Kalo te përmbajtja

Çfarë thotë Bibla për tatuazhet?

Çfarë thotë Bibla për tatuazhet?

Përgjigjja e Biblës

 Bibla i përmend tatuazhet vetëm një herë, te Levitiku 19:28, i cili thotë: «Mos bëni . . . tatuazhe.» Perëndia i dha këtë urdhër kombit të Izraelit. Ky urdhër i ndante veç nga popujt fqinjë të cilët bënin tatuazh në lëkurë emrat ose simbolet e perëndive të tyre. (Ligji i përtërirë 14:2) Ndonëse Ligji që iu dha Izraelit nuk është i detyrueshëm për të krishterët, parimi që nxjerr në pah ky ligj vlen të shqyrtohet me seriozitet.

A duhet të bëjë një i krishterë tatuazh?

 Vargjet biblike më poshtë mund të të ndihmojnë të arsyetosh për këtë çështje:

  •   «Gratë të stolisen . . . me modesti.» (1 Timoteut 2:9) Ky parim zbatohet si për gratë, edhe për burrat. Duhet të tregojmë respekt për ndjenjat e të tjerëve dhe të mos tërheqim vëmendjen te vetja në mënyrë të papërshtatshme.

  •   Disa bëjnë një tatuazh sepse duan të kenë identitetin ose pavarësinë e tyre, kurse të tjerë për të treguar se kanë të drejtë të bëjnë ç’të duan me trupin e tyre. Sido që të jetë, Bibla i nxit të krishterët: «T’i paraqitni trupat tuaj si një flijim të gjallë, të shenjtë e të pranueshëm për Perëndinë, që të bëni një shërbim të shenjtë me fuqinë tuaj për të arsyetuar.» (Romakëve 12:1) Përdor ‘fuqinë tënde për të arsyetuar’ dhe analizo pse dëshiron të bësh një tatuazh. Nëse e do për të ndjekur modën ose për të treguar se i përket një grupi të caktuar, atëherë mos harro se më vonë ti mund të ndryshosh mendje, por tatuazhi ngelet përgjithmonë. Kur shqyrton motivet e tua, kjo të ndihmon të marrësh një vendim të mençur.—Proverbat 4:7.

  •   «Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri përfitim, por kush është i nxituar, me siguri shkon drejt skamjes.» (Proverbat 21:5) Vendimi për të bërë një tatuazh shpesh merret me nxitim, megjithatë ka ndikim afatgjatë në marrëdhëniet me të tjerët dhe në punë. Për më tepër, heqja e tatuazheve mund të jetë e kushtueshme dhe e dhembshme. Studimet—si edhe biznesi gjithnjë e në rritje i heqjes së tatuazhit—tregojnë se një numër i konsiderueshëm i atyre që bëjnë tatuazh do të donin të mos e kishin bërë.