Kalo te përmbajtja

Pse Jezui quhet Biri i Perëndisë?

Pse Jezui quhet Biri i Perëndisë?

Përgjigjja e Biblës

 Në Bibël shpesh Jezui quhet «Biri i Perëndisë». (Gjoni 1:49) Shprehja «Biri i Perëndisë» tregon se Perëndia është Krijuesi ose Burimi i jetës, edhe i jetës së Jezuit. (Psalmi 36:9; Zbulesa 4:11) Bibla nuk mëson se Perëndia u bë Atë në kuptimin e mirëfilltë, njësoj siç riprodhohen njerëzit.

 Në Bibël edhe engjëjt quhen «bijtë e Perëndisë së vërtetë». (Jobi 1:6) Dhe, për njeriun e parë, Adamin, në të thuhet se ishte «bir i Perëndisë». (Luka 3:38) Sidoqoftë, Jezui është ai që përshkruhet si Biri më i rëndësishëm i Perëndisë, meqë është krijimi i parë dhe i vetmi i krijuar drejtpërdrejt nga Perëndia.

 A jetoi në qiell Jezui para se të lindte në tokë?

 Po. Jezui, para se të lindte në tokë si njeri, ishte krijesë qiellore. Ai vetë e tha: «Zbrita nga qielli.»—Gjoni 6:38; 8:23.

 Perëndia e krijoi Jezuin para se të krijonte çdo gjë tjetër. Për Jezuin, Bibla thotë:

  •   «Ai është . . . i parëlinduri i gjithë krijimit.»—Kolosianëve 1:15.

  •   Ai është «fillimi i krijimit të Perëndisë».—Zbulesa 3:14.

 Një profeci në Bibël tregon se, në tokë, do të vinte dikush, ‘prejardhja e të cilit do të ishte që nga kohët e hershme, që nga ditët e kohëve të pacaktuara’. Kjo profeci u përmbush nga Jezui kur ai erdhi në tokë.—Mikea 5:2; Mateu 2:4-6.

 Çfarë detyre kishte Jezui para se të vinte në tokë?

 Kishte një post të rëndësishëm në qiell. Jezui iu referua këtij posti, kur u lut: «O Atë, jepmë lavdi, që . . . të kem atë lavdi që kisha pranë teje para se të ishte bota.»—Gjoni 17:5.

 Ndihmoi Atin e tij që të krijonte gjithçka tjetër. Jezui punoi përkrah Perëndisë «si një kryemjeshtër». (Proverbat 8:30) Për të, Bibla thotë: «Me anë të tij u krijua gjithçka tjetër në qiej dhe në tokë.»—Kolosianëve 1:16.

 Perëndia, nëpërmjet Jezuit, krijoi çdo gjë. Kjo nënkuptonte krijimin e të gjitha krijesave qiellore dhe universin. (Zbulesa 5:11) Në njëfarë mase, bashkëpunimi i Perëndisë me Jezuin ishte si bashkëpunimi i arkitektit me ndërtuesin. Arkitekti bën projektin, ndërtuesi e zbaton.

 Shërbeu si Fjala. Kur Bibla flet për jetën paranjerëzore të Jezuit, i referohet atij si «Fjala». (Gjoni 1:1) Me sa duket, kjo do të thotë se Perëndia u ka përcjellë informacione dhe udhëzime krijesave të tjera qiellore me anë të Jezuit.

 Duket se Jezui ka shërbyer si Zëdhënës i Perëndisë edhe për t’u dhënë informacione njerëzve. Ka shumë të ngjarë që, kur Perëndia u jepte udhëzime Adamit dhe Evës në kopshtin e Edenit, të ketë folur nëpërmjet Jezuit ose Fjalës. (Zanafilla 2:16, 17) Ka mundësi që engjëlli që i udhëhoqi izraelitët e lashtë në shkretëtirë dhe zërit të të cilit duhej t’u bindeshin pikë për pikë, të ishte Jezui.—Eksodi 23:20-23. a

a Fjala nuk është i vetmi engjëll me anë të cilit foli Perëndia. Për shembull, kur u dha izraelitëve të lashtë Ligjin, përdori bij të tjerë engjëllorë, dhe jo Birin e Parëlindur.—Veprat 7:53; Galatasve 3:19; Hebrenjve 2:2, 3.