Kalo te përmbajtja

BIBLA TË NDRYSHON JETËN

Jeta po më shkiste nga duart!

Jeta po më shkiste nga duart!
  • Lindur: 1971

  • Vendi i lindjes: Tongë

  • Të dhëna: Abuzonte me drogën, i burgosur

E KALUARA IME

 Familja ime është nga Tonga, një vend i përbërë nga rreth 170 ishuj, në jugperëndim të Paqësorit. Bënim një jetë të thjeshtë. Nuk kishim as energji elektrike, as makinë, por kishim ujë të rrjedhshëm dhe ca pula. Gjatë pushimeve të shkollës, bashkë me dy vëllezërit i jepnim një dorë babait që kujdesej për plantacionin e familjes, ku rritnim banane, jams, taro dhe maniokë. Duke shitur këto dhe duke bërë punë të vogla, babai mbështeste familjen. Si banorët e tjerë të ishullit, edhe familja jonë e kishte shumë për zemër Biblën dhe shkonim rregullisht në kishë. Prapëseprapë besonim se e vetmja mënyrë për një jetë më të mirë ishte të emigronim në një vend të pasur.

 Kur isha 16 vjeç, daja na ndihmoi të vendoseshim në Kaliforni, SHBA. Për ne ishte botë tjetër. Edhe pse ishim më mirë nga ana ekonomike, jetonim në një zonë të varfër ku krimet e dhunshme dhe droga ishin tejet të përhapura. Shpesh dëgjonim të shtëna me armë gjatë natës, dhe shumica e komshinjve kishin frikë nga bandat kriminale. Mjaft veta mbanin armë për vetëmbrojtje ose për të zgjidhur konfliktet. Akoma kam një plumb në kraharor për shkak të një sherri të tillë.

 Në shkollë të mesme doja të isha si gjithë të rinjtë e tjerë. Fillova të merrja pjesë gjithnjë e më shumë në festa të shfrenuara, të pija me tepri, të kryeja akte dhune dhe të përdorja drogë. Me kalimin e kohës u bëra i varur ndaj kokainës. Kështu që nisa të vidhja, që të blija drogë. Edhe pse si familje shkonim rregullisht në kishë, asnjëherë nuk mësova si t’i rezistoja presionit të moshatarëve për të bërë gjëra të këqija. Më arrestuan shpesh për akte dhune dhe me kalimin e kohës përfundova në burg. Jeta po më shkiste nga duart!

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA

 Në vitin 1997 isha në burg. Një ditë një i burgosur më pa që po mbaja Biblën në dorë. Ishin Krishtlindjet, një periudhë goxha e shenjtë për shumicën banorëve të Tongës. Ai më pyeti nëse e dija ç’thoshte Bibla për lindjen e Krishtit, mirëpo as që e kisha idenë për këtë. Më tregoi nga Bibla historinë e thjeshtë për lindjen e Jezuit dhe pashë se shumë nga gjërat karakteristike të Krishtlindjeve as që përmendeshin në Bibël. (Mateu 2:1-12; Luka 2:5-14) Mbeta pa fjalë dhe vrisja mendjen ç’gjëra të tjera thotë Bibla. Ai i ndiqte rregullisht mbledhjet që mbanin Dëshmitarët e Jehovait në burg, ndaj vendosa të shkoja edhe unë. Kur vajta, po diskutonin për Zbulesën, një libër të Biblës. Edhe pse kuptova fare pak nga diskutimi, pashë se çdo gjë që mësonin, e bazonin në Bibël.

 Kur Dëshmitarët më pyetën nëse kisha dëshirë të studioja Biblën me ta, pranova me kënaqësi. Për herë të parë mësova se Bibla premton se toka do të bëhet parajsë. (Isaia 35:5-8) Tani e kisha të qartë se, për t’i pëlqyer Zotit, duhej të bëja ndryshime rrënjësore. Kuptova se Perëndia Jehova nuk do të më lejonte të jetoja në Parajsën e premtuar, po të mos i lija veset. (1 Korintasve 6:9, 10) Kështu që vendosa të mos shpërtheja kot së koti, të lija duhanin, të mos pija me tepri e të mos merrja drogë.

 Më 1999, para se të dilja nga burgu, më transferuan në një kamp refugjatësh. Për më shumë se një vit nuk u lidha dot me Dëshmitarët. Gjithsesi e kisha ndarë mendjen të vazhdoja të bëja ndryshime. Në vitin 2000 qeveria ma anuloi lejeqëndrimin në Shtetet e Bashkuara dhe më dëboi në Tongë.

 Në Tongë mezi prisja të gjeja Dëshmitarët e Jehovait dhe të rifilloja të studioja Biblën. Më kënaqte shumë ajo që mësoja dhe mrekullohesha kur shihja që Dëshmitarët në ishull i bazonin në Shkrime të gjitha mësimet, tamam si Dëshmitarët në Shtetet e Bashkuara.

 Babanë e njihnin të gjithë në zonë, ngaqë kishte një detyrë me shumë përgjegjësi në kishën e tij. Prandaj, në fillim familja s’po më kuptonte dhe u acaruan ngaqë po shoqërohesha me Dëshmitarët e Jehovait. Gjithsesi, më vonë prindërve u pëlqente që parimet e Biblës po më ndihmonin të lija veset e këqija.

Si shumë burra vendës, çdo javë kaloja orë duke pirë kavë

 Ndër gjërat më të vështira për mua ishte të hiqja dorë nga një pije e zakonshme në vendin tim. Shumë burra vendës harxhojnë orë të tëra çdo javë duke pirë kavë, pije me efekt trullosës, që përgatitet duke shtypur rrënjët e bimës së piperit. Kur u ktheva në vendlindje, kisha shokë që nuk i vlerësonin fare normat e Biblës. Prandaj edhe e bëra zakon të shkoja thuajse çdo natë në klube ku pihej kavë dhe pija derisa humbja vetëdijen. Avash-avash kuptova se veset e mia e fyenin e Perëndinë dhe bëra ndryshime, që të kisha bekimin dhe miratimin e Tij.

 Nisa të ndiqja të gjitha mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Ngaqë rrija me ata që bënin çmos t’i pëlqenin Perëndisë, e kisha më të lehtë t’u rezistoja tundimeve. Më 2002 u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait.

DOBITË

 Kam nxjerrë dobi nga durimi i Perëndisë, për të cilin Bibla thotë: «Jehovai . . . është i durueshëm me ju, sepse nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë pendimin.» (2 Pjetrit 3:9) S’diskutohet që ai mund t’ia kishte sjellë fundin prej kohësh këtij sistemi të vjetër e të prishur. Ama, po u jep kohë njerëzve si puna ime që të lidhin miqësi me të. Do të isha shumë i lumtur që Jehovai të ndihmonte edhe të tjerë nëpërmjet meje.

 Falë Jehovait, jeta ime nuk u shkatërrua plotësisht. Nuk vjedh më për të ushqyer varësitë e mia vdekjeprurëse. Përkundrazi, përpiqem me gjithë shpirt të ndihmoj fqinjët, që edhe ata të bëhen miq të Jehovait. Mes Dëshmitarëve të Jehovait takova gruan time të shtrenjtë, Tean. Bashkë me çunin e vogël jemi shumë të lumtur. Si familje u flasim të tjerëve për shpresën që jep Bibla për jetën e përhershme në një parajsë paqësore.