Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një gjest mirëdashjeje të krishterë

Një gjest mirëdashjeje të krishterë

NË NJË qytezë të Gujaratit, Indi, babai i Xhonit ishte pagëzuar si Dëshmitar i Jehovait në fund të viteve 50. Xhoni, pesë vëllezërit e motrat e tij dhe mamaja ishin të gjithë katolikë të flaktë dhe për këtë arsye e kundërshtonin besimin e babait.

Një ditë, babai i tha Xhonit të çonte një zarf te një vëlla i kongregacionit. Mirëpo, atë mëngjes Xhoni preu keq gishtin duke hapur një fuçi të madhe teneqeje. Sidoqoftë, ngaqë donte t’i bindej të atit e lidhi me një leckë gishtin e gjakosur dhe u nis në këmbë për të çuar zarfin.

Kur Xhoni mbërriti tek ajo shtëpi, gjeti gruan e vëllait, e cila ishte Dëshmitare e Jehovait. Ajo mori zarfin dhe pa që Xhoni kishte vrarë gishtin dhe u ofrua ta ndihmonte. Mori kutinë e ndihmës së shpejtë, i pastroi plagën me një dezinfektues dhe ia fashoi gishtin. Pastaj i bëri një çaj të ngrohtë dhe gjatë gjithë kohës bisedonte me të miqësisht për Biblën.

Ndërkohë, paragjykimet e Xhonit për Dëshmitarët filluan të fashiteshin, ndaj e pyeti gruan për dy tema ku bindjet e të atit nuk përputheshin me të tijat​—a është Jezui Perëndia dhe a duhet t’i luten Marisë të krishterët. Meqë kishte mësuar gjuhën amtare të Xhonit, gujaratin, Dëshmitarja iu përgjigj duke përdorur Biblën dhe i dha broshurën «Ky lajm i mirë për Mbretërinë».

Më vonë, kur lexoi broshurën, Xhoni ndjeu se për herë të parë në jetë po mësonte të vërtetën e Biblës. Shkoi te prifti dhe i bëri po ato dy pyetje. Priftit shpejt iu ngritën nervat dhe i vërtiti një Bibël duke i bërtitur: «Je bërë Satana! Ma trego ku thuhet në Bibël se Jezui nuk është Perëndia! Ma trego ku thuhet që nuk duhet të adhurosh Marinë! Hajt, ma trego!» Xhoni u trondit aq shumë nga sjellja e priftit sa i tha: «S’do të shkel më kurrë në një kishë katolike.» Dhe vërtet nuk shkeli kurrë.

Xhoni filloi të studionte me Dëshmitarët, mori anën e adhurimit të vërtetë dhe nisi t’i shërbente Jehovait. Me kohë, edhe disa pjesëtarë të tjerë të familjes bënë njësoj. Sot, Xhoni ka ende një vragë te gishti tregues i dorës së djathtë që e preu rreth 60 vite më parë. Ai e kujton me nostalgji atë gjest mirëdashjeje të krishterë që e tërhoqi drejt një jete në adhurimin e pastër.​—2 Kor. 6:4, 6.