Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

Gjoni 14:6—«Unë jam udha, e vërteta dhe jeta»

Gjoni 14:6—«Unë jam udha, e vërteta dhe jeta»

 «Jezui i tha: ‘Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.’»—Gjoni 14:6, Përkthimi Bota e Re.

 «Jezusi i tha: ‘Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.’»—Gjoni 14:6, Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar.

Kuptimi i Gjonit 14:6

 Dikush që dëshiron të adhurojë Atin, Perëndinë Jehova, a duhet të pranojë rolin jetësor të Jezuit.

 «Unë jam udha.» Jezui është «udha» që na lejon t’i afrohemi Perëndisë në mënyrë të pranueshme. Për shembull, ata që i luten Zotit, duhet t’i luten në emër të Jezuit. (Gjoni 16:23, 24) Falë vdekjes së Jezuit, njerëzit mund të pajtohen me Zotin, ose të kenë përsëri miratimin e tij. (Romakëve 5:8-11) Jezui la modelin edhe si duhet të sillen ata që duan t’i pëlqejnë Perëndisë.—Gjoni 13:15.

 «Unë jam . . . e vërteta.» Jezui tha gjithmonë të vërtetën për Zotin dhe jetoi në harmoni me këtë të vërtetë. (1 Pjetrit 2:22) Mund të mësojmë të vërtetën për Perëndinë duke dëgjuar atë që tha Jezui. (Gjoni 8:31, 32) Përveç kësaj, Jezui ishte «e vërteta», sepse përmbushi profecitë e Biblës. Pra i bëri realitet premtimet e Perëndisë.—Gjoni 1:17; 2 Korintasve 1:19, 20; Kolosianëve 2:16, 17.

 «Unë jam . . . jeta.» Jezui dha jetën, që ata të cilët tregojnë besim tek ai, të kenë jetë të përhershme. (Gjoni 3:16, 36) Ai është «jeta» edhe për ata që kanë vdekur, sepse do t’i ringjallë.—Gjoni 5:28, 29; 11:25.

 «Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.» Ata që duan të kenë një marrëdhënie të mirë me Zotin, duhet të pranojnë rolin unik të Jezuit. E bëjnë këtë duke iu lutur Zotit në emër të Jezuit. Në këtë mënyrë tregojnë se pranojnë autoritetin e Jezu Krishtit. (Gjoni 15:16) Pranojnë edhe se shpëtimi vjen vetëm nëpërmjet Jezuit.—Veprat 4:12; Filipianëve 2:8-11.

Konteksti i Gjonit 14:6

 Kapitujt 13 deri në 17 të Gjonit përmbajnë këshillat e fundit që Jezui u dha 11 apostujve besnikë natën para se të vdiste. Në kapitullin 14, Jezui i inkurajoi dishepujt të tregonin besim tek ai dhe tek Ati i tij, si edhe t’i donin e t’u bindeshin atyre. (Gjoni 14:1, 12, 15-17, 21, 23, 24) U foli edhe për lidhjen e ngushtë që kishte me të Atin dhe që ka akoma. (Gjoni 14:10, 20, 28, 31) Edhe pse pas pak do të kthehej në qiell, Jezui i siguroi dishepujt se nuk do t’i braktiste. (Gjoni 14:18) Ai u premtoi edhe se do t’u siguronte një ‘ndihmës’ dhe u shpjegoi për çfarë e kishte fjalën: «fryma e shenjtë, të cilën Ati do ta dërgojë në emrin tim». (Gjoni 14:25-27) Në këto dhe në mënyra të tjera, Jezui i përgatiti dishepujt për vështirësitë që i pritnin.