Kalo te përmbajtja

Ç’pikëpamje kanë Dëshmitarët e Jehovait për divorcin?

Ç’pikëpamje kanë Dëshmitarët e Jehovait për divorcin?

 Ne i përmbahemi pikëpamjes së Biblës për martesën dhe për divorcin. Perëndia e krijoi martesën si një lidhje të përhershme mes një burri dhe një gruaje. Sipas Shkrimeve, e vetmja bazë për divorc është imoraliteti seksual.​—Mateu 19:​5, 6, 9.

A i ndihmojnë Dëshmitarët çiftet që kanë probleme martesore?

 Po, në disa mënyra.

  •   Botimet. Me anë të tyre dalin rregullisht artikuj që forcojnë martesat, madje edhe ato që duken të pashpresa. Për shembull, shih artikujt: «Si ta ruash përkushtimin në martesë?», «Si të falësh?» dhe «Si të rifitoni besimin?»

  •   Mbledhjet. Si në mbledhjet e kongregacionit, ashtu edhe në asamble e kongrese jepen këshilla praktike nga Bibla për martesën.

  •   Pleqtë. Pleqtë e kongregacionit u japin ndihmë personale çifteve, duke ua drejtuar vëmendjen te shkrime, si Efesianëve 5:​22-​25.

A duhet ta miratojnë pleqtë e kongregacionit divorcin e një Dëshmitari?

 Jo. Edhe nëse pleqve u kërkohet të ndihmojnë një çift të përballojë vështirësitë në martesë, ata nuk janë të autorizuar t’i thonë çiftit çfarë të bëjë. (Galatasve 6:5) Gjithsesi, dikush që vendos të divorcohet pa bazë biblike nuk është i lirë nga ana biblike të rimartohet.​—1 Timoteut 3:​1, 5, 12.

Si e shohin ndarjen Dëshmitarët?

 Bibla i inkurajon bashkëshortët të qëndrojnë bashkë edhe kur gjërat vështirësohen. (1 Korintasve 7:​10-​16) Shumë nga problemet mund të zgjidhen duke u lutur vazhdimisht, duke zbatuar parimet biblike dhe duke treguar dashuri.​—1 Korintasve 13:​4-8; Galatasve 5:​22.

 Megjithatë, disa të krishterë kanë vendosur të ndahen nga bashkëshorti, në situata ekstreme, si më poshtë:

  •   Kur nuk i siguron qëllimisht familjes gjërat e nevojshme.​—1 Timoteut 5:8.

  •   Kur ka keqtrajtim fizik ekstrem.​—Psalmi 11:5.

  •   Kur vihet absolutisht në rrezik marrëdhënia me Perëndinë. Për shembull, nëse bashkëshorti e detyron të shkelë në ndonjë mënyrë urdhërimet e Perëndisë, bashkëshorti Dëshmitar mund të vendosë se ndarja është mënyra e vetme që ‘t’i bindet Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve’.​—Veprat 5:​29.