Kalo te përmbajtja

Si të marr vendime të mira?

Si të marr vendime të mira?

Përgjigjja e Biblës

 Bibla na jep udhëzime të shkëlqyera për të marrë vendime. Ajo mund të na ndihmojë ‘të fitojmë mençuri dhe aftësi për të kuptuar’. (Proverbat 4:5) Në disa raste, Bibla na tregon cili është vendimi më i mirë. Në raste të tjera na jep këshilla që na ndihmojnë të marrim një vendim të mençur.

Në këtë artikull do të shohim

 Sugjerime që të ndihmojnë të marrësh një vendim të mirë

  •   Mos merr vendime nxitimthi. Bibla thotë: «Mendjemprehtët matin çdo hap që hedhin.» (Proverbat 14:15) Nëse e merr nxitimthi një vendim, mund të lësh pa marrë në konsideratë informacione të rëndësishme. Merre shtruar dhe peshoji mirë të gjithë faktorët.—1 Selanikasve 5:21.

  •   Mos merr vendime duke u bazuar vetëm tek emocionet a ndjenjat. Bibla na paralajmëron të mos i zëmë gjithnjë besë zemrës. (Proverbat 28:26; Jeremia 17:9) Për shembull, mund të marrim vendime jo të mençura kur jemi të zemëruar, të stresuar, të shkurajuar, të paduruar apo tepër të lodhur.—Proverbat 24:10; 29:22.

  •   Lutu për mençuri. (Jakovi 1:5) Perëndia u përgjigjet me kënaqësi këtyre lutjeve. Ai është një Atë i dashur dhe dëshiron që fëmijët e tij t’i shmangin problemet e panevojshme. «Vetë Jehovai jep mençuri e prej gojës së tij burojnë njohuria dhe aftësia dalluese.» a (Proverbat 2:6) Këtë mençuri na e jep kryesisht me anë të Fjalës së tij të shkruar, Biblës.—2 Timoteut 3:16, 17.

  •   Bëj kërkime. Për të marrë një vendim të mirë, ke nevojë për informacione të besueshme. Bibla thotë se «i mençuri dëgjon dhe mëson më shumë». (Proverbat 1:5) Ku mund të gjesh informacione të dobishme e të besueshme?

     Së pari, shih çfarë thotë vetë Bibla për çështjen që po shqyrton. Krijuesi ynë e di çfarë është më e mira për ne, ndaj Fjala e tij përmban këshillat më të besueshme. (Psalmi 25:12) Për disa vendime, Bibla jep drejtim të qartë, për shembull me anë të një ligji ose urdhërimi. (Isaia 48:17, 18) Por, për shumë çështje të tjera, Bibla nuk është aq specifike. Përkundrazi jep udhëzime me anë të parimeve. Këto mund të na ndihmojnë të marrim një vendim të mirë e në të njëjtën kohë lënë hapësirë për të marrë një vendim të ndryshëm nga ai që mund të marrë dikush tjetër. Për të gjetur shkrimet e duhura në Bibël, bëj kërkime në artikuj ose botime të bazuara në Bibël, si ato që janë në dispozicion në këtë sit. b

     Për disa vendime mund të të duhet të shqyrtosh burime të tjera të besueshme informacioni. Për shembull, para se të blesh diçka, sidomos diçka që kushton shumë, do të ishte e mençur të bëje kërkime për produktin, firmën e prodhimit si dhe për kushtet e garancisë dhe të kthimit të mallit të dëmtuar. S’do mend se duhet të sigurohesh që specifikat e produktit t’i plotësojnë nevojat e tua.

     «Planet prishen kur nuk konsultohesh»,—thotë Bibla. (Proverbat 15:22) Ndaj, para se të marrësh një vendim, konsultohu me persona të besueshëm. Për shembull, është e mençur të konsultohesh me një mjek kur të duhet të marrësh një vendim për shëndetin. (Mateu 9:12) Në disa raste mund të flasësh me ata që kanë kaluar një situatë të ngjashme me tënden. Sidoqoftë, mbaj parasysh se vendimin nuk do ta marrin ata me të cilët po konsultohesh, por duhet ta marrësh ti dhe më pas ti do të jetosh me rezultatet e këtij vendimi.—Galatasve 6:4, 5.

  •   Pesho të gjithë faktorët. Në bazë të informacioneve që ke mbledhur, mund të bësh një listë të vendimeve të mundshme si dhe avantazhet e disavantazhet e tyre. Dhe ji me këmbë në tokë teksa shqyrton pasojat e mundshme të vendimit. (Ligji i përtërirë 32:29) Për shembull, si do të ndikonte ky vendim te ti, te familja jote ose te të tjerët? (Proverbat 22:3; Romakëve 14:19) Duke reflektuar mbi këto pyetje dhe me ndihmën e mësimeve të Biblës do të marrësh një vendim të mençur e të dashur.

  •   Merre vendimin. Ka raste kur mund të hezitojmë të marrim një vendim ngaqë ndihemi të pasigurt. Por, nëse mbetemi të pavendosur, mund të humbasim ndonjë rast të mirë ose mund të futemi në një ndonjë situatë të pakëndshme. E thënë ndryshe, pavendosmëria mund të jetë po aq e pamend sa marrja e një vendimi të keq. Duke përdorur një metaforë nga bujqësia, Bibla thotë: «Kush vëzhgon erën, nuk do të mbjellë farë, dhe kush shikon retë, nuk do të korrë.»—Eklisiastiu 11:4.

 Gjithashtu, mos harro se edhe vendimi më i mirë mund të mos jetë i përsosur. Shpesh, kur bëjmë një zgjedhje, duhet të sakrifikojmë diçka. Veç kësaj, mund të ndodhin ngjarje të paparashikuara. (Eklisiastiu 9:11) Pra, përdor informacionin më të mirë që ke në dispozicion dhe bëj atë zgjedhje që ka më shumë të ngjarë të dalë e suksesshme.

 A duhet ta ndryshoj një vendim që e kam marrë tashmë?

 Jo çdo vendim është përfundimtar. Rrethanat e tua mund të ndryshojnë ose mund të zbulosh se vendimi që ke marrë, ka pasoja të papritura. Ndaj, mund të jetë e mençur t’i peshosh edhe një herë gjërat dhe të bësh një zgjedhje tjetër, që ka më shumë të ngjarë të të sjellë rezultatet e dëshiruara.

 Ama, disa vendime nuk duhen ndryshuar. (Psalmi 15:4) Për shembull, Perëndia pret që çiftet e martuara ta mbajnë betimin e tyre të martesës. c (Malakia 2:16; Mateu 19:6) Kur dalin probleme në martesë, duhet bërë çdo përpjekje që të zgjidhen e jo të gjesh rrugëdaljen më të shkurtër.

 Si të veproj nëse kam marrë një vendim të keq të cilin nuk mund ta ndryshoj?

 Të gjithëve mund të na ndodhë të marrim një vendim jo të mençur. (Jakovi 3:2) Mund edhe të bëhemi pishman a të ndihemi fajtorë, dhe kjo është normale. (Psalmi 69:5) Në fakt, kur janë në një masë të arsyeshme, këto ndjenja negative mund të jenë diçka e mirë nëse na ndihmojnë të mos e përsëritim të njëjtin gabim. (Proverbat 14:9) Sidoqoftë, Bibla na këshillon të mos kemi ndjenja të tepruara faji, të cilat vetëm sa na dëmtojnë mendërisht ose emocionalisht. (2 Korintasve 2:7) d Bibla thotë se «Jehovai është i mëshirshëm dhe i dhembshur». (Psalmi 103:8-13) Prandaj, përpiqu të mësosh nga një vendim i keq, të cilin nuk mund ta ndryshosh, dhe bëj aq sa ke në dorë që t’i përmirësosh gjërat.

a Jehova është emri i Perëndisë, siç tregohet në Bibël.—Psalmi 83:18.

b Mund të bësh kërkime edhe në jw.org duke përdorur një fjalë a shprehje që lidhet me vendimin që do të marrësh. Ky sit ka këshilla nga Bibla për shumë tema. Mund të bësh kërkime të mëtejshme për fjalë të caktuara te pjesa «Renditja e fjalëve të Biblës» te Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re.

c Është vullneti i Perëndisë që çiftet të qëndrojnë bashkë për sa kohë të jetojnë. Perëndia e lejon divorcin dhe rimartesën vetëm nëse njëri nga bashkëshortët është fajtor për imoralitet seksual. (Mateu 19:9) Nëse po has probleme në martesë, Bibla mund të të ndihmojë t’i zgjidhësh ato në mënyrë të mençur e të dashur.

d Për më shumë informacion, shiko artikullin «Kam ndjenja faji—A më ndihmon dot Bibla të gjej lehtësim?»