Kalo te përmbajtja

A mëson Bibla se Toka është e sheshtë?

A mëson Bibla se Toka është e sheshtë?

Përgjigjja e Biblës

 Jo, Bibla nuk mëson që Toka është e sheshtë. a Bibla nuk është libër shkencor. Nga ana tjetër, asgjë që thuhet në të nuk kundërshton shkencën e provuar. Ajo çka thotë Bibla është ‘e patundur mot e jetë’.—Psalmi 111:8.

 A tregon shprehja e Biblës «katër skajet e tokës» se toka është e sheshtë?

 Shprehjet «katër skajet e tokës» dhe «skajet e dheut» që përdoren në Bibël nuk duhen marrë fjalë për fjalë, sikur Toka të ishte katrore ose të kishte skaje a cepa. (Isaia 11:12; Jobi 37:3) Përkundrazi, duket qartë se janë figura letrare, të cilat i referohen të gjithë sipërfaqes së Tokës. Në të njëjtin kuptim të figurshëm, Bibla përdor edhe katër pikat e horizontit.—Luka 13:29.

 Termi hebraik i përkthyer «skajet» duket se është idiomë e bazuar te fjala «krahë». Sipas një enciklopedie (The International Standard Bible Encyclopedia), «përderisa një zog hap krahët si një mbulesë për të vegjlit e tij, ky term hebraik përdoret për të përshkruar skajet e çfarëdolloj gjëje të shtrirë». Po kjo vepër shton se, te Jobi 37:3 dhe tek Isaia 11:12, «termi u referohet caqeve, kufijve ose skajeve të sipërfaqes së Tokës së thatë». b

 Po shprehja ‘një mal jashtëzakonisht i lartë’ ku Djalli tundoi Jezuin?

 Që të tundonte Jezuin, «Djalli e mori . . . me vete në një mal jashtëzakonisht të lartë, [dhe] i tregoi të gjitha mbretëritë e botës e lavdinë e tyre». (Mateu 4:8) Disa pohojnë që ky tregim i Biblës mëson se e gjithë bota është e dukshme nga një pikë e vetme në Tokën e sheshtë. Megjithatë, ‘mali jashtëzakonisht i lartë’ i këtij tregimi duket se është metaforë dhe jo vend i mirëfilltë. Le të shqyrtojmë pse ky përfundim është i arsyeshëm.

  •   Nuk ekziston një mal i tillë nga i cili të duken të gjitha mbretëritë e botës.

  •   Djalli nuk i tregoi Jezuit vetëm mbretëritë, por edhe «lavdinë e tyre». Këto hollësira nuk mund të shihen nga një distancë e madhe, prandaj duket se Djalli përdori ndonjë lloj vegimi që t’ia tregonte Jezuit. Njësoj siç mund të përdorë dikush një projektor dhe një ekran për të treguar pamje nga vende të ndryshme të botës.

  •   Tregimi paralel te Luka 4:5 thotë se Djalli «për një çast i tregoi [Jezuit] gjithë mbretëritë e tokës së banuar». Por kjo do të ishte e pamundur të shihej nga sytë njerëzorë, prandaj, lë të kuptohet se Djalli ia paraqiti këtë tundim Jezuit me mjete që nuk janë të dukshme për shikimin tonë.

a Bibla i referohet Perëndisë si Ai «që banon mbi rruzullin e tokës».—Isaia 40:22.

b Botimi i rishikuar, vëllimi 2, faqja 4.