Kalo te përmbajtja

A përdori evolucionin Perëndia për të krijuar format e ndryshme të jetës?

A përdori evolucionin Perëndia për të krijuar format e ndryshme të jetës?

Përgjigjja e Biblës

 Jo. Bibla e thotë qartë se Perëndia krijoi njerëzit dhe «lloje» të ndryshme kafshësh e bimësh. a (Zanafilla 1:12, 21, 25, 27; Zbulesa 4:11) Gjithashtu tregon se e gjithë familja njerëzore erdhi nga Adami dhe Eva, prindërit e parë. (Zanafilla 3:20; 4:1) Bibla nuk e mbështet teorinë që Perëndia përdori evolucionin për të krijuar format e ndryshme të jetës, e cila me raste quhet evolucion teist. Por as bie në kundërshtim me studimet shkencore që thonë se brenda çdo lloji mund të ketë varietete. b

 Çfarë besojnë disa njerëz?

 «Evolucioni teist» u referohet një sërë idesh. Sipas Encyclopædia Britannica, ky term mbështet idenë se «përzgjedhja natyrore është ndër mekanizmat që përdor Perëndia për të drejtuar natyrën».

 Evolucioni teist mund të përfshijë edhe këto koncepte:

  •   Të gjithë organizmat e gjallë vijnë nga paraardhës të përbashkët.

  •   Një formë jete mund të evoluojë në një formë krejt tjetër dhe me raste kjo njihet si makroevolucion.

  •   Mendohet se Perëndia është përgjegjës për këto procese.

 A pajtohet evolucioni me Biblën?

 Evolucioni teist sugjeron se tregimi i Biblës për krijimin, që gjendet te Zanafilla, nuk është plotësisht i saktë. Gjithsesi, Jezui i referohet këtij tregimi si fakt historik. (Zanafilla 1:26, 27; 2:18-24; Mateu 19:4-6) Bibla thotë se Jezui, para se të vinte në tokë, jetonte në qiej me Perëndinë dhe e ndihmoi teksa Perëndia krijonte «të gjitha gjërat». (Gjoni 1:3) Ndaj, ideja që Zoti përdori evolucionin për të krijuar format e ndryshme të jetës, nuk pajtohet me mësimet e Biblës.

 Ç’të themi për aftësinë e kafshëve dhe të bimëve për t’u përshtatur?

 Bibla nuk specifikon sa varietete mund të ketë brenda një lloji. As kundërshton faktin që kafshët e bimët mund të krijojnë varietete të reja për shkak të riprodhimit dhe të përshtatjes me mjedisin. Edhe pse disa i konsiderojnë evolucion përshtatje të tilla, këto s’janë një formë e re jete.

a Bibla përdor fjalën «lloj» që ka një kuptim më të gjerë, në vend të fjalës «specie» që përdoret nga shkencëtarët. Shpesh, ajo që shkencëtarët e përcaktojnë si evolucion të një specieje, është thjesht varietet brenda llojit, fjalë që përdoret te Zanafilla.

b Ndonjëherë ky koncept i referohet mikroevolucionit.