Kalo te përmbajtja

Çfarë thotë Bibla për homoseksualizmin?

Çfarë thotë Bibla për homoseksualizmin?

Përgjigjja e Biblës

 Që kur i krijoi njerëzit, Perëndia kishte si qëllim që një mashkull dhe një femër të kryenin marrëdhënie seksuale vetëm brenda martesës. (Zanafilla 1:​27, 28; Levitiku 18:22; Proverbat 5:​18, 19) Bibla i dënon veprimet seksuale mes një burri dhe gruaje të pamartuar me njëri-tjetrin, si veprimet homoseksuale, ashtu edhe heteroseksuale. (1 Korintasve 6:​18) Këtu përfshihen marrëdhëniet seksuale, ledhatimet e organeve gjenitale të dikujt tjetër dhe seksi oral ose anal.

 Ndonëse Bibla nuk i miraton aktet homoseksuale, ajo nuk e toleron urrejtjen ndaj homoseksualëve ose homofobinë. Përkundrazi, të krishterët nxiten ‘të respektojnë çdokënd’.​​—1 Pjetrit 2:​17, Good News Translation.

 A mund të lindë dikush homoseksual?

Bibla nuk flet drejtpërdrejt për shkaqet biologjike të dëshirave homoseksuale, megjithëse ajo e pranon se të gjithë lindim me prirjen për të shkuar kundër urdhërimeve të Perëndisë. (Romakëve 7:​21-​25) Megjithatë, Bibla nuk përqendrohet te shkaku i dëshirave homoseksuale, por ndalon aktet homoseksuale.

 Si t’i pëlqesh Perëndisë edhe nëse ke nxitje seksuale ndaj të njëjtit seks?

Bibla thotë: «Mos iu nënshtroni trupit tuaj. Mbytni çdo dëshirë për seksin e llojit të gabuar.» (Kolosianëve 3:​5, Contemporary English Version) Që të mbytësh dëshirat e gabuara, të cilat çojnë në veprime të gabuara, duhet të mbash nën kontroll mendimet. Nëse e mbush mendjen rregullisht me mendime të pastra, mund t’i largosh më kollaj dëshirat e gabuara. (Filipianëve 4:8; Jakovi 1:​14, 15) Edhe pse në fillim mund të jetë luftë e vërtetë, më pas bëhet më e lehtë. Perëndia premton se do të të ndihmojë ‘të rinohesh në forcën që vë në veprim mendjen tënde’.​—Efesianëve 4:​22-​24.

 Të njëjtën luftë hasin edhe miliona të tjerë me dëshira heteroseksuale të cilët duan të ndjekin normat e Biblës. Për shembull, ata që janë beqarë pa shumë mundësi për t’u martuar ose ata që janë të martuar me dikë që s’është në gjendje të kryejë marrëdhënie seksuale, zgjedhin t’i mbajnë nën kontroll nxitjet seksuale pavarësisht nga tundimet që mund të hasin. Ata mund të jetojnë të lumtur. Edhe ata që kanë nxitje seksuale ndaj të njëjtit seks, mund të jenë të lumtur nëse duan vërtet t’i pëlqejnë Perëndisë.​—Ligji i përtërirë 30:19.