Kalo te përmbajtja

A pajtohet shkenca me Biblën?

A pajtohet shkenca me Biblën?

Përgjigjja e Biblës

 Po, ndonëse Bibla nuk është libër shkencor, është e saktë kur përmend çështjet e shkencës. Shih disa shembuj që tregojnë se shkenca dhe Bibla pajtohen dhe se Bibla ka fakte shkencore që ndryshojnë goxha nga bindjet e shumë popujve që jetuan në kohën kur ajo u shkrua.

  •   Universi pati një fillim. (Zanafilla 1:1) Kurse shumë legjenda të lashta thonë se universi nuk u krijua, por u organizua nga kaosi ekzistues. Babilonasit besonin se perënditë që bënë universin vinin nga dy oqeane. Legjenda të tjera thonë se universi erdhi nga një vezë gjigante.

  •   Universi drejtohet dita-ditës nga ligjet racionale të natyrës e jo nga tekat e hyjnive. (Jobi 38:33; Jeremia 33:25) Sipas legjendave nëpër botë, njerëzit janë të pafuqishëm përpara veprimeve të paparashikuara e me raste të pamëshirshme të perëndive.

  •   Toka rri pezull në zbrazëti. (Jobi 26:7) Shumë popuj të lashtësisë besonin se bota ishte disk i sheshtë mbi një gjigant ose një kafshë, si për shembull, një buall ose breshkë.

  •   Lumenjtë dhe burimet i ushqejnë ujërat që kanë avulluar nga oqeanet dhe burime të tjera, që më pas kanë rënë në tokë në formën e shiut, borës ose të breshrit. (Jobi 36:27, 28; Eklisiastiu 1:7; Isaia 55:10; Amosi 9:6) Grekët e lashtë mendonin se lumenjtë ushqeheshin nga ujërat e nëndheshme të oqeanit, ide që vazhdoi deri në shekullin e 18-të.

  •   Malet ulen e ngrihen, dhe malet e sotme dikur ishin nën oqean. (Psalmi 104:6, 8) Kurse disa legjenda thonë se malet u krijuan në formën e tyre aktuale nga zotat.

  •   Zakonet e higjienës mbrojnë shëndetin. Në Ligjin që iu dha kombit të Izraelit përfshiheshin rregulla për larjen pasi prekej një kufomë, për vendosjen në karantinë të njerëzve me sëmundje ngjitëse dhe për groposjen e jashtëqitjeve të njeriut. (Levitiku 11:28; 13:1-5; Ligji i përtërirë 23:13) Kurse një nga mjekimet egjiptiane që përdorej në kohën kur u dhanë këto urdhërime, kërkonte që mbi plagë të vendosej një përzierje me jashtëqitje njeriu.

A ka gabime shkencore në Bibël?

 Një shqyrtim i arsyeshëm i Biblës thotë se përgjigjja është jo. Ja disa koncepte të gabuara e të përhapura për saktësinë shkencore të Biblës:

 Koncept i gabuar: Bibla thotë se universi u krijua në gjashtë ditë 24-orëshe.

 Fakt: Sipas Biblës, Perëndia e krijoi universin në një kohë të papërcaktuar në të kaluarën. (Zanafilla 1:1) Gjithashtu, ditët e krijimit të përshkruara në kapitullin 1 të Zanafillës ishin epoka me kohëzgjatje të papërcaktuar. Në fakt, e gjithë periudha kur u bënë toka dhe qielli quhet po ashtu një ‘ditë’.​—Zanafilla 2:4.

 Koncept i gabuar: Bibla thotë se bimësia u krijua përpara se të ekzistonte dielli i cili ndihmon fotosintezën.​—Zanafilla 1:11, 16.

 Fakt: Bibla tregon se dielli, një prej yjeve që përbën «qiejt», u krijua përpara bimësisë. (Zanafilla 1:1) Drita e mjegullt e diellit arrinte sipërfaqen e tokës gjatë ‘ditës’ ose epokës së parë të krijimit. Ndërsa atmosfera kthjellohej, «ditën» e tretë të krijimit, drita ishte mjaftueshëm e fortë që të ndodhte fotosinteza. (Zanafilla 1:​3-5, 12, 13) Dielli u duk qartë nga sipërfaqja e tokës më vonë.​—Zanafilla 1:16.

 Koncept i gabuar: Bibla thotë se dielli rrotullohet rreth tokës.

 Fakt: Eklisiastiu 1:5, në përkthimin Diodati i Ri, thotë: «Dielli lind e pastaj perëndon dhe shpejtohet në drejtim të vendit nga del përsëri.» Mirëpo, kjo shprehje thjesht përshkruan lëvizjen e dukshme të diellit siç e shohim nga toka. Edhe sot i përdorim fjalët «lind» dhe «perëndon» e prapëseprapë e dimë që toka rrotullohet rreth diellit.

 Koncept i gabuar: Bibla thotë se toka është e sheshtë.

 Fakt: Bibla përdor shprehjen ‘në fund të tokës’ për të nënkuptuar «skajin më të largët të tokës»; kjo nuk do të thotë që toka është e sheshtë ose që ka një cep. (Veprat 1:8, shënimi te Përkthimi Bota e Re, anglisht) Po njësoj, shprehja «të katër skajet e tokës» është figurë letrare që i referohet gjithë sipërfaqes së tokës; sot mund të përdorim katër pikat e një busulle si metaforë të ngjashme.​—Isaia 11:12; Luka 13:29.

 Koncept i gabuar: Bibla thotë se perimetri i një rrethi është saktësisht tri herë sa diametri i vet, por vlera e saktë është pi (π), ose afro 3,1416.

 Fakt: Përmasat e ‘detit prej metali të derdhur’ që jepen te 1 Mbretërve 7:23 dhe te 2 Kronikave 4:2 tregojnë se diametri ishte 10 kute dhe «për ta matur rreth e qark nevojitej një litar prej tridhjetë kutesh». Këto përmasa mund të ishin thjesht numra të rrumbullakosur. Ka mundësi që perimetri dhe diametri të përfaqësonin përkatësisht përmasat e jashtme dhe të brendshme të legenit.