Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Me gruan time, Tabitën, duke predikuar

BIBLA TË NDRYSHON JETËN

Mendoja se nuk kishte Zot

Mendoja se nuk kishte Zot
  • LINDUR: 1974

  • VENDI I LINDJES: REPUBLIKA DEMOKRATIKE E GJERMANISË

  • TË DHËNA: ATEIST

E KALUARA IME:

Kam lindur në një fshat të Saksonisë, dikur pjesë e Republikës Demokratike të Gjermanisë (RDGJ). U rrita në një familje të dashur e të ngrohtë, dhe prindërit më mësuan vlera të larta morale. RDGJ-ja ishte shtet komunist, prandaj shumicës së njerëzve në Saksoni nuk i interesonte feja. Edhe unë mendoja se nuk kishte Zot. 18 vitet e para të jetës sime u modeluan nga dy ideologji: ateizmi dhe komunizmi.

Pse më bëri për vete komunizmi? Sepse më pëlqente mendimi se të gjithë janë të barabartë. Për më tepër, besoja se të gjitha zotërimet duheshin shpërndarë në mënyrë të drejtë. Kështu nuk do të kishte njerëz shumë të pasur dhe shumë të varfër. Prandaj u përfshiva goxha në një organizatë të rinjsh komunistë. Kur isha 14 vjeç, kalova mjaft kohë me një projekt mjedisor për riciklimin e letrave. Qyteti i Aues ishte aq mirënjohës për përpjekjet e mia, saqë autoritetet vendëse më nderuan me një çmim. Edhe pse ende i ri, njihja disa politikanë me poste të larta në RDGJ. Mendoja se po ndiqja synimet e duhura dhe më priste një e ardhme e shkëlqyer.

Më pas, krejt papritmas, bota m’u shemb. Më 1989 ra Muri i Berlinit dhe bashkë me të edhe blloku komunist i Evropës Lindore. U trondita pa masë, por nuk mbaroi me kaq. Shpejt zbulova se padrejtësitë kishin qenë të zakonshme në RDGJ. Për shembull, kush nuk mbështeste komunizmin, trajtohej si më i ulët. Si ishte e mundur? Si komunistë, a nuk besonim se të gjithë janë të barabartë? A ishte thjesht iluzion komunizmi? Më mbërtheu ankthi.

Kështu ndryshova përparësitë dhe u përqendrova te muzika e piktura. Meqë po studioja në një shkollë muzike, me synimin që të ndiqja universitetin, ëndërroja të bëja karrierë si muzikant e piktor. Për më tepër, u vura shkelmin vlerave morale që më kishin mësuar në fëmijëri. Tani e rëndësishme ishte të bëja qejf e madje kisha edhe disa të dashura njëherësh. Gjithsesi, muzika, piktura dhe jeta liberale nuk ma pakësuan ankthin. Madje, edhe në piktura pasqyroja një frikë të sëmurë. Si do të ishte e ardhmja? Dhe cili ishte qëllimi i jetës?

Kur mora përgjigjet e pyetjeve të mia, u mahnita. Një mbrëmje në shkollë, u ula me një grup shokësh që po diskutonin për të ardhmen. Një prej tyre ishte edhe Manda, * një Dëshmitare e Jehovait. Atë mbrëmje ajo më ndihmoi të gjeja drejtimin e duhur në jetë. Më tha: «Andreas, nëse do përgjigje për pyetjet rreth jetës e së ardhmes, kërko me kujdes në Bibël.»

Isha edhe skeptik, edhe kureshtar. Ama, në fund fitoi kureshtja. Manda më tregoi kapitullin 2 të Danielit. U mrekullova nga ajo që lexova aty. Kjo profeci përshkruan një sërë fuqish botërore, qeveri që do të ndikonin jashtë mase deri më sot. Ajo më tregoi edhe profeci të tjera biblike për të ardhmen. Më në fund pyetjet e mia po merrnin përgjigje! Por, kush i kishte shkruar këto profeci dhe kush mund ta parathoshte të ardhmen me kaq saktësi? Mos vallë ekzistonte Zoti?

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA

Nëpërmjet Mandës njoha Horstin dhe Anxhelikën, një çift Dëshmitarësh që më ndihmuan ta kuptoja më mirë Fjalën e Zotit. S’kaloi shumë dhe dallova se Dëshmitarët e Jehovait janë e vetmja organizatë fetare që gjithmonë përdorin emrin e Perëndisë, Jehova, dhe ua tregojnë të tjerëve. (Psalmi 83:18; Mateu 6:9) Mësova se Perëndia Jehova u ka ofruar gjithë njerëzve mundësinë për të jetuar përgjithmonë në një tokë parajsore. Psalmi 37:9 thotë: «Ata që shpresojnë te Jehovai, do të trashëgojnë tokën.» Më preku mendimi se kjo e ardhme është në dispozicion të kujtdo që përpiqet të jetojë sipas normave të Zotit, të cilat përshkruhen në Bibël.

Megjithatë m’u desh të përpiqesha shumë që të ndryshoja e të jetoja sipas Biblës. Suksesi si muzikant e piktor më bëri krenar, kështu që si fillim duhej të bëhesha më i përulur. Përveç kësaj, s’e kisha fare të lehtë ta braktisja jetën e shthurur. Sa mirënjohës jam që Jehovai shfaq durim, mëshirë dhe i kupton ata që bëjnë çmos të zbatojnë mësimet e Biblës.

Komunizmi dhe ateizmi u dhanë formë 18 viteve të para të jetës sime, por që nga ajo kohë, jetën po ma ndryshon Bibla. Ajo që mësova, ma pakësoi ankthin për të ardhmen dhe më dha një qëllim në jetë. Më 1993 u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait dhe në vitin 2000 u martova me Tabitën, një bashkëbesimtare të zellshme. Përpiqemi të kalojmë sa më shumë kohë duke ndihmuar të tjerët të mësojnë për Biblën. Mjaft nga ata që takojmë, janë rritur me ideologjitë e komunizmit dhe të ateizmit, njësoj si unë. Ndihem thellësisht i kënaqur që mund t’u tregoj si ta njohin Jehovain.

DOBITË

Kur fillova të studioja Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, prindërit u tmerruan. Megjithatë, që atëherë, kanë parë sa mirë ka ndikuar tek unë shoqëria me ta. Jam i kënaqur që tani prindërit lexojnë Biblën dhe shkojnë në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait.

Tabita dhe unë kemi një martesë të lumtur sepse bëjmë çmos të zbatojmë këshillat e Biblës për të martuarit. Për shembull, martesa jonë forcohet dita-ditës ngaqë ia vëmë veshin këshillës së saj për besnikërinë martesore.​—Hebrenjve 13:4.

Nuk jetoj më me frikë dhe nuk kam ankth për të nesërmen. Ndihem pjesë e një familjeje mbarëbotërore bashkëbesimtarësh që shijojnë paqe dhe unitet të vërtetë. Në këtë familje jemi të gjithë të barabartë. Pikërisht këtë kam besuar dhe kam dashur ta arrij gjatë gjithë jetës.

^ par. 12 Emri është ndryshuar.