Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

Filipianëve 4:8—«Të gjitha gjërat që janë të vërteta, . . . këto mendoni»

Filipianëve 4:8—«Të gjitha gjërat që janë të vërteta, . . . këto mendoni»

 «Së fundi, vëllezër, vazhdoni të mendoni për çdo gjë të vërtetë, çdo gjë serioze, çdo gjë të drejtë, çdo gjë të dëlirë, çdo gjë të dashur, çdo gjë për të cilën flitet mirë, çdo gjë të virtytshme dhe të denjë për t’u lëvduar.»—Filipianëve 4:8, Përkthimi Bota e Re.

 «Së fundi, vëllezër, të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni.»—Filipianëve 4:8, Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar.

Kuptimi i Filipianëve 4:8

 Perëndisë i intereson ajo që mendojmë, sidomos ngaqë mendimet ndikojnë te veprimet tona. (Psalmi 19:14; Marku 7:20-23) Ndaj, ata që duan t’i kënaqin zemrën Atij, i hedhin poshtë mendimet që Perëndia i konsideron të këqija dhe mendojnë për gjëra që ai i miraton.

 Ky varg përmend 8 lloje gjërash të mira për të cilat të krishterët duhet ‘të vazhdojnë të mendojnë’, pra ta kenë zakon të mendojnë.

  •   «Çdo gjë të vërtetë.» Kjo shprehje përshkruan gjëra që janë të mira dhe të besueshme, siç është informacioni në Fjalën e Perëndisë, pra në Bibël.—1 Timoteut 6:20.

  •   «Serioze.» Kjo u referohet çështjeve që kanë vërtet rëndësi, të cilat nuk janë vogëlsira ose sipërfaqësore. Gjërat serioze i ndihmojnë të krishterët të jenë edhe më të vendosur të bëjnë atë që është e drejtë.—Titit 2:6-8.

  •   «Të drejtë.» Kjo lidhet me plane dhe veprime që janë të drejta sipas standardeve të Perëndisë dhe jo sipas standardeve njerëzore.—Proverbat 3:5, 6; 14:12.

  •   «Të dëlirë.» Kjo fjalë përcjell idenë e mendimeve dhe të motiveve të pastra e të shenjta, jo vetëm në aspektin seksual, por në çdo aspekt.—2 Korintasve 11:3.

  •   «Të dashur.» Ky term u referohet gjërave që të sjellin kënaqësi dhe që nxitin ndjenjën e dashurisë dhe jo të urrejtjes, të zemërimit apo konfliktet.—1 Pjetrit 4:8.

  •   «Për të cilën flitet mirë.» Kjo shprehje u referohet gjërave që ndikojnë për mirë te reputacioni i një personi dhe që miratohen nga ata që respektojnë Perëndinë.—Proverbat 22:1.

  •   «Të virtytshme.» Kjo fjalë u referohet gjërave që shkëlqejnë nga ana morale në përputhje me standardet e Perëndisë dhe që janë të mira në çdo drejtim.—2 Pjetrit 1:5, 9.

  •   «Të denjë për t’u lëvduar.» Kjo shprehje përshkruan atë që është e lavdërueshme, sidomos në sytë e Perëndisë. Bën fjalë edhe për veprat e lavdishme të Perëndisë, për të cilat njerëzit bëjnë mirë të mendojnë.—Psalmi 78:4.

Konteksti i Filipianëve 4:8

 Apostulli Pavël ishte në arrest shtëpie në Romë kur u shkroi këtë letër të krishterëve në Filipi. Megjithatë, disa komentues të Biblës e përshkruajnë letrën e tij si «letër gëzimi» falë tonit pozitiv dhe sa e sa shprehjeve të ngrohta e të përzemërta.—Filipianëve 1:3, 4, 7, 8, 18; 3:1; 4:1, 4, 10.

 Pavli i donte bashkëbesimtarët në Filipi dhe kishte dëshirë që edhe ata të ndienin të njëjtin gëzim e paqe si ai. (Filipianëve 2:17, 18) Ndaj, në fund të letrës i inkurajoi të zhvillonin një qëndrim të gëzuar, të ishin të arsyeshëm, të mbështeteshin gjithnjë te Perëndia nëpërmjet lutjes dhe të përqendroheshin te gjërat që u sillnin paqe të brendshme e paqe me Perëndinë.—Filipianëve 4:4-9.

 Shih këtë video të shkurtër që i bën një përmbledhje librit të Filipianëve.