Kalo te përmbajtja

Pse të lutem? A do të më përgjigjet Perëndia?

Pse të lutem? A do të më përgjigjet Perëndia?

Përgjigjja e Biblës

 Po, do të të përgjigjet. Bibla dhe përvojat nga jeta reale tregojnë se Perëndia u përgjigjet lutjeve. Bibla thotë: «Ai do t’ua plotësojë dëshirën atyre që i frikësohen [Perëndisë]. Do t’i dëgjojë kur ta thërrasin për ndihmë e do t’i shpëtojë.» (Psalmi 145:19) Por nëse Perëndia do t’u përgjigjet lutjeve të tua, kryesisht e ke ti në dorë.

Çfarë ka rëndësi për Perëndinë?

  •   T’i lutemi Perëndisë, jo Jezuit, Marisë, shenjtorëve, engjëjve apo shëmbëlltyrave. Vetëm Perëndia Jehova është «Dëgjuesi i lutjes».—Psalmi 65:2.

  •   Të lutemi në përputhje me vullnetin ose kërkesat e Perëndisë, të cilat gjenden në Bibël.—1 Gjonit 5:14.

  •   Të lutemi në emër të Jezuit, sepse kështu pranojmë autoritetin e tij. Jezui tha: «Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.»—Gjoni 14:6.

  •   Të lutemi me besim, madje të kërkojmë më shumë besim nëse është e nevojshme.—Mateu 21:22; Luka 17:5.

  •   Të jemi të përulur e të sinqertë. Bibla thotë: «Ti, o Jehova, je i lartë, e megjithatë i drejton sytë mbi të përulurit.»—Psalmi 138:6.

  •   Të këmbëngulim. Jezui tha: «Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet.»—Luka 11:9.

Çfarë nuk ka rëndësi për Perëndinë?

  •   Raca ose kombësia jote. «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.»—Veprat 10:34, 35.

  •   Pozicioni i trupit. Mund të lutesh ulur, i përkulur, në gjunjë ose në këmbë.—1 Kronikave 17:16; Nehemia 8:6; Danieli 6:10; Marku 11:25.

  •   Nëse lutesh me zë apo në heshtje. Perëndia u përgjigjet edhe lutjeve që bëhen në heshtje, për të cilat të tjerët nuk janë në dijeni.—Nehemia 2:1-6.

  •   Nëse shqetësimet e tua janë tejet të mëdha ose fare të papërfillshme. Perëndia të nxit që ta ‘hedhësh gjithë ankthin tënd mbi të, sepse ai interesohet për ty’.—1 Pjetrit 5:7.