Kalo te përmbajtja

A ndihmojnë Dëshmitarët e Jehovait në rast katastrofash?

A ndihmojnë Dëshmitarët e Jehovait në rast katastrofash?

 Po, Dëshmitarët e Jehovait shpesh japin ndihmën e tyre kur ndodhin katastrofa. Ne ofrojmë ndihmë praktike si për Dëshmitarët, edhe për të tjerët, sepse ndjekim këshillën e Biblës te Galatasve 6:10: «Le të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve, por sidomos ndaj atyre që janë të lidhur me ne në besim.» Gjithashtu përpiqemi t’u japim mbështetje emocionale dhe besimforcuese, pasi në kohë të tilla u nevojitet tej mase.—2 Korintasve 1:3, 4.

Organizimi

 Kur ndodh një katastrofë, pleqtë e kongregacioneve në zonat e prekura përpiqen të kontaktojnë të gjithë ata që shoqërohen me kongregacionet për të parë nëse janë mirë dhe se ç’lloj ndihme u nevojitet. Më pas, rezultatet e vëzhgimit dhe ndihmën e parë që kanë dhënë, pleqtë ia raportojnë zyrës së degës të Dëshmitarëve të Jehovait në vendin e tyre.

 Nëse kongregacionet e asaj zone nuk mund ta japin gjithë ndihmën e nevojshme, atëherë Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait merr masa që të sigurojë atë që nevojitet. Në të njëjtën mënyrë u kujdesën për njëri-tjetrin edhe të krishterët e hershëm kur ra zi buke. (1 Korintasve 16:1-4) Zyra e degës cakton Komitetet e Ndihmës në Rast Katastrofash për të organizuar dhe drejtuar punën. Dëshmitarë nga zona të tjera japin vullnetarisht kohën dhe të ardhurat për të ndihmuar.—Proverbat 17:17.

Fondet

 Kontributet që u dërgohen zyrave të degës të Dëshmitarëve të Jehovait përdoren edhe për t’u sjellë lehtësim viktimave të katastrofave. (Veprat 11:27-30; 2 Korintasve 8:13-15) Meqë puna kryhet nga vullnetarë pa pagesë, fondet e caktuara për këtë qëllim, shkojnë drejtpërdrejt për ndihmën konkrete e jo për shpenzimet administrative. Ne bëjmë kujdes me përdorimin e të gjitha kontributeve.—2 Korintasve 8:20.