Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

BIBLA TË NDRYSHON JETËN

«Donin që ta zbuloja vetë çfarë thotë vërtet Bibla»

«Donin që ta zbuloja vetë çfarë thotë vërtet Bibla»
  • LINDUR: 1982

  • VENDI I LINDJES: REPUBLIKA DOMENIKANE

  • MË PARË: U RRIT SI MORMON

E KALUARA IME:

Linda në Santo-Domingo, në Republikën Domenikane, dhe isha i fundit nga katër fëmijët. Prindërit ishin të arsimuar dhe donin të na rritnin në një mjedis shoqëror që ndikonte për mirë. Katër vjet para se të lindja, ata takuan misionarët mormonë. Ngaqë u bëri përshtypje sa të rregullt e të sjellshëm ishin këta të rinj, s’kaloi shumë dhe prindërit vendosën që familja jonë të ishte ndër të parat në Republikën Domenikane që bëhej pjesë e Kishës së Jezu Krishtit e të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ose Kishës Mormone.

Teksa rritesha, më pëlqenin aktivitetet shoqërore në kishë dhe e vlerësoja që mormonët i jepnin shumë rëndësi jetës familjare dhe vlerave morale. Ndihesha krenar që isha mormon dhe synoja të bëhesha misionar.

Kur mbusha 18 vjeç, familja u transferua në Shtetet e Bashkuara me synimin që të vazhdoja një universitet të mirë. Rreth një vit më vonë, tezja me të shoqin, që janë Dëshmitarë të Jehovait, na bënë një vizitë në Florida. Na ftuan të ndiqnim së bashku një kongres biblik. Më bëri përshtypje që të gjithë përreth meje i hapnin shkrimet në Bibël dhe mbanin shënime. Prandaj i kërkova dikujt një stilolaps e një copë letër dhe nisa të bëja të njëjtën gjë.

Pas kongresit, tezja me të shoqin më thanë se, meqë doja të bëhesha misionar, mund të më ndihmonin të mësoja për Biblën. M’u duk ide e mirë, pasi në atë kohë dija më tepër për Librin e Mormonëve sesa për Biblën.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:

Gjatë bisedave biblike që bëja me telefon, tezja dhe i shoqi më nxitnin gjithnjë t’i krahasoja bindjet e mia me mësimet e Biblës. Donin që ta zbuloja vetë çfarë thotë vërtet Bibla.

Kisha pranuar shumë gjëra të besimit mormon, por s’isha fort i sigurt sa përputheshin me Biblën. Tezja më dërgoi revistën Zgjohuni! të 8 nëntorit 1995 (anglisht), botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, e cila përmbante disa artikuj për besimin mormon. U habita që nuk njihja shumë mësime të mormonëve. Kjo më nxiti të kërkoja më tepër në Internet te faqja zyrtare e mormonëve e t’i vërtetoja ato që shkruheshin te Zgjohuni! Ishin të vërteta dhe, kur vizitova muzetë mormone në Jutë, u sigurova akoma më shumë.

Gjithmonë kisha besuar se Libri i Mormonëve dhe Bibla plotësonin njëri-tjetrin. Por, kur nisa ta lexoja Biblën më me kujdes, vërejta gjëra kontradiktore mes saj dhe mësimeve të mormonëve. Për shembull, tek Ezekieli 18:4, Bibla thotë se shpirti vdes. Megjithatë, Libri i Mormonëve, tek Alma 42:9, thotë: «Shpirti nuk mund të vdesë kurrë.»

Përveçse kishte mospërputhje doktrinale, më trazonin edhe idetë nacionaliste që mësonin mormonët. Për shembull, mormonët mësonin se kopshti i Edenit ndodhej në kontenë e Xheksonit, Misuri, SHBA. Edhe profetët e kishës thonë se në kohën kur «Mbretëria e Perëndisë do të nisë sundimin, flamuri i Shteteve të Bashkuara do të valëvitet tërë krenari e i panjollë në shtizën e lirisë dhe të të drejtave të barabarta».

Vrisja mendjen se çfarë do të ndodhte me vendlindjen time ose me vendet e tjera. Një mbrëmje, kur më telefonoi një i ri mormon që po stërvitej për misionar, fola për këtë argument. E pyeta hapur a do të luftonte kundër mormonëve të tjerë nëse vendet e tyre do të ishin në luftë me njëri-tjetrin. U habita kur më tha po! Gërmova më thellë në mësimet e besimit tim, si edhe u konsultova me disa udhëheqës me përgjegjësi të Kishës Mormone. Më thanë se përgjigjet e pyetjeve të mia përfshinin mistere dhe se një ditë do të bëheshin të qarta kur drita të ndriçonte më tepër.

I zhgënjyer nga shpjegimi i tyre, vendosa t’i bëja një shqyrtim të ndershëm vetes dhe motivit pse doja të bëhesha misionar mormon. Kuptova se dëshira për të ndihmuar të tjerët ishte një nga arsyet. Më tërhiqte edhe pozita shoqërore që kishte një misionar. Sa për Perëndinë, nuk dija edhe aq. Megjithëse në të kaluarën e kisha shfletuar shumë herë Biblën, s’e çmoja me të vërtetë. Nuk e kisha fare idenë se cili ishte qëllimi i Perëndisë për tokën dhe për njerëzimin.

DOBITË:

Nga studimi i Biblës që kam bërë me Dëshmitarët e Jehovait, kam mësuar mes të tjerash cili është emri i Perëndisë, çfarë ndodh kur vdesim, si dhe ç’rol ka Jezui në përmbushjen e qëllimit të Perëndisë. Më në fund po filloja ta njihja mirë këtë libër të mrekullueshëm dhe kënaqesha duke u folur të tjerëve për të vërtetat që po mësoja. E dija gjithmonë se Perëndia ekzistonte, por tani mund t’i flisja në lutje si Mikut tim më të mirë. U pagëzova si Dëshmitar i Jehovait më 12 korrik 2004, dhe gjashtë muaj më vonë nisa të predikoja në kohë të plotë në shërbimin e krishterë.

Për pesë vjet punova në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork. Ndihesha jashtëzakonisht i kënaqur që mund të ndihmoja në prodhimin e Biblave dhe të literaturës biblike që u sjellin dobi miliona njerëzve në mbarë botën. Dhe ende provoj kënaqësi që i ndihmoj të tjerët të mësojnë për Perëndinë.