Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 BIBLA TË NDRYSHON JETËN

«Jehovai nuk më kishte harruar»

«Jehovai nuk më kishte harruar»
  • LINDUR: 1922

  • VENDI I LINDJES: SPANJË

  • MË PARË: KATEKISTE

E KALUARA IME:

Linda në një lagje të shtresës së mesme në Bilbao, në veri të Spanjës. Isha e dyta nga katër fëmijët. Familja ime ishte katolike e devotshme dhe unë shkoja çdo ditë në meshë. Në moshën 23-vjeçare fillova punë si mësuese. Më pëlqente shumë dhe për 40 vjet nuk iu ndava këtij profesioni. Isha krenare që një ndër lëndët që jepja mësim, ishte edhe feja katolike, dhe në mbrëmje shërbeja si katekiste—mësoja vajzat për kungimin e tyre të parë.

Pas një martese të lumtur 12-vjeçare, ngela e ve me katër vajza për t’u kujdesur. Isha vetëm 33 vjeçe! U përpoqa të gjeja ngushëllim te besimi im katolik, por disa pyetje nuk më shqiteshin nga mendja. Pyesja veten: «Pse vazhdojnë të vdesin njerëzit nëse Krishti na ka shpenguar nga mëkati? Pse lutemi të vijë Mbretëria e Perëndisë nëse njerëzit e mirë shkojnë në qiell?» Dhe mbi të gjitha, mendoja: «Nëse Perëndia na gjykon kur vdesim, pse më vonë duhet të largohemi nga parajsa në qiell, purgatori ose ferri për të marrë gjykimin përfundimtar?»

Ua bëja këto pyetje disa priftërinjve që takoja. Njëri prej tyre m’u përgjigj: «Nuk e di. Pyet peshkopin. E ç’rëndësi ka? Ti beson në Zot, apo jo? I di Zoti këto punë!» Por vazhdova t’i kërkoja përgjigjet. Më vonë, ndoqa disa leksione te jezuitët, pentekostalët dhe gnostikët. Prapëseprapë, askush nuk më dha përgjigje të kënaqshme.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:

Kur isha në të 60-at, m’u afrua një nxënëse 7-vjeçare dhe më ftoi të ndiqja një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait. Më pëlqeu ajo që pashë dhe dëgjova, por ngaqë kisha një jetë të vrullshme, nuk i takova më Dëshmitarët në atë kohë. Dy vjet më vonë, një çift Dëshmitarësh, Huani dhe Maite, më trokitën në derë. Për tre muaj bëmë biseda intensive me pyetje-përgjigje, dhe në fund fillova të studioja Biblën me ta.

E prisja gjithmonë me padurim studimin. Gjithçka e shqyrtoja me imtësi duke përdorur tri përkthime të Biblës,  që të sigurohesha se Dëshmitarët e Jehovait mësonin të vërtetën. S’kaloi shumë dhe kuptova se për dekada të tëra kisha qenë shumë e pështjelluar nga ana fetare. Ndihesha e turbulluar nga ndryshimet drastike mes bindjeve të mëparshme dhe asaj që po mësoja nga Bibla. E kuptoja që duhej t’i ndryshoja krejtësisht bindjet e mia, t’i shkulja me gjithë rrënjë.

E dija se kisha gjetur një thesar

Më pas, burri im i dytë u sëmur rëndë dhe vdiq. Pak a shumë në atë kohë, dola në pension dhe u largova për ca kohë nga Bilbao. Edhe Huani me Maiten u transferuan diku tjetër. Mjerisht, e ndërpreva studimin biblik. Megjithatë, thellë brenda meje, e dija se kisha gjetur një thesar. Kurrë nuk e harrova.

Rreth 20 vjet më vonë, kur isha 82 vjeçe, Huani dhe Maite u kthyen në Bilbao dhe erdhën të më takonin. Sa e lumtur isha që i shihja sërish! E kuptova se Jehovai nuk më kishte harruar dhe e rifillova studimin. Huani dhe Maite ishin shumë të durueshëm me mua, pasi u bëja shpesh të njëjtat pyetje. Kisha nevojë t’i dëgjoja argumentet biblike herë pas here që t’i shkëputja lidhjet emocionale që kisha me bindjet e mëparshme. Gjithashtu, doja të isha e aftë t’u shpjegoja Biblën miqve dhe familjes.

Dita kur më në fund u pagëzova, në moshën 87-vjeçare, ishte dita më e lumtur e jetës sime. U pagëzova gjatë një asambleje të Dëshmitarëve të Jehovait. Një plak i krishterë mbajti një fjalim të bazuar në Bibël që na drejtohej veçanërisht neve që do të pagëzoheshim. Fjalimi më përloti dhe, kur e dëgjoja, më dukej sikur po më fliste drejtpërdrejt Jehovai. Pasi u pagëzova, dhjetëra Dëshmitarë erdhën e më uruan, edhe pse shumë prej tyre nuk i njihja fare.

DOBITË:

E kisha ditur gjithmonë se Jezu Krishti ishte «udha». (Gjoni 14:6) Por studimi i Biblës më ndihmoi të njihja Jehovain, të cilit i afrohemi nëpërmjet Jezuit. Tani mund t’i lutem Perëndisë si Atit dhe Mikut tim të shtrenjtë. Leximi i librit T’i afrohemi Jehovait * ishte një pikë kthese në jetën time. E lexova të tërin brenda një nate. U preka kur mësova sa i mëshirshëm është vërtet Jehovai.

Kur mendoj për sa shumë kohë e kërkova të vërtetën fetare, më vijnë ndër mend fjalët e Jezuit: «Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet, vazhdoni të kërkoni dhe do të gjeni, vazhdoni të trokitni dhe do t’ju hapet.» (Mateu 7:7) Tani që i kam gjetur përgjigjet që i kërkoja me aq zjarr, ua tregoj edhe të tjerëve me shumë gëzim.

Jam 90 vjeçe, por ndihem e re në besim. Çdo mbledhje që ndjek në Sallën e Mbretërisë është një rast i veçantë—si për njohurinë e çmuar që marr, edhe për shoqërinë me motrat e vëllezërit e dashur. Mezi e pres kohën kur të jem sërish mësuese në Parajsën e premtuar në tokë. (Zbulesa 21:3, 4) Veçanërisht pres me padurim të shoh njerëzit e mi të dashur të rikthehen në jetë dhe më pas t’u mësoj të vërtetën biblike. (Veprat 24:15) Sa dëshirë të zjarrtë kam t’u shpjegoj atyre se ç’dhuratë të çmuar më bëri Jehovai në moshë të shkuar!

^ par. 15 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.