Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

JETËSHKRIM

Jehovai më ka dhënë më tepër se ç’meritoj

Jehovai më ka dhënë më tepër se ç’meritoj

Isha vetëm 17 vjeç dhe doja e synoja gjëra tipike për shumicën e adoleshentëve. Më pëlqente shumë të rrija me shokët, të notoja dhe të luaja futboll. Mirëpo, një mbrëmje jeta ime ndryshoi kryekëput. Bëra një aksident të tmerrshëm me motoçikletë dhe mbeta i paralizuar nga qafa e poshtë. Kjo ndodhi rreth 30 vjet më parë, dhe që atëherë kam zënë krevatin.

U rrita në qytetin Alikante, në brigjet lindore të Spanjës. Familja ime ishte shkatërruar fare, ndaj që i vogël rrija rrugëve më të shumtën e kohës. Afër shtëpisë sime ishte një gomisteri. Aty zura shok një nga punëtorët, Hose-Marinë. Ishte babaxhan e më jepte ngrohtësinë që më kishte munguar aq shumë në familje. Në kohë të vështira më bëhej vëlla, mik i vërtetë, megjithëse ishte 20 vjet më i madh.

Hose-Maria studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Dukej qartë se i kishte për zemër Shkrimet, dhe më fliste shpesh për të vërtetat biblike. E dëgjoja me respekt, por kurrë nuk i merrja seriozisht ato që thoshte. Si gjithë adoleshentët, e kisha mendjen te gjëra të tjera. Gjithsesi, kjo do të ndryshonte.

NJË AKSIDENT MË NDRYSHOI JETËN

Nuk më pëlqen edhe aq të flas për aksidentin. Po ju them vetëm se u tregova i marrë e kokëkrisur. Brenda një dite jeta ime ndryshoi krejt. Nga një adoleshent plot gjallëri, papritur mbeta i paralizuar dhe përfundova në pavijonin e spitalit. S’arrija ta pranoja këtë ndryshim. Pyesja veten pareshtur: «E pse të jetoj?»

Hose-Maria erdhi të më shihte, dhe pa humbur kohë mori masa të më vizitonin Dëshmitarët e Jehovait nga kongregacioni vendës. Ato vizita të rregullta më prekën thellë. Sapo dola nga reanimacioni, nisa të studioja Biblën. Mësova të vërtetën pse njerëzit vuajnë e vdesin dhe pse Zoti lejon të ndodhin të këqija. Mësova edhe se Perëndia premton një botë plot njerëz të përsosur ku askush s’do të thotë: «Jam sëmurë.» (Isaia 33:24) Për herë të parë në jetën time kisha një shpresë të mrekullueshme.

Kur dola nga spitali, eca goxha me studimin e Biblës. Madje, me një karrocë të veçantë për invalidë, ndoqa disa herë mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait dhe predikova bashkë me ta. Më 5 nëntor 1988, kur isha 20 vjeç, u pagëzova në një vaskë të posaçme. Perëndia Jehova më kishte dhënë një këndvështrim komplet të ri për jetën. Por, si mund ta tregoja mirënjohjen?

AKTIV, MEGJITHËSE I PARALIZUAR

Isha i vendosur të mos lejoja që gjendja ime të më pengonte të jepja më të mirën në shërbim të Jehovait. Doja të bëja më tepër. (1 Timoteut 4:15) Në fillim s’e pata të lehtë, pasi familja nuk ishte fare dakord me besimin tim të ri. Por kisha bashkëbesimtarët, motrat e vëllezërit e mi në besim. Bënin çmos të mos humbja asnjë mbledhje dhe të predikoja.

Gjithsesi, me kohë u duk qartë se kisha nevojë për kujdes profesional 24 orë në ditë. Pas shumë kërkimesh gjeta një qendër të përshtatshme për invalidët në qytetin e Valencias, 160 km në veri të Alikantes. Ajo u bë shtëpia ime e përhershme.

Edhe pse i ngujuar në krevat, jam i vendosur t’u flas të tjerëve për besimin tim

Edhe pse i ngujuar në krevat, isha i vendosur të vazhdoja t’i shërbeja Jehovait. Me pensionin e invalidit dhe me ndihma të tjera nga shteti, bleva një kompjuter që e instalova pranë krevatit. Mora edhe celular. Tani, një nga infermierët më ndez çdo mëngjes kompjuterin dhe telefonin. Kompjuterin e komandoj me mjekër me anë të një leve, kurse tastierën dhe telefonin i komandoj me anë të një shkopi të posaçëm që e lëviz me gojë.

Me një shkop të vogël arrij t’i bie telefonit

Si më kanë ndihmuar këto pajisje? Së pari, falë tyre hyj në sitin jw.org dhe në BIBLIOTEKËN ONLINE Watchtower. Sa të dobishme janë këto mjete! Çdo ditë studioj dhe bëj kërkime në botimet biblike, shpesh me orë të tëra, që të mësoj më shumë për Zotin dhe për cilësitë e tij të jashtëzakonshme. Dhe, kur ndihem vetëm ose kur më lëshon disi zemra, në sit gjej gjithnjë diçka që më ngre moralin.

Falë kompjuterit dëgjoj edhe mbledhjet e kongregacionit e marr pjesë në to. Komentoj, lutem, mbaj fjalime dhe madje lexoj revistën Kulla e Rojës kur e kam caktim. Edhe pse nuk mund të jem fizikisht atje, ndihem plotësisht pjesë e kongregacionit.

Telefoni dhe kompjuteri më ndihmojnë edhe që të jap maksimumin në predikim. Vërtet, nuk shkoj dot shtëpi më shtëpi siç bëjnë shumica e Dëshmitarëve të Jehovait, por kjo s’më ka penguar. Me këto mjete arrij t’u flas të tjerëve për besimin tim. Faktikisht, kaq shumë kënaqem duke biseduar në telefon, saqë pleqtë vendës më kanë kërkuar të organizoj fushata predikimi me anë të telefonit. Këto fushata kanë ndihmuar sidomos ata pjesëtarë të kongregacionit që nuk dalin dot nga shtëpia.

Duke drejtuar një studim biblik

Megjithatë, jeta ime nuk vërtitet rreth teknologjisë. Çdo ditë vijnë të më takojnë miq të shtrenjtë. Ata sjellin të afërm a të njohur që duan të dinë për Biblën. Shpesh më kërkojnë t’i drejtoj unë bisedat me ta. Në raste të tjera vijnë si familje dhe e bëjnë adhurimin familjar me mua. Kënaqem sidomos kur fëmijët ulen pranë meje e më tregojnë pse e duan Jehovain.

Gjatë një adhurimi familjar me miqtë

Ndihem mirë që kam kaq shumë vizitorë. Shpeshherë dhoma ime gumëzhin nga miqtë që vijnë si nga afër, edhe nga larg. Siç mund ta merrni me mend, infermierët habiten kur shohin sa shumë njerëz më duan e më vizitojnë. Çdo ditë falënderoj Jehovain që më jep mundësi të jem pjesë e një vëllazërie kaq të mrekullueshme.

VAZHDOJ LUFTËN TIME

Kur dikush më përshëndet e më pyet si jam, i përgjigjem me dy fjalë: «Po ja, vazhdoj luftën time.» S’diskutohet, e di se nuk jam i vetëm në këtë betejë. Sido qofshin rrethanat a kufizimet tona, të gjithë ne të krishterët jemi në luftë, në «luftën e shkëlqyer të besimit». (1 Timoteut 6:12) Ç’më ka ndihmuar në këtë betejë për kaq shumë vite? Lutem çdo ditë dhe falënderoj Jehovain që më dha një qëllim në jetë. Përpiqem të përfshihem sa më shumë në shërbim të Zotit, me sytë nga shpresa që kam përpara.

Hose-Maria

Mendoj vazhdimisht për botën e re dhe si do të jetë kur të vrapoj e të kërcej sërish. Ndonjëherë me mikun tim, Hose-Marinë, që vuan nga poliomieliti, themi me shaka se do të bëjmë gara bashkë. E pyes: «Kush do të fitojë?» Ai më thotë: «Pak rëndësi ka. E rëndësishme është që në Parajsë do të mund të vrapojmë.»

Nuk e kam pasur aspak të lehtë të pranoja kufizimet e mia. E di se kur isha adoleshent bëra një budallallëk që më ka kushtuar shtrenjtë. Sidoqoftë, i jam tejet mirënjohës Jehovait që nuk më braktisi. Ai më ka dhënë kaq shumë: një familje të madhe besimtarësh, dëshirën për të jetuar, gëzimin që vjen kur ndihmon të tjerët dhe një shpresë të jashtëzakonshme për të ardhmen. Po t’i përmblidhja ndjenjat e mia me pak fjalë, do të thosha: «Jehovai më ka dhënë vërtet më tepër se ç’meritoj.»