Kalo te përmbajtja

Çfarë thotë Bibla për makijazhin dhe bizhuteritë?

Çfarë thotë Bibla për makijazhin dhe bizhuteritë?

Përgjigjja e Biblës

 Edhe pse Bibla nuk flet me hollësi për këtë temë, ajo nuk dënon bërjen e makijazhit, vendosjen e bizhuterive apo lloje të tjera stolisjeje. Megjithatë, në vend që të përqendrohet te paraqitja fizike, Bibla nxit «veshjen e paprishshme të frymës së qetë e të butë».​—1 Pjetrit 3:​3, 4.

Nuk është e gabuar të mbash veten

  •   Bibla përmend gra besnike që stoliseshin. Rebeka, që u martua me Isakun, djalin e Abrahamit, mori si dhuratë nga vjehrri i ardhshëm një unazë hunde të artë, byzylykë prej ari dhe të tjera bizhuteri të shtrenjta. (Zanafilla 24:22, 30, 53) Po njësoj, Estera pranoi ‘trajtime’ bukurie për t’u përgatitur për pozitën e mundshme si mbretëreshë e Perandorisë Perse. (Estera 2:​7, 9, 12) Me sa duket, këto trajtime përfshinin përdorimin e «kozmetikës», ose «të llojeve të ndryshme të makijazhit».​—New International Version; Easy-to-Read Version.

  •   Krahasimet e Biblës ku përmenden bizhuteritë, kanë ngjyrim pozitiv. Për shembull, një person që jep këshilla të mira, përshkruhet si «një vath i artë . . . për veshin që e dëgjon». (Proverbat 25:12) Edhe vetë Perëndia krahasoi mënyrën si e trajtoi kombin e Izraelit me stolisjen e një nuseje nga bashkëshorti, me byzylykë, varëse dhe vathë. Kjo stolisje e bëri kombin ‘shumë, shumë të bukur’.​—Ezekieli 16:11-​13.

Ide të gabuara për makijazhin dhe bizhuteritë

 Ide e gabuar: Te 1 Pjetrit 3:3, Bibla e dënon ‘gërshetimin e flokëve dhe vënien e stolive prej ari’.

 Fakt: Sipas kontekstit, këtu Bibla po thekson se bukuria e brendshme ka më shumë vlerë se bukuria fizike ose stolisja. (1 Pjetrit 3:​3-6) Një kontrast të tillë e shohim edhe në vargje të tjera biblike.​—1 Samuelit 16:7; Proverbat 11:22; 31:30; 1 Timoteut 2:​9, 10.

 Ide e gabuar: Fakti që mbretëresha e ligë Jezebelë ‘kishte lyer sytë’, provon se makijazhi është i gabuar.​—2 Mbretërve 9:​30.

 Fakt: Jezebela, e cila u mor me magji dhe vrau njerëz, nuk u gjykua për pamjen, por për veprat e liga.​—2 Mbretërve 9:​7, 22, 36, 37.