësinë e saj, Penina e shfrytëzoi këtë pikë të dobët. Bibla thotë se Penina e acaronte keqas «që ta bënte të humbte toruan». (1 Sam. 1:6) Penina vepronte qëllimisht. Donte ta lëndonte dhe ia doli.

Hana ishte tejet e trazuar nga shterpësia e saj dhe Penina bënte të pamundurën që Hana të ndihej keq

6, 7. (a) Edhe pse Elkanahu u përpoq ta ngushëllonte Hanën, pse ajo mund të mos i ketë treguar si qëndronte puna? (b) A nënkuptonte shterpësia e Hanës se Jehovai ishte i pakënaqur me të? Shpjego. (Shih shënimin.)

6 Dukej se mundësia më e mirë për Peninën ishte në kohën e pelegrinazhit të përvitshëm për në Shiloh. Secilit prej fëmijëve të shumtë të Peninës, «gjithë bijve e bijave të saj», Elkanahu u dha racione të flijimeve që i kishte ofruar Jehovait. Por Hana e tij e shtrenjtë mori një racion të veçantë. Prandaj, Penina xheloze u soll me kaq mendjemadhësi ndaj saj, duke i vënë në dukje shterpësinë, saqë e shkreta ia plasi të qarit e i iku oreksi. Elkanahu e vuri re se Hana e tij e dashur ishte brengosur e nuk hante, prandaj u përpoq ta ngushëllonte. «Hana,—e pyeti ai,—pse qan e pse nuk ha? Pse brengoset zemra jote? A nuk jam unë për ty më i mirë se dhjetë bij?»​—1 Sam. 1:4-8.

7 Është e lavdërueshme që Elkanahu e dalloi se trishtimi i Hanës kishte të bënte me shterpësinë e saj. Patjetër, Hana e vlerësoi tej mase që ai e siguroi për dashurinë e tij. * Por Elkanahu nuk e përmendi ligësinë e Peninës dhe në Bibël nuk thuhet nëse Hana i tregoi për të. Ndoshta ajo mendonte se po të tregonte për Peninën vetëm sa do ta keqësonte situatën. A mund t’i ndryshonte gjërat Elkanahu? A nuk do ta përçmonte më tepër Penina Hanën dhe a nuk do të vepronin po kështu edhe fëmijët e shërbëtorët e asaj gruaje dashakeqe? Hana vetëm sa do të ndihej gjithnjë e më e mënjanuar në shtëpinë e vet.

Përballë trajtimit dashakeq në shtëpi, Hana iu drejtua Jehovait për ngushëllim

8. Kur përballesh me ligësi ose padrejtësi, pse është ngushëlluese të mos harrosh se Jehovai është Perëndia i drejtësisë?

8 Dinte apo s’dinte gjithçka Elkanahu rreth ligësive të Peninës, Perëndia Jehova i shihte të gjitha. Fjala e tij zbulon të gjithë tablonë, duke siguruar kështu një paralajmërim serioz ndaj kujtdo që jepet pas veprimeve plot urrejtje e xhelozi, në dukje të vogla. Nga ana tjetër, të pafajshmit e paqedashësit si Hana, mund të gjejnë ngushëllim duke ditur se Perëndia i drejtësisë i zgjidh të gjitha gjërat në mënyrën dhe kohën e duhur sipas tij. (Lexo Ligjin e përtërirë 32:4.) Ndoshta Hana e dinte këtë sepse iu drejtua Jehovait për ndihmë.

«Nuk dukej më e merakosur»

9. Ç’mësim mund të nxjerrim nga gatishmëria e Hanës për të shkuar në Shiloh, ndonëse e dinte si do të vepronte shemra e saj?

9 Në orët e para të ditës, shtëpia ishte plot gjallëri. Të gjithë, madje edhe fëmijët, po bëheshin gati për udhëtimin. Familja e madhe do të bënte një rrugë prej më shumë se 30 kilometrash përmes vendit kodrinor të Efraimit. * Ky udhëtim do të zgjaste një ose dy ditë më këmbë. Hana e dinte se si do të vepronte shemra e saj. Prapëseprapë, nuk ndenji në shtëpi. Kështu, la një shembull të shkëlqyer për adhuruesit e Perëndisë sot. Asnjëherë nuk është e mençur të lejojmë që sjellja e gabuar e të tjerëve të ndikojë në adhurimin që i bëjmë Perëndisë. Nëse e lejojmë, do të humbasim pikërisht ato bekime që na japin forcë për të qëndruar.

10, 11. (a) Pse shkoi në tabernakull Hana sapo iu krijua mundësia? (b) Si ia zbrazi zemrën Hana Atit të saj në lutje?

10 Pas një dite të gjatë duke ecur në rrugët malore gjarpëruese, më në fund familja e madhe iu afrua Shilohut. Ai ndodhej në një kodër të rrethuar nga kodra më të larta. Ndërsa afroheshin, Hana duhet të jetë menduar gjatë se çfarë do t’i thoshte në lutje Jehovait. Kur mbërritën, u ulën për të ngrënë. Sapo iu krijua mundësia, Hana u shkëput nga grupi dhe u drejtua për te tabernakulli i Jehovait. Kryeprifti Eli ishte atje, ulur pranë shtalkës. Por Hana e kishte mendjen te Perëndia i saj. Këtu në tabernakull, ndihej e sigurt se ai do ta dëgjonte. Askush përveç Atit qiellor nuk mund ta kuptonte plotësisht gjendjen e saj të mjerë. Brenga ia kaploi zemrën dhe filloi të qante.

11 Ndërsa i gjithë trupi i drithërohej nga të qarat, Hana i lutej pa zë Jehovait. Buzët i dridheshin ndërsa formulonte fjalët në mendje për të shprehur dhembjen. U lut gjatë duke ia zbrazur zemrën Atit të saj. Por, ajo nuk i kërkoi Perëndisë thjesht që t’i plotësonte dëshirën e dëshpëruar për pasardhës. Dëshironte me zjarr jo vetëm të merrte bekimet e Jehovait, por edhe t’i jepte ç’të mundej. Prandaj, u zotua se po të kishte një djalë, do t’ia jepte Jehovait që t’i shërbente atij gjithë jetën.​—1 Sam. 1:9-11.

12. Siç e ilustron edhe shembulli i Hanës, ç’duhet të mbajmë në mendje në lidhje me lutjet?

12 Kështu, Hana la një shembull për të gjithë shërbëtorët e Perëndisë në lidhje me lutjet. Jehovai i fton me dashamirësi pjesëtarët e popullit të tij t’i flasin hapur, pa ngurruar, t’ia zbrazin shqetësimet, ashtu siç do të bënte një fëmijë që ka besim te prindi i dashur. (Lexo Psalmin 62:8; 1 Selanikasve 5:17.) Apostulli Pjetër u frymëzua të shkruante këto fjalë ngushëlluese për lutjet që i bëjmë Jehovait: «Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të, sepse ai interesohet për ju.»​—1 Pjet. 5:7.

13, 14. (a) Pse Eliu nxori përfundim të gabuar për Hanën? (b) Si la një shembull të mrekullueshëm për besimin përgjigjja që Hana i dha Eliut?

13 Megjithatë, njerëzit nuk kuptojnë e nuk tregojnë empati aq sa Jehovai. Teksa qante e lutej, papritur Hana dëgjoi një zë. Ishte zëri i kryepriftit Eli i cili po e vëzhgonte. Ai i tha: «Deri kur do të jesh e dehur? Të daltë vera!» Eliu kishte vënë re buzët që i dridheshin, të qarat me dënesë dhe gjendjen emocionale. Në vend që të pyeste se çfarë e shqetësonte, u nxitua duke nxjerrë përfundimin se ajo ishte e dehur.​—1 Sam. 1:12-14.

14 Sa lënduese ishte kjo akuzë e pabazë për Hanën në atë moment angështie, aq më tepër nga dikush në një pozitë aq të nderuar! Sidoqoftë, ajo përsëri la një shembull të shkëlqyer besimi. Nuk lejoi që papërsosmëritë e dikujt të ndikonin te adhurimi që i bënte Jehovait. Ajo iu përgjigj Eliut me respekt dhe i shpjegoi situatën e saj. Duke e kuptuar që e kishte gabim, ai iu përgjigj ndoshta me zë më të butë: «Shko në paqe dhe Perëndia i Izraelit ta plotësoftë kërkesën që i bëre!»​—1 Sam. 1:15-17.

15, 16. (a) Si u ndje Hana pasi ia hapi zemrën Jehovait dhe e adhuroi në tabernakull? (b) Si mund ta imitojmë shembullin e Hanës kur luftojmë me ndjenja negative?

15 Si ndikoi te Hana fakti që ia hapi zemrën Jehovait dhe e adhuroi në tabernakullin e tij? Tregimi vazhdon: «Pastaj iku në udhën e vet, hëngri dhe fytyra e saj nuk dukej më e merakosur.» (1 Sam. 1:18) Te përkthimi Diodati i Ri ky varg thotë: «Pamja e saj nuk ishte më e trishtuar.» Hana u ndie e lehtësuar. Në njëfarë kuptimi, e kishte hedhur barrën e saj emocionale mbi shpatullat e Atit qiellor, shumë më të gjera e më të fuqishme se të sajat. (Lexo Psalmin 55:22.) A ka ndonjë problem tepër të rëndë për Perëndinë? Jo, as atëherë, as sot, as kurrë!

16 Kur ndihemi tepër të ngarkuar, të pafuqishëm ose të pushtuar nga trishtimi, bëjmë mirë të ndjekim shembullin e Hanës e t’i flasim hapur Atij që Bibla e quan «Dëgjues i lutjes». (Psal. 65:2) Nëse veprojmë kështu me besim, edhe ne mund të shohim se trishtimi zëvendësohet nga «paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim».​—Filip. 4:6, 7.

«Nuk ka shkëmb si Perëndia ynë»

17, 18. (a) Si tregoi Elkanahu se e mbështeste zotimin e Hanës? (b) Çfarë nuk arrinte të bënte më Penina?

17 Të nesërmen në mëngjes, Hana u kthye në tabernakull me Elkanahun. Ka të ngjarë që t’i ketë treguar atij për kërkesën dhe zotimin e saj, sepse Ligji i Moisiut thoshte se burri kishte të drejtë ta anulonte një zotim që gruaja e merrte pa pëlqimin e tij. (Num. 30:10-15) Por, ai burrë besnik nuk e anuloi zotimin e saj. Përkundrazi, ai dhe Hana e adhuruan Jehovain së bashku në tabernakull para se të ktheheshin në shtëpi.

18 Por, kur e kuptoi Penina se nuk mund ta mërziste më Hanën? Tregimi nuk na e thotë, por shprehja «nuk dukej e merakosur» na sugjeron se, që nga ai moment, Hana ishte e qetë shpirtërisht. Sidoqoftë, shpejt Penina e kuptoi se përbuzja e saj nuk kishte më efekt. Bibla nuk e përmend më emrin e saj.

19. Ç’bekim mori Hana dhe si e tregoi që e kuptonte nga vinte ai bekim?

19 Ndërsa muajt kalonin, paqja mendore e Hanës u kthye në lumturi të pamasë. Më në fund mbeti shtatzënë! Për asnjë çast nuk u rrëmbye nga gëzimi sa të harronte nga i kishte ardhur ky bekim. Kur i lindi djali, ia vuri emrin Samuel, që do të thotë «Emër i Perëndisë» dhe me sa duket ka të bëjë me thirrjen e emrit hyjnor, siç kishte bërë edhe Hana. Atë vit, ajo nuk shkoi në Shiloh me Elkanahun dhe familjen. Qëndroi në shtëpi me fëmijën për tre vjet derisa i hoqi gjirin. Pastaj, mblodhi forcat për ditën kur do të nisej me djalin e saj të dashur.

20. Si e plotësuan premtimin që i kishin bërë Jehovait Hana dhe Elkanahu?

20 Ndarja nuk duhet të ketë qenë e lehtë. Sigurisht, ajo e dinte se në Shiloh do të kujdeseshin mirë për Samuelin, ndoshta disa nga gratë që shërbenin në tabernakull. Gjithsesi, ai ishte shumë i vogël dhe cila nënë nuk do të donte të rrinte me fëmijën e vet? Prapëseprapë, Hana dhe Elkanahu nuk e çuan djalin me pahir, por me mirënjohje. Ata ofruan flijime në shtëpinë e Perëndisë dhe ia paraqitën Samuelin Eliut, duke i kujtuar zotimin që Hana kishte marrë tre vjet më parë.

Hana ishte bekim i vërtetë për të birin, Samuelin

21. Si pasqyron besim të fortë lutja që Hana i bëri Jehovait? (Shih edhe kutinë « Dy lutje të jashtëzakonshme».)

21 Pastaj Hana bëri një lutje që Perëndia e pa të udhës ta përfshinte në Fjalën e tij të frymëzuar. Teksa lexon fjalët e saj, të dokumentuara te 1 Samuelit 2:1-10, do të vëresh se çdo rresht dëshmon për besimin e saj të fortë. Ajo e lëvdoi Jehovain për fuqinë që përdori në mënyrë të mrekullueshme, për aftësinë e pashoqe për të ulur fodullët, për të bekuar të shtypurit dhe për t’i dhënë fund një jete a për ta shpëtuar. E lëvdoi Atin edhe për shenjtërinë unike, drejtësinë dhe besnikërinë e tij. Kishte mjaft arsye të thoshte: «Nuk ka shkëmb si Perëndia ynë.» Jehovai është plotësisht i besueshëm, i pandryshueshëm dhe një strehë për të gjithë të shtypurit e të nëpërkëmburit të cilët i drejtohen për ndihmë.

22, 23. (a) Pse mund të jemi të sigurt se Samueli u rrit me dijeninë se prindërit e donin? (b) Si e bekoi më tej Jehovai Hanën?

22 Pa dyshim, Samueli i vogël ishte i privilegjuar me një nënë që kishte kaq shumë besim te Jehovai. Edhe pse me siguri e merrte malli për të ndërsa rritej, ai kurrë nuk u ndie i harruar. Vit pas viti, Hana kthehej në Shiloh që t’i sillte një petk pa mëngë për shërbimin në tabernakull. Çdo qepje e atij petku ishte provë e dashurisë dhe përkujdesjes për djalin e saj. (Lexo 1 Samuelit 2:19.) Mund ta imagjinojmë atë duke ia veshur djalit petkun e ri, duke ia rregulluar dhe duke e parë me ëndje ndërsa i thoshte fjalë të dashura e inkurajuese. Samueli ishte i bekuar me një nënë të tillë dhe, kur u rrit, ai ishte bekim për prindërit e për tërë Izraelin.

23 As Hana nuk u la në harresë. Jehovai e bekoi duke i hequr shterpësinë dhe ajo i lindi Elkanahut pesë fëmijë të tjerë. (1 Sam. 2:21) Megjithatë, bekimi më i madh për të ndoshta ishte lidhja me Atin e saj, Jehovain, lidhje që u bë gjithnjë e më e fortë me kalimin e viteve. Urojmë të njëjtën gjë edhe për ty teksa imiton besimin e Hanës.

^ par. 7 Edhe pse tregimi biblik thotë se Jehovai ‘ia kishte mbyllur barkun Hanës’, nuk ka asnjë dëshmi që Perëndia të ishte i pakënaqur me këtë grua të përulur e besnike. (1 Sam. 1:5) Nganjëherë, Bibla i atribuon Perëndisë ngjarje që ai thjesht i ka lejuar të ndodhin për njëfarë kohe.

^ par. 9 Kjo distancë është llogaritur duke pasur parasysh se qyteti i Elkanahut, Ramahu, mund të ketë qenë Arimatea e ditëve të Jezuit.