Kalo te përmbajtja

Një kabinë telefonike për kurse të Biblës

Një kabinë telefonike për kurse të Biblës

 Dajana është një Dëshmitare e Jehovait që predikon në kohë të plotë në Brazil. Një ditë, ndërsa po dëshmonte për Biblën me anë të telefonit, kontaktoi një çift të martuarish që shfaqën interes. Ata i thanë Dajanës se do të transferoheshin në një fshat të izoluar, ku nuk kishte as elektricitet e as internet. Veç kësaj, atje nuk banonte asnjë Dëshmitar i Jehovait. Kështu i dhanë Dajanës numrin e një kabine telefonike në fshat që të vazhdonin bisedat rreth Biblës, dhe të tre ranë dakord për ditën dhe orarin kur mund të flisnin.

 Dajana e mori çiftin në telefon në orarin që kishin caktuar, dhe ata u përgjigjën. Gjatë dy javëve pasuese bënë edhe tri biseda të tjera me anë të telefonit.

 Mirëpo, më pas, çifti nuk po përgjigjej më në telefon. Dajana nuk u shkurajua, por vazhdoi të telefononte tri herë në javë tek ajo kabinë telefonike dhe i predikonte kujtdo që përgjigjej. Si rezultat, ajo filloi disa studime të Biblës me banorët e fshatit.

 Një ditë, ndërsa Dajana me të shoqin po bënin studimin e Biblës me një të ri me anë të telefonit, një udhëheqësi të kishës së fshatit i zuri veshi bisedën e tyre. U afrua pranë studentit të Biblës që të dëgjonte më mirë dhe më pas i kërkoi të fliste me Dajanën dhe të shoqin. Aq shumë u kënaq nga ajo që dëgjoi, saqë shprehu dëshirën për të studiuar Biblën me ta.

 Me kalimin e kohës, Dajana me të shoqin po drejtonin gjashtë studime të Biblës në atë fshat të izoluar, përfshirë këtu edhe udhëheqësin e kishës. Disa nga studentët ndoqën disa mbledhje nga ajo kabinë telefonike. Madje, një prej tyre kishte bërë një stol që studentët të uleshin kur bënin studimin e Biblës.

 Dajana dhe i shoqi i janë mirënjohës Jehovait që patën mundësi të shpërndanin mesazhin e Mbretërisë në atë fshat të largët. Dajana thotë: «Jehovai sigurohet që çdokush ta dëgjojë lajmin e mirë, madje edhe nëse jeton në një vend të izoluar.»