Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet të marr borxh?

A duhet të marr borxh?

«Të marrësh borxh është si dasmë; ta shlyesh është si vajtim.»—Proverb suahili.

KJO është një thënie goxha e njohur në Afrikën Lindore dhe pa dyshim pasqyron pikëpamjen e shumë njerëzve në mbarë botën. A mendon edhe ti kështu për borxhin nga një mik ose nga ndonjë burim tjetër? Edhe pse ndonjëherë mund të jetë e përshtatshme, a është zgjidhje e mirë? Cilat janë rreziqet dhe grackat e borxhit?

Një shprehje tjetër suahili shkon në thelb të çështjes. Ajo thotë: «Huamarrja dhe huadhënia prishin miqësinë.» S’diskutohet që borxhet mund të vënë në rrezik miqësitë dhe marrëdhënien me të tjerët. Edhe me planet më të kujdesshme dhe qëllimet më të sinqerta, gjërat nuk dalin gjithmonë siç i presim. Për shembull, nëse kalon afati dhe nuk është shlyer shuma e duhur, huadhënësi mund të acarohet. Kjo mund të krijojë ndjenja mllefi dhe mund të tendosë marrëdhëniet mes huadhënësit e huamarrësit, madje edhe mes familjarëve të tyre. Meqë borxhi mund të jetë burim fërkimesh, ndoshta duhet ta shohim si mundësinë e fundit, jo si zgjidhjen më të kollajshme për problemet ekonomike.

Huamarrja mund të vërë në rrezik edhe marrëdhënien e dikujt me Zotin. Si ka mundësi? Pikë së pari, Bibla thotë se kush nuk pranon të shlyejë borxhet me qëllim e me vetëdije është i lig. (Psalmi 37:21) Gjithashtu e bën të qartë se «huamarrësi është shërbëtor i huadhënësit». (Proverbat 22:7) Huamarrësi duhet të kuptojë se derisa të shlyejë borxhin ka një detyrim ndaj huadhënësit. Është i vërtetë edhe ky proverb afrikan: «Nëse i merr borxh këmbët tjetrit, do të shkosh ku të të drejtojë ai.» Ideja është se një person i zhytur në borxhe nuk është më i lirë të bëjë çfarë t’i dojë qejfi.

Ja pse i duhet dhënë përparësi shlyerjes së borxhit. Përndryshe mund të lindin vështirësi. Grumbullimi i borxheve mund të shkaktojë goxha stres, si edhe net pa gjumë, punë jashtë orarit, grindje mes bashkëshortëve dhe madje ndarje të familjeve, për të mos përmendur mundësinë e gjyqeve ose të burgimit. Fjalët te Romakëve 13:8 janë mjaft të mençura: «Të mos i detyroheni askujt për asgjë, përveçse të doni njëri-tjetrin.»

A DUHET SE S’BËN?

Duke marrë parasysh gjithë sa thamë, është më mirë të bëjmë kujdes kur vjen puna te borxhet. Është e mençur të pyesim veten: a kam vërtet nevojë të marr borxh? A më duhen për të shpëtuar burimin e të ardhurave që të kujdesem për familjen? Apo mos përfshihet njëfarë lakmie, ndoshta dëshira për të rritur standardin e jetesës përtej asaj që ma mban xhepi? Në shumicën e rasteve, më mirë të kënaqemi me pak se ta detyrojmë veten të futemi në borxhe.

Patjetër që ka përjashtime, për shembull kur del një urgjencë dhe duket se nuk ka rrugëdalje tjetër. Edhe po të ndodhë kjo, nëse dikush vendos të marrë borxh duhet të tregojë se është njeri parimor. Si?

Së pari, kurrë mos përfito nga dikush vetëm ngaqë duket se është më në gjendje se të tjerët. Nuk duhet të pretendojmë që, kur një person duket se është i kamur, e ka për detyrë të na ndihmojë financiarisht. As nuk duhet të mendojmë se s’kemi asnjë detyrim moral për të vepruar me ndershmëri ndaj tij. Mos ki zili ata që duken se gëzojnë siguri ekonomike.Proverbat 28:22.

Pastaj, sigurohu të shlyesh atë që ke marrë dhe bëje këtë pa vonuar. Nëse huadhënësi nuk cakton një afat, duhet ta caktosh ti dhe duhet t’i përmbahesh. Këshillohet ta hidhni me shkrim marrëveshjen që të shmangni keqkuptimet nga secila palë. (Jeremia 32:9, 10) Nëse është e mundur, ktheja ti vetë borxhin huadhënësit që të mund ta falënderosh personalisht. Përgjegjshmëria që shfaq duke kthyer atë që merr, nxit marrëdhënie të mira. Në Predikimin në Mal Jezui tha: «Nëse thoni ‘Po’, le të jetë ‘Po’, dhe nëse thoni ‘Jo’, le të jetë ‘Jo’.» (Mateu 5:37) Veç kësaj, mbani gjithnjë në mendje Rregullën e Artë: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.»Mateu 7:12.

KËSHILLA TË MENÇURA BIBLIKE

Në Bibël gjejmë këtë parim të thjeshtë për të mposhtur nxitjen që të marrim borxh: «Sigurisht, përkushtimi hyjnor bashkë me kënaqjen me atë që kemi, është një mjet për fitim të madh.» (1 Timoteut 6:6) Me fjalë të tjera, të kënaqemi me atë që kemi, është mënyra më e mirë për të shpëtuar nga pasojat e hidhura të huamarrjes. Sidoqoftë duhet ta pranojmë se nuk është e lehtë të ndihemi të kënaqur në këtë botë që i do gjërat në çast. Këtu hyn në lojë «përkushtimi hyjnor». Në ç’kuptim?

Mendoni për një çift të krishterë në Azi. Kur ishin të rinj, i admironin ata që kishin shtëpi. Kështu vendosën të blinin një shtëpi me kursimet e veta dhe me paratë që morën borxh nga banka e nga të afërmit. Por shpejt nisën të ndienin barrën e rëndë të shumave të larta që duhej të paguanin çdo muaj. Nisën të punonin më shumë, me orë të zgjatura dhe kështu u mbeti fare pak kohë për fëmijët. Bashkëshorti thotë: «Stresi, dhembja dhe pagjumësia ishin si një peshë e rëndë mbi kokë. Po më zihej fryma.»

«Është mbrojtje t’i shohësh gjërat materiale nga këndvështrimi hyjnor»

Më vonë sollën ndër mend fjalët e 1 Timoteut 6:6 dhe vendosën se e vetmja zgjidhje ishte të shitnin shtëpinë. Iu deshën dy vjet që të çliroheshin nga kjo barrë. Ç’mësuan nga përvoja e tyre? Ata shpjegojnë: «Është mbrojtje t’i shohësh gjërat materiale nga këndvështrimi hyjnor.»

Proverbi suahili që përmendëm në fillim njihet gjerësisht. Prapëseprapë, nuk i ka stepur njerëzit të hyjnë në borxhe. Nën dritën e parimeve biblike që shqyrtuam, a nuk është e mençur ta mendojmë seriozisht pyetjen: a duhet të marr borxh?