Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | A ËSHTË AFËR FUNDI?

«Fundi»—Ç’domethënie ka?

«Fundi»—Ç’domethënie ka?

Ç’të vjen ndër mend kur dëgjon shprehjen «fundi është afër»? Filmat me skena terrorizuese të asteroidëve të zjarrtë që godasin tokën? Apo një Luftë e Tretë Botërore ku bota zhduket nga shpërthimet e bombave bërthamore? Skena të tilla i shqetësojnë disa, ndërsa të tjerë i bëjnë dyshues e madje i argëtojnë.

Bibla e thotë qartë: «Do të vijë fundi.» (Mateu 24:14) E njëjta ngjarje quhet ‘dita e madhe e Perëndisë’ dhe «Harmagedon». (Zbulesa 16:14, 16) Është e vërtetë se ajo që thonë fetë për këtë temë të pështjellon shumë dhe të bën të përfytyrosh skena të çuditshme e të zymta. Sidoqoftë, vetë Bibla e sqaron mirë fundin, duke treguar çfarë është dhe çfarë nuk është. Gjithashtu, Fjala e Zotit na ndihmon të kuptojmë qartë nëse fundi është afër. Mbi të gjitha na mëson si të mbijetojmë. Por, së pari le të shtjellojmë disa keqkuptime e të dallojmë përkufizimin e duhur për fundin. Sipas Biblës, cila është domethënia e vërtetë për «fundin»?

ÇFARË NUK ËSHTË FUNDI

  1. FUNDI NUK ËSHTË SHKATËRRIMI KOLOSAL I TOKËS NGA ZJARRI.

    Bibla thotë: «Ti [o Zot] e vendose tokën mbi themele të forta; ajo nuk do të lëkundet asnjëherë, po, kurrën e kurrës.» (Psalmi 104:5) Ky shkrim e të tjera na sigurojnë se Perëndia as do ta shkatërrojë tokën, as do të lejojë ta shkatërrojnë të tjerët—kurrën e kurrës!—Eklisiastiu 1:4; Isaia 45:18.

  2. FUNDI NUK ËSHTË NGJARJE E RASTËSISHME, E PAPLANIFIKUAR.

    Bibla tregon se fundi është i planifikuar, Zoti ka caktuar një kohë specifike për të: «Atë ditë ose atë orë s’e di askush, as engjëjt në qiell, as Biri, përveç Atit. Mbani sytë hapur dhe rrini zgjuar, sepse nuk e dini se kur është koha e caktuar.» (Marku 13:32, 33) Qartë, Zoti (‘Ati’) ka programuar ‘kohën e caktuar’ se kur do të sjellë fundin.

  3. FUNDI NUK VJEN NGA NJERËZIT OSE NGA NDONJË METEOR GJIGANT.

    Nga do të vijë fundi? Zbulesa 19:11 thotë: «Pashë qiellin të hapur dhe ja, një kalë i bardhë. Ai që rrinte mbi kalë, quhet i Besueshëm e i Vërtetë.» Vargu 19 vazhdon: «Pashë bishën, mbretërit e tokës dhe ushtritë e tyre të mbledhura së bashku për të luftuar kundër atij që rri mbi kalë dhe kundër ushtrisë së tij.» (Zbulesa 19:11-21) Megjithëse këtu është përdorur gjuhë simbolike, e kuptojmë menjëherë këtë fakt: Zoti do të dërgojë një ushtri krijesash engjëllore që të shfarosin armiqtë e tij.

Mesazhi i Biblës për fundin është lajm i mirë, jo i keq

ÇFARË ËSHTË FUNDI

  1. FUNDI I QEVERIVE NJERËZORE TË DËSHTUARA.

    Bibla shpjegon: «Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri [qeveri] që nuk do të shkatërrohet kurrë. Kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive, dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.» (Danieli 2:44) Siç u tha më lart, në pikën 3, do të shfarosen «mbretërit e tokës dhe ushtritë e tyre» që do të jenë ‘mbledhur së bashku për të luftuar kundër atij që rri mbi kalë dhe kundër ushtrisë së tij’.—Zbulesa 19:19.

  2. FUNDI I LUFTËS, I DHUNËS DHE I PADREJTËSIVE.

    «[Zoti] i pushon luftërat deri në skaj të dheut.» (Psalmi 46:9) «Vetëm të drejtët do të banojnë në tokë dhe të paqortueshmit do të mbeten në të. Kurse të ligjtë do të shfarosen nga toka dhe të pabesët do të shkulen prej saj.» (Proverbat 2:21, 22) Perëndia thotë: «Ja, po bëj çdo gjë të re.»—Zbulesa 21:4, 5.

  3. FUNDI I FEVE QË KANË ZHGËNJYER ZOTIN DHE NJERËZIT.

    Bibla tregon: «Profetët profetizojnë gënjeshtra, kurse priftërinjtë shtypin popullin me gjithë fuqinë e tyre. . . . Çfarë do të bëni pasi kjo gjë të përfundojë?!» (Jeremia 5:31) Jezu Krishti tha: «Shumë do të më thonë atë ditë: ‘Zotëri, Zotëri, a nuk profetizuam në emrin tënd, a nuk dëbuam demonë në emrin tënd dhe a nuk kryem shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?’ E megjithatë do t’u them atyre: ‘Kurrë nuk ju kam njohur. Largohuni nga unë, ju që bëni paligjshmëri!’»—Mateu 7:21-23.

  4. FUNDI I NJERËZVE QË MBËSHTETIN SITUATËN E TANISHME BOTËRORE.

    Jezu Krishti tregoi: «Baza për gjykim është kjo: drita erdhi në botë, por, në vend të dritës, njerëzit deshën errësirën, sepse veprat e tyre ishin të liga.» (Gjoni 3:19) Bibla përshkruan një shkatërrim në lashtësi në shkallë botërore në kohën e Noesë besnik. «Bota e asaj kohe pësoi shkatërrimin, kur u përmbyt nga uji. Megjithatë, me anë të së njëjtës fjalë, qiejt dhe toka që janë tani, janë ruajtur për zjarrin dhe po rezervohen për ditën e gjykimit e të shkatërrimit të njerëzve të paperëndishëm.»—2 Pjetrit 3:5-7.

Vër re se ‘dita e gjykimit dhe e shkatërrimit’ që do të vijë, krahasohet me shkatërrimin e ‘botës’ në kohën e Noesë. Cila botë u shkatërrua? ‘Njerëzit e paperëndishëm’, jo Planeti ynë. Edhe gjatë ‘ditës së gjykimit’ që po vjen, ata që zgjedhin të jenë armiq të Zotit do të shkatërrohen. Kurse miqtë e Perëndisë do të shpëtojnë, ashtu si Noeja dhe familja e tij.—Mateu 24:37-42.

Përfytyro sa e mrekullueshme do të jetë toka pasi Zoti të shfarosë të gjitha ndikimet e këqija. Qartë, mesazhi i Biblës për fundin është i mirë, jo i keq. Por, ndoshta pyet veten: «A e thotë Bibla se kur do të vijë fundi? Mos është afër? Si të mbijetoj kur të vijë fundi?»