Kalo te përmbajtja

Çfarë thotë Bibla për miqësitë?

Çfarë thotë Bibla për miqësitë?

Përgjigjja e Biblës

 Miqësitë mund të na ndihmojnë të jemi të lumtur e të suksesshëm. Miqtë e vërtetë nxjerrin më të mirën nga njëri-tjetri dhe na ndihmojnë të përmirësohemi.—Proverbat 27:17.

 Gjithsesi, Bibla thekson sa e rëndësishme është t’i zgjedhim me kujdes miqtë. Ajo paralajmëron për pasojat që vijnë kur zgjedhim llojin e gabuar të miqve. (Proverbat 13:20; 1 Korintasve 15:33) Miq të tillë mund të na shtyjnë të marrim vendime të pamenda ose në ndonjë mënyrë ndikojnë aq sa të humbasim cilësitë e mira.

Në këtë artikull

 Kush është një mik i mirë?

 Bibla mëson se miqësitë e ngushta duhen bazuar te diçka më e thellë se ndonjë hobi apo interesat e përbashkëta. Për shembull, Psalmi 119:63 thotë: «I kam miq të gjithë ata që të nderojnë thellësisht dhe ata që zbatojnë urdhrat e tu a.» Vër re se shkrimtari i Biblës thotë se ai zgjidhte si miq ata që donin t’i pëlqenin Perëndisë dhe të jetonin në harmoni me standardet e tij.

 Gjithashtu, Bibla thekson cilat cilësi duhet të ketë një mik i mirë. Për shembull:

  •   «Miku i vërtetë të do në çdo kohë dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.»—Proverbat 17:17.

  •   «Ka shokë që janë gati ta bëjnë copë njëri-tjetrin, por ka një mik që të bëhet vëlla e shkuar vëllait.»—Proverbat 18:24.

 Këto vargje na mësojnë se një mik i mirë është besnik, i dashur, zemërmirë dhe bujar. Një mik i vërtetë është ai tek i cili mund të mbështetemi në ditë të mira e të këqija. Përveç kësaj, një mik për kokë merr guximin të na flasë kur sheh se po bëjmë diçka të pamend ose kur po marrim një vendim të çalë.—Proverbat 27:6, 9.

 Cilët janë disa shembuj të miqësive të mira në Bibël?

 Bibla ka shembuj të miqësive të mira mes njerëzve të moshave, formimeve, kulturave dhe pozitave të ndryshme në shoqëri. Të shohim tri nga këto miqësi.

  •   Rutha dhe Naomi. Rutha ishte nusja e djalit të Naomit dhe ka shumë të ngjarë të kishin goxha diferencë moshe. Për më tepër, Rutha vinte nga një kulturë që ndryshonte kryekëput nga ajo e Naomit. Gjithsesi, pavarësisht nga këto ndryshime, lidhën një miqësi tejet të ngushtë e të dashur.—Rutha 1:16.

  •   Davidi dhe Jonatani. Duket se Jonatani ishte 30 vjet më i madh se Davidi. Prapëseprapë, Bibla thotë se Davidi dhe Jonatani «u bënë miq të ngushtë».—1 Samuelit 18:1.

  •   Jezui dhe apostujt e tij. Jezui kishte autoritet mbi apostujt, sepse ishte mësuesi dhe zotëria i tyre. (Gjoni 13:13) Mirëpo nuk i shihte si të padenjë për miqësinë e tij. Përkundrazi krijoi lidhje të forta me ata që zbatonin mësimet e tij. Ai tha: «Ju kam quajtur miq, sepse ju kam bërë të njohur gjithë gjërat që kam dëgjuar nga Ati im.»—Gjoni 15:14, 15.

 A mund të bëhemi miq me Perëndinë?

 Po, njerëzit mund të jenë miq me Perëndinë. Bibla thotë: «Të ndershmit gëzojnë miqësi të ngushtë me Të.» (Proverbat 3:32) Me fjalë të tjera, Zoti zgjedh miq ata që bëjnë çmos të sillen me dinjitet, të jenë të ndershëm, të respektueshëm e që përpiqen të jetojnë në harmoni me standardet e tij për të drejtën e të gabuarën. Për shembull, për Abrahamin besnik, Shkrimet thonë specifikisht se ishte mik i Perëndisë.—2 Kronikave 20:7; Isaia 41:8; Jakovi 2:23.

a Konteksti i këtij psalmi tregon se fjala «tu» në këtë varg, i referohet Zotit.