Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta luftosh lodhjen nga pandemia

Si ta luftosh lodhjen nga pandemia

 A po fillon të ndihesh i sfilitur ngaqë po jeton përditë me rrezikun e COVID-19? Nëse po, nuk je vetëm. Prej muajsh, njerëzve anembanë botës u është dashur të mësohen që të bashkëjetojnë me këtë pandemi. Dr. Hans Kluge, Drejtori i Zyrës Rajonale të OBSH-së për Evropën, thotë se mjaft veta «kanë bërë goxha sakrifica që të ndalojnë përhapjen e COVID-19». Ai vazhdon: «Në rrethana të tilla është e lehtë dhe normale që të ndihen të shkurajuar, indiferentë e të jenë të sfilitur.»

 Nëse edhe ti po përballesh me sfilitjen nga pandemia, që ndryshe quhet lodhje pandemike, mos u shkurajo. Bibla po ndihmon shumë njerëz të përballojnë vështirësitë që ka sjellë kjo situatë stresuese dhe mund të të ndihmojë edhe ty.

 Çfarë është lodhja nga pandemia?

 Lodhja nga pandemia nuk është sëmundje. Ky term përshkruan reagimin e natyrshëm të njerëzve që u ka ndryshuar jeta kryekëput dhe ndihen të pasigurt për të ardhmen, për shkak të pandemisë që po zgjat. Edhe pse çdo person reagon ndryshe, disa shenja të lodhjes nga pandemia janë këto:

  •   Mungesë motivimi

  •   Ndryshim në zakonet e të ngrënit dhe të gjumit

  •   Nervozizëm

  •   Stres për punët që normalisht do të bëheshin pa problem

  •   Vështirësi në përqendrim

  •   Mungesë optimizmi dhe shprese

 Pse është e rrezikshme?

 Lodhja nga pandemia është një kërcënim i madh për sigurinë tonë dhe të të tjerëve. Nëse nuk e luftojmë, gradualisht mund ta humbasim dëshirën për të respektuar masat parandaluese kundër COVID. Me kalimin e kohës mund ta nënvlerësojmë virusin, edhe pse ai vazhdon të përhapet e të marrë jetë njerëzish. Të lodhur nga kufizimet mund të kërkojmë më tepër liri. Kjo na vë në rrezik edhe ne, edhe të tjerët.

 Gjatë këtyre kohëve stresuese, shumë po kuptojnë sa e vërtetë është ajo që thotë Bibla: «Po të shkurajohesh në ditë të keqe, fuqia jote do të jetë e paktë.» (Proverbat 24:10) Bibla ka parime që na ndihmojnë t’ia dalim mbanë në situata të vështira si kjo pandemi.

 Cilat parime nga Bibla të ndihmojnë të luftosh lodhjen nga pandemia?

  •   Ruaj distancimin fizik, por jo atë social

     Çfarë thotë Bibla: «Miku i vërtetë . . . të bëhet vëlla në ditë të vështira.»—Proverbat 17:17.

     Pse ka rëndësi: Miqtë e vërtetë të japin forcë. (1 Selanikasve 5:11) Në kontrast me këtë, kur veçohesh për një kohë të gjatë, vë në rrezik shëndetin.—Proverbat 18:1.

     Sugjerim: Mbaj lidhjet me miqtë nëpërmjet videokonferencave, telefonatave, mesazheve dhe email-eve. Fol me ta kur kalon një ditë të keqe. Gjithashtu kontakto me ta herë pas here për t’i pyetur si po ia kalojnë. Diskutoni për sugjerime që po ju ndihmojnë gjatë pandemisë. Kërko mënyra të reja që të bësh diçka të mirë për një shok. Kështu të dy do të ndiheni të lumtur.

  •   Bëj më të mirën në këto rrethana

     Çfarë thotë Bibla: «[Shfrytëzoje] sa më mirë kohën.»—Efesianëve 5:16.

     Pse ka rëndësi: Kur e përdor me mençuri kohën, je më pozitiv dhe nuk të mbyt ankthi.—Luka 12:25.

     Sugjerim: Në vend që të përqendrohesh te gjërat që s’mund të bësh më, kërko mënyra të reja për të shfrytëzuar situatën e momentit. Për shembull, tani që ke më shumë kohë, a mund të merresh me ndonjë projekt ose hobi që të pëlqen? A mund të kalosh më tepër kohë me familjen?

  •   Mbaj një program

     Çfarë thotë Bibla: «Çdo gjë le të bëhet me rregull.»—1 Korintasve 14:40.

     Pse ka rëndësi: Mjaft njerëz janë më stabël dhe më të lumtur kur kanë një program të përditshëm.

     Sugjerim: Bëj një program sipas rrethanave të tanishme. Lër kohë për detyrat e shtëpisë, punët e shtëpisë, punën shekullare dhe për aktivitetet që të forcojnë miqësinë me Perëndinë. Përfshi edhe aktivitete të shëndetshme, si të rrish me familjen, të kalosh kohë në natyrë dhe të bësh ushtrime. Herë pas here rishikoje programin dhe, nëse është e nevojshme, rregulloje.

  •   Përshtatu sipas stinëve

     Çfarë thotë Bibla: «Mendjemprehti e dallon rrezikun dhe fshihet.»—Proverbat 22:3.

     Pse ka rëndësi: Në varësi të vendit ku jeton, për shkak të ndryshimit të stinëve mund të kesh më pak raste që të shijosh ajrin e pastër dhe rrezet që të bëjnë mirë për shëndetin fizik dhe mendor.

     Sugjerim: Nëse po afrohet dimri, përpiqu ta rregullosh dhomën e ndenjjes dhe ambientin ku punon në mënyrë që t’i shfrytëzosh sa më mirë rrezet e diellit. Planifiko aktivitete në natyrë që mund t’i bësh edhe në mot të ftohtë. Gjithashtu, nëse ke mundësi, bli rroba të trasha për këtë periudhë që të kalosh me tepër kohë jashtë.

     Nëse po vjen vera, bëj kujdes sepse njerëzit kalojnë më tepër kohë në natyrë. Planifiko ku do të shkosh dhe zgjidh orare kur nuk ka shumë njerëz.

  •   Vazhdo të respektosh masat kundër COVID

     Çfarë thotë Bibla: «I pamendi është kokëkrisur dhe i beson tepër vetes.»—Proverbat 14:16.

     Pse ka rëndësi: COVID-19 është vdekjeprurës dhe, nëse nuk bëjmë kujdes, rrezikojmë të infektohemi.

     Sugjerim: Informohu rregullisht nga burime të besueshme për udhëzime të reja dhe shqyrto veten nëse je akoma i kujdesshëm. Mendo se si do të ndikojnë veprimet e tua te ti, te familja jote dhe te të tjerët.

  •   Lidh miqësi me Perëndinë

     Çfarë thotë Bibla: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.»—Jakovi 4:8.

     Pse ka rëndësi: Perëndia mund të të ndihmojë të përballosh çdo vështirësi.—Isaia 41:13.

     Sugjerim: Lexo çdo ditë Biblën, Fjalën e Perëndisë. Ky program për leximin e Biblës mund të të ndihmojë.

 Dëshmitarët e Jehovait mund të të shpjegojnë si po i organizojnë mbledhjet e tyre gjatë pandemisë COVID-19 ku mund të marrësh pjesë edhe ti. Për shembull, ata po përdorin videokonferencën për mbledhjet, Përkujtimin e përvitshëm të vdekjes së Jezuit dhe kongresin.

 Shkrime nga Bibla që të ndihmojnë të përballosh lodhjen nga pandemia

 Isaia 30:15: «Fuqia juaj qëndron në qetësinë dhe në besimin tuaj.»

 Kuptimi: Kur u vë veshin këshillave të Perëndisë, mund të ruash qetësinë në ditë të vështira.

 Proverbat 15:15: «Të këqija janë të gjitha ditët e të munduarit, por kush ka zemër të gëzuar, ka festë përherë.»

 Kuptimi: Kur përqendrohesh te gjërat pozitive, mund të jesh i lumtur edhe në kohë të vështira.

 Proverbat 14:15: «Naivët i besojnë çdo fjale, por mendjemprehtët matin çdo hap që hedhin.»

 Kuptimi: Vazhdo të respektosh masat për shëndetin dhe mos nxirr shpejt përfundimin se kufizime të tilla janë të panevojshme.

 Isaia 33:24: «Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»

 Kuptimi: Perëndia premton që do t’i japë fund çdo lloj sëmundjeje.