Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 BIBLA TË NDRYSHON JETËN

Ata përdornin Biblën për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje

Ata përdornin Biblën për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje
  • LINDUR: 1950

  • VENDI I LINDJES: SPANJË

  • MË PARË: MURGESHË KATOLIKE

E KALUARA IME:

Kur linda, prindërit kishin një fermë të vogël në një fshat të Galicisë, në veriperëndim të Spanjës. Isha e katërta nga tetë fëmijët. U rritëm në një vatër të ngrohtë familjare. Në Spanjën e asaj kohe ishte e zakonshme që të paktën një fëmijë i familjes të shkonte në seminar ose kuvend. Tre nga ne e ndërmorën këtë hap.

Kur isha 13 vjeçe, shkova në një kuvend në Madrid, ku ishte edhe motra ime. Atmosfera në kuvend ishte e ftohtë. Miqësitë nuk ekzistonin—kishte vetëm rregulla, lutje dhe zymtësi. Në mëngjes herët mblidheshim në kishë për të medituar, megjithëse shpesh nuk mendoja për asgjë. Më vonë, këndonim këngë fetare dhe kremtonim meshën; gjithçka në latinisht. Nuk kuptoja thuajse asgjë dhe më dukej se Perëndia ishte tepër larg nga unë. Ditët kalonin në heshtje të nderë. Edhe kur takohesha me motrën, thjesht përshëndeteshim me fjalët: «Qoftë lëvduar virgjëresha Mari!» Murgeshat na lejonin të flisnim vetëm gjysmë ore pas buke. Sa shumë ndryshonte nga jeta e lumtur familjare që gëzoja në shtëpi. Ndihesha e izoluar dhe shpesh qaja.

Megjithëse nuk ndihesha kurrë pranë Perëndisë, i mbajta zotimet dhe u bëra murgeshë në moshën 17-vjeçare. Në të vërtetë, bëra vetëm atë që pritej nga unë, por s’kaloi shumë dhe nisa të dyshoja nëse Perëndia më kishte zgjedhur për këtë. Murgeshat thoshin se kush kishte dyshime të tilla, do të shkonte në ferrin e zjarrtë. Prapëseprapë, dyshimet nuk m’u fashitën. E dija se Jezu Krishti nuk kishte jetuar i veçuar nga të tjerët. Përkundrazi, ai kishte qenë gjithnjë i angazhuar duke mësuar dhe ndihmuar të tjerët. (Mateu 4:23-25) Kur isha 20 vjeçe, nuk i kisha fare të qarta arsyet pse duhet të vazhdoja si murgeshë. Çuditërisht, kryemurgesha më tha se po të isha në mëdyshje, më mirë të largohesha sa më shpejt. Mbase kishte frikë se mos ndikoja te të tjerat. Kështu, ika nga kuvendi.

 Kur u ktheva në shtëpi, prindërit u treguan shumë të mirëkuptueshëm. Por, meqë atje nuk kishte punë, emigrova në Gjermani, ku jetonte njëri nga vëllezërit. Ai i përkiste një grupi komunist aktiv me spanjollë të mërguar. Ndihesha rehat me këta njerëz që luftonin për të drejtat e punëtorëve dhe për barazinë e grave. Prandaj, u bëra komuniste dhe më vonë u martova me një pjesëtar të grupit. Mendoja se po bëja diçka të dobishme, shpërndaja literaturë komuniste dhe merrja pjesë në marshime protestuese.

Megjithatë, më vonë u shkurajova sërish. Mendoja se komunistët shpesh nuk i zbatonin gjërat që predikonin. Këto dyshime m’u bënë më të forta në vitin 1971, kur disa bashkëpjesëtarë të rinj në moshë i vunë flakën konsullatës spanjolle në Frankfurt, si shenjë proteste ndaj padrejtësive në Spanjën diktatoriale. Por nuk besoja se kjo ishte rruga e duhur për të shprehur indinjatën.

Kur linda fëmijën e parë, i thashë burrit se nuk do të shkoja më në mbledhjet komuniste. Ndihesha tepër e vetmuar ngaqë askush nga miqtë e mëparshëm nuk vinte të më takonte mua dhe foshnjën. Pyesja veten se cili ishte qëllimi i jetës. A ia vlenin vërtet përpjekjet për të përmirësuar shoqërinë?

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:

Në vitin 1976, një çift Dëshmitarësh spanjollë më trokitën në derë dhe më ofruan literaturë biblike, të cilën e pranova. Kur erdhën sërish, nisa t’i bombardoja me pyetje për vuajtjet, pabarazitë dhe padrejtësitë. Habitesha që ata përdornin Biblën për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje! Nuk m’u desh shumë për të pranuar një studim biblik.

Në fillim doja vetëm të zgjeroja horizontin. Por gjërat ndryshuan kur bashkë me burrin filluam të ndiqnim mbledhjet në Sallën e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait. Në atë kohë kishim dy fëmijë. Dëshmitarët tregoheshin të gatshëm të na merrnin me makinë dhe na ndihmonin me fëmijët gjatë mbledhjeve. Më hynë në zemër Dëshmitarët.

Gjithsesi, kisha ende disa dyshime për fenë. Vendosa t’i bëja një vizitë familjes në Spanjë. Xhaxhai që ishte prift, u përpoq të ma mbushte mendjen të mos e studioja Biblën. Por Dëshmitarët atje më ndihmuan jashtë mase. Iu përgjigjën pyetjeve të mia me anë të Biblës, tamam si Dëshmitarët në Gjermani. Kur u ktheva në Gjermani, vendosa ta rifilloja studimin e Biblës. Megjithëse burri e ndërpreu studimin, unë s’kisha ndër mend të hiqja dorë. Në vitin 1978 u pagëzova si Dëshmitare e Jehovait.

DOBITË:

Njohuria e saktë e së vërtetës biblike ma ka bërë të qartë qëllimin dhe drejtimin në jetë. Për shembull, 1 Pjetrit 3:1-4 i nxit gratë ‘të jenë të nënshtruara’ ndaj burrave të tyre, të kenë «respekt të thellë» dhe ‘një frymë të qetë, e cila ka vlerë të madhe në sytë e Perëndisë’. Parime të tilla më kanë ndihmuar ta përmbush mirë rolin si bashkëshorte dhe nënë.

Kanë kaluar rreth 35 vjet që kur jam bërë Dëshmitare. Jam e lumtur që i shërbej Perëndisë bashkë me familjen mbarëbotërore me vëllezër e motra. Gjithashtu, më gufon zemra nga gëzimi që katër nga pesë fëmijët bëjnë po njësoj.