Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SI TË GJESH LEHTËSIM NGA STRESI

Si ta përballosh stresin?

Si ta përballosh stresin?

Që ta përballosh sa më mirë stresin, duhet t’i kushtosh vëmendje shëndetit, marrëdhënieve me të tjerët dhe synimeve e përparësive të tua në jetë—pra gjërave që janë vërtet të rëndësishme për ty. Ky artikull trajton disa parime praktike që mund të të ndihmojnë ta përballosh më mirë stresin, e madje edhe ta pakësosh.

Përpiqu t’i marrësh ditët një e nga një

«Mos jini kurrë në ankth për të nesërmen, sepse e nesërmja do të ketë ankthet e veta.»—MATEU 6:34.

Ç’do të thotë kjo: Ankthet janë pjesë e jetës, por mos i shumo ankthet e sotme duke u shtuar ato të së nesërmes. Përpiqu t’i marrësh ditët një e nga një.

  • Stresi mund të shkaktojë ankth. Prandaj provo këtë: së pari, ji realist. Njëfarë stresi është i pashmangshëm. Të vrasësh mendjen për gjëra që nuk i ndalon dot, të shton stresin. Së dyti, ki parasysh se shpesh gjërat nuk shkojnë aq keq sa kemi përfytyruar ne.

Vër standarde të arsyeshme

«Mençuria nga lart është . . . e arsyeshme.»—JAKOVI 3:17.

Ç’do të thotë kjo: Mos ji perfeksionist. Mos vër standarde tepër të larta për veten a të tjerët.

  • Ji modest, vër standarde të arsyeshme dhe prano kufijtë e tu dhe të të tjerëve. Kështu do të pakësosh stresin për veten dhe të tjerët, e madje do t’u hapësh rrugën rezultateve më të mira. Gjithashtu, mbaj një ndjenjë humori. Kur qesh—madje edhe nëse gjërat shkojnë ters—çliron tensionin dhe ngre humorin.

Kupto çfarë të streson ty

«Kush ka aftësi dalluese, nuk e humb qetësinë.»—PROVERBAT 17:27.

Ç’do të thotë kjo: Ndjenjat negative të errësojnë mendimet, prandaj mundohu të ruash gjakftohtësinë.

  • Dallo çfarë të streson dhe kushtoji vëmendje reagimit tënd. Për shembull, kur ndihesh i stresuar, analizo mendimet, ndjenjat dhe sjelljen tënde, e mbase mund t’i shkruash diku. Sa më shumë të kuptosh si reagon ti ndaj stresit, aq më mirë do ta përballosh. Veç kësaj, mendo edhe si mund t’i mënjanosh gjërat që të stresojnë. Nëse kjo s’është realiste, shiko si të pakësosh ndikimin e tyre, ndoshta duke gjetur një mënyrë më të mirë për të bërë një punë ose për të organizuar kohën.

  • Përpiqu t’i shohësh gjërat nga një këndvështrim tjetër. Ajo që të streson ty mund të mos e stresojë dikë tjetër. Nga varet kjo? Nga këndvështrimi. Shiko këto tri sugjerime:

    1. Mos nxirr shpejt përfundimin se të tjerët kanë motive të këqija. Dikush mund të futet në radhë para teje. Nëse mendon se ka vepruar kështu ngaqë është i paedukatë, do të acarohesh. Por pse të mos mendosh se kishte një arsye të vlefshme? Mund të jetë ashtu.

    2. Shih anën pozitive të një situate. Është më kollaj të presim me durim në një klinikë ose në një aeroport nëse e shfrytëzojmë kohën duke lexuar diçka, duke bërë ndonjë punë ose duke parë email-et.

    3. Mendo më gjerë. Pyet veten: «A do të ketë rëndësi ky problem nesër ose javën tjetër?» Mëso të bësh dallimin mes çështjeve të vogla ose afatshkurtra dhe atyre që kanë vërtet vlerë.

Bëj çmos të kesh një jetë të organizuar

«Çdo gjë le të bëhet në mënyrë dinjitoze dhe me rregull.»—1 KORINTASVE 14:40.

Ç’do të thotë kjo: Përpiqu të ruash rregullsinë në jetën tënde.

  • Na pëlqen njëfarë rregullsie në jetë. Një gjë që cenon stabilitetin, e për pasojë shton stresin, është zvarritja. Kjo mund ta shtojë dita-ditës listën e punëve të papërfunduara. Pse të mos provosh këto dy sugjerime:

    1. Bëj një program praktik dhe përmbaju.

    2. Dallo dhe ndreq çfarëdo qëndrimi që të bën t’i shtysh gjërat për më vonë.

Bëj një jetë të ekuilibruar

«Është më mirë të kesh një grusht me pushim, sesa dy grushte me mund dhe të rropatesh pas erës.»—EKLISIASTIU 4:6.

Ç’do të thotë kjo: Ata që janë skllevër të punës, ia mohojnë vetes dobitë që sjellin ‘dy grushtet me mund’. Nuk u mbetet më kohë a energji për ta shijuar frytin e punës së tyre.

  • Mbaj një pikëpamje realiste për punën dhe paratë. Më shumë para nuk do të thotë më shumë lumturi ose më pak stres. Në fakt, mund të jetë e kundërta. «Bollëku nuk e lë të pasurin të vërë gjumë në sy»,—thotë Eklisiastiu 5:12. Ndaj, shtriji këmbët sa e ke jorganin.

  • Lër kohë që t’ia bësh qejfin vetes. Çliron stres kur merresh me gjërat që të pëlqejnë. Ama, zbavitja pasive, siç është shikimi i televizorit, mund të mos bëjë punë.

  • Përdore me ekuilibër teknologjinë. Mos i kontrollo pa pushim email-et, mesazhet ose rrjetet sociale. Nëse nuk është e domosdoshme, mos i lexo jashtë orarit të punës email-et që lidhen me të.

Kujdesu për shëndetin

«Stërvitja e trupit është e dobishme.»—1 TIMOTEUT 4:8.

Ç’do të thotë kjo: Fizkultura e rregullt të bën mirë për shëndetin.

  • Zhvillo zakone të shëndetshme. Aktiviteti fizik ngre humorin dhe ndihmon trupin të reagojë më mirë ndaj stresit. Ha ushqime të shëndetshme dhe përpiqu të mos lësh asnjë vakt pa ngrënë. Sigurohu të pushosh mjaftueshëm.

  • Shmang «zgjidhjet» e dëmshme kundër stresit, si duhanin, drogën dhe abuzimin me alkoolin. Realiteti është se këto vese ta shtojnë stresin, mbase duke të shkatërruar shëndetin dhe duke të shteruar të ardhurat që mezi i ke fituar.

  • Konsultohu me mjekun nëse stresi bëhet i papërballueshëm. Po të marrësh ndihmë profesionale, s’do të thotë se je dështak.

Vendos përparësitë

‘Sigurohu për gjërat më të rëndësishme.’—FILIPIANËVE 1:10.

Ç’do të thotë kjo: Analizoji me kujdes përparësitë e tua.

  • Rendit sipas rëndësisë gjërat që ke për të bërë. Kjo do të të ndihmojë të përqendrohesh te punët më të rëndësishme, do të të tregojë ato që mund t’i shtysh për më vonë a që mund t’i delegosh ose edhe të mos i bësh fare.

  • Mbaj shënim për një javë si e përdor kohën. Pastaj mendo si mund ta shfrytëzosh më mirë. Sa më shumë t’i kesh gjërat nën kontroll, aq më pak presion do të ndjesh.

  • Programo kohë për t’u çlodhur. Edhe pushimet e shkurtra mund të të përtërijnë dhe të ta pakësojnë stresin.

Gjej mbështetje te të tjerët

«Ankthi ia rëndon zemrën njeriut, kurse një fjalë e mirë ia ngre zemrën peshë.»—PROVERBAT 12:25.

Ç’do të thotë kjo: Fjalët e mira plot dhembshuri të të tjerëve mund të të ngrenë zemrën peshë.

  • Fol me dikë që të kupton. Një mik i besuar mund të të ndihmojë t’i shohësh gjërat ndryshe a madje të gjesh një zgjidhje që s’të kishte shkuar në mendje. Mund të lehtësohesh edhe thjesht duke zbrazur zemrën.

  • Kërko ndihmë. A mund ta delegosh një punë ose ta realizosh bashkë me të tjerë?

  • Nëse një koleg të streson, kërko mënyra si ta përmirësosh situatën. Për shembull, a mund t’i shpjegosh me lezet e me takt si të bën të ndihesh ai ose ajo? (Proverbat 17:27) Nëse kjo nuk funksionon, a mund ta pakësosh kohën që kalon me të?

Mos e lër pas dore marrëdhënien me Perëndinë

«Lum ata që e kuptojnë se kanë nevojë për Perëndinë.»—MATEU 5:3.

Ç’do të thotë kjo: Si njerëz nuk kemi nevojë vetëm për ushqim, veshje e strehim, por edhe që të lidhemi ngushtë me Perëndinë. Që të jemi të lumtur, duhet ta kuptojmë se e kemi këtë nevojë dhe ta plotësojmë.

  • Lutja mund të ndihmojë shumë. Zoti të fton ‘të hedhësh gjithë ankthin tënd mbi të, sepse ai merakoset për ty’. (1 Pjetrit 5:7) Kur lutemi dhe mendojmë për gjëra pozitive, mund të gëzojmë paqe të brendshme.—Filipianëve 4:6, 7.

  • Lexo materiale që ta forcojnë lidhjen me Zotin. Parimet që u trajtuan në këtë revistë bazohen në Bibël, e cila u shkrua për të na ndihmuar që të lidhemi më shumë me Zotin. Ajo na ndihmon edhe të zhvillojmë «mençurinë praktike dhe aftësinë për të menduar mirë». (Proverbat 3:21) Pse të mos synosh të lexosh Biblën? Mund ta fillosh nga libri i Proverbave.