Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë na tregon Bibla?

Çfarë na tregon Bibla?

«Kjo është historia e qiejve dhe e tokës, në kohën kur u krijuan.» (Zanafilla 2:4) Kështu e përmbledh Bibla mënyrën si erdhi në ekzistencë planeti ynë. A përputhet me faktet shkencore ajo që thotë Bibla? Analizo disa shembuj.

Në fillim: Krijohen qiejt dhe toka

A ka ekzistuar gjithnjë universi?

Zanafilla 1:1 thotë: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.»

Deri nga gjysma e dytë e shekullit të 20-të, shumë shkencëtarë të njohur besonin se universi ka ekzistuar gjithnjë. Por, sipas zbulimeve më të fundit, shumica e shkencëtarëve e pranojnë se në fakt universi ka pasur një fillim.

Si dukej toka në fillim?

Zanafilla 1:2, 9 e përshkruan tokën në fillimet e saj si ‘pa formë dhe të shkretë’, të mbuluar me ujë.

Këtë përshkrim e mbështet edhe shkenca bashkëkohore. Biologu Patrik Shih thotë se në fillim atmosfera e planetit tonë «nuk kishte aspak oksigjen . . . dhe pamja e përgjithshme dukej si në një film fantastiko-shkencor». Revista Astronomy thotë: «Studimet e fundit lënë të kuptohet se Toka në fillesat e saj ishte e mbuluar me ujë, me pak ose aspak tokë të thatë.»

Si ndryshoi me kalimin e kohës atmosfera?

Zanafilla 1:3-5 tregon se, kur drita nisi të depërtonte atmosferën, burimi i saj nuk dukej nga sipërfaqja e tokës. Vetëm më vonë dielli dhe hëna do të shiheshin qartë nga toka.—Zanafilla 1:14-18.

Bibla nuk thotë se gjithë jeta në tokë u krijua në gjashtë ditë 24-orëshe

Qendra Kërkimore Smithsoniën e Mjedisit thotë se në fillim atmosfera lejonte që vetëm një dritë e mjegullt të arrinte tokën. Ajo pohon: «Mjegulla e dendur e metanit mbështillte gjithë planetin e ri Tokë.» Më vonë «mjegulla e metanit u davarit dhe qielli dukej blu».

Sipas cilës radhë u shfaq jeta në tokë?

Zanafilla 1:20-27 tregon se në fillim u krijuan peshqit, pastaj zogjtë, kafshët e tokës dhe në fund njerëzit. Shkencëtarët besojnë se peshqit e parë u shfaqën shumë kohë përpara gjitarëve të parë dhe se njerëzit erdhën në ekzistencë mjaft kohë më vonë.

Bibla nuk thotë se gjallesat s’mund të pësojnë ndryshime me kalimin e kohës

Çfarë nuk thotë Bibla?

Disa thonë se Bibla nuk përputhet me zbulimet e sotme shkencore. Megjithatë, pohime të tilla shpesh bazohen në keqkuptime rreth asaj që thotë vërtet Bibla.

Bibla nuk thotë se universi ose toka është vetëm 6.000-vjeçare. Ajo thotë vetëm që «në fillim» u krijuan toka dhe universi. (Zanafilla 1:1) Bibla nuk e specifikon sa kohë më parë ndodhi kjo.

Bibla nuk thotë se gjithë jeta në tokë u krijua në gjashtë ditë 24-orëshe. Ajo e përdor fjalën «ditë» për t’iu referuar periudhave kohore. Për shembull, në të citohet se krijimi i planetit tonë dhe i jetës në të gjatë 6 «ditëve» të krijimit që përmenden te kapitulli 1 i Zanafillës, ndodhi në një periudhë kohore të quajtur ‘dita që Perëndia Jehova * bëri tokën dhe qiellin’. (Zanafilla 2:4) Prandaj, secila nga 6 «ditët» e krijimit, gjatë të cilave Perëndia përgatiti tokën për jetën dhe krijoi jetën në të, mund të nënkuptojnë periudha kohore jashtëzakonisht të gjata.

Bibla nuk thotë se gjallesat s’mund të pësojnë ndryshime me kalimin e kohës. Libri i Zanafillës thotë se kafshët u krijuan «sipas llojeve të tyre». (Zanafilla 1:24, 25) Kur Bibla përdor fjalën «lloj», i referohet një ndarjeje të gjerë të formave të jetës. Kështu fjala «lloj», siç përdoret në Bibël, mund të përfshijë shumë specie ose varietete. Përdorimi i kësaj fjale, lë hapësirë që, me kalimin e kohës, brenda «llojit» të ndodhin ndryshime në varietete dhe në nënllojet e së njëjtës popullatë.

Si mendon?

Siç u tha më sipër, Bibla përshkruan në terma të thjeshtë e të saktë zanafillën e universit, gjendjen fillestare të tokës dhe zhvillimin e jetës. A ka mundësi, atëherë, që ta ketë identifikuar saktë edhe Atë që i krijoi këto gjëra? Encyclopædia Britannica thotë se hipoteza që origjina e jetës të jetë rezultat i një eventi të mbinatyrshëm, «përkon në vija të përgjithshme me njohurinë e shkencës bashkëkohore». *

^ par. 17 Jehova është emri i Perëndisë siç tregohet në Bibël.

^ par. 20 Encyclopædia Britannica nuk propagandon idenë se jeta u krijua.