Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 NDIHMË PËR FAMLJEN | MARTESA

Kur zhgënjehesh nga martesa

Kur zhgënjehesh nga martesa

VËSHTIRËSIA

Ti dhe bashkëshorti dukej sikur kishit shumë gjëra të përbashkëta, por para se të martoheshit. Tani, zhgënjimi ka krijuar një hendek mes jush; ju ka bërë më shumë shokë burgu se shokë jete.

Ti mund ta përmirësosh marrëdhënien me bashkëshortin. Por, së pari, shqyrto pse mund të zhgënjehesh.

PSE NDODH?

Përballesh me realitetin. Rutina e përditshme si, puna, rritja e fëmijëve dhe marrëdhënia me njerëzit e bashkëshortit mund ta gërryejnë pak nga pak lumturinë martesore. Për më tepër, problemet e papritura, ndoshta një problem financiar ose përkujdesja për një familjar me sëmundje kronike, mund ta tendosin lidhjen martesore.

Mospërputhjet midis jush duken të pakapërdishme. Para se të martohen, çiftet priren t’i anashkalojnë mospërputhjet midis tyre. Por, kur martohen, zbulojnë sa shumë ndryshojnë në fusha të tilla si, mënyra e komunikimit, shpenzimi i parave dhe zgjidhja e problemeve. Mospërputhjet që dikur ishin thjesht të bezdisshme, tani duken të patolerueshme.

Jeni ftohur emocionalisht. Me kalimin e kohës, grumbullimi i fjalëve dhe i veprimeve të pasjellshme bashkë me një listë të gjatë konfliktesh të pazgjidhura, mund ta bëjë burrin ose gruan të mbyllet në guaskën e vet, ose më keq akoma, të fillojë të lidhet emocionalisht me dikë tjetër.

Prisje gjëra jorealiste. Disa martohen me mendimin se kanë gjetur personin e duhur. Edhe pse mund të duket diçka romantike, kjo mund të jetë gracka që i paraprin një katastrofe. Sapo lindin problemet, miti «i shpirtit binjak» shembet dhe u krijon të dyve ndjesinë se kanë bërë një gabim.

 Ç’MUND TË BËSH?

Përqendrohu te cilësitë e mira të bashkëshortit. Provo këtë: shkruaj disa cilësi pozitive të bashkëshortit. Mbaje me vete listën, mbase mbrapa një fotografie të vogël dasme ose pajisjeje elektronike. Shikoje rregullisht këtë listë si një përkujtues të arsyes pse u martove me të. Kur përqendrohesh te cilësitë e tij pozitive, kjo nxit paqen dhe do të të ndihmojë t’i tolerosh mospërputhjet.Parimi biblik: Romakëve 14:19.

Planifikoni momente të veçanta së bashku. Para se të martoheshit, ka të ngjarë që të dy linit kohë për të bërë gjëra së bashku. Takimet me njëri-tjetrin ishin diçka e re dhe emocionuese, por nuk ia linit rastësisë. Pse të mos bëni të njëjtën gjë edhe tani? Planifikoni të qëndroni së bashku, sikur të ishit në një takim dashurie. Kjo mund t’ju afrojë më shumë me njëri-tjetrin dhe të përballoni më mirë problemet e papritura.—Parimi biblik: Proverbat 5:18.

Tregoji si ndihesh. Nëse bashkëshorti ka thënë ose ka bërë diçka që të ka lënduar, a mund ta kapërcesh? Nëse jo, trego pjekuri dhe mos krijo një heshtje të nderë. Fol qetësisht me bashkëshortin sa më shpejt, nëse është e mundur, që atë ditë.Parimi biblik: Efesianëve 4:26.

Nëse bashkëshorti ka thënë ose ka bërë diçka që të ka lënduar, a mund ta kapërcesh?

Bëj dallimin mes ndjenjave të tua dhe qëllimit të bashkëshortit. Ka të ngjarë që asnjëri prej jush s’donte ta lëndonte tjetrin. Siguroje bashkëshortin për këtë duke kërkuar falje sinqerisht për çdo lloj lëndimi që mund t’i kesh shkaktuar. Më pas, diskutoni se cilat gjëra specifike mund të bëni të dy që as pa dashje të mos e lëndoni njëri-tjetrin. Zbatoni këshillën e Biblës: «Bëhuni mirëdashës me njëri-tjetrin, zemërdhembshur, duke e falur njëri-tjetrin bujarisht.»Efesianëve 4:32.

Ji realist në gjërat që pret. Bibla e pranon se ata që martohen, «do të kenë shtrëngim». (1 Korintasve 7:28) Kur përjeton shtrëngime të tilla, mos u nxito të nxjerrësh përfundimin se bëre gabim që u martove. Përkundrazi, bashkëpunoni për t’i sheshuar mospërputhjet dhe «vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin».Kolosianëve 3:13.