Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mirëdashja—Jetësore në sytë e Perëndisë

Mirëdashja—Jetësore në sytë e Perëndisë

NJË i ri në Japoni u prek nga mirëdashja e një të moshuari të sjellshëm. Ky burrë, një misionar, megjithëse s’kishte qenë në këtë vend aziatik për shumë vjet dhe ende nuk e fliste mirë japonishten, çdo javë shkonte në shtëpinë e këtij të riu që të fliste për Biblën. Me buzëqeshje miqësore dhe tërë mirëdashje, i përgjigjej me durim pyetjeve të shumta që i bënte studenti i ri kureshtar.

Mirëdashja e misionarit mbeti e pashlyeshme në mendjen e të riut. Ai mendoi: «Nëse Bibla e bën dikë kaq të mirë e të dashur, atëherë duhet të mësoj patjetër rreth saj.» Kjo i dha shtysën e duhur që të studionte diçka krejt të panjohur për të. Po, mirëdashja të prek zemrën dhe mund të ndikojë tek ajo, shpesh shumë më fuqishëm, sesa fjalët.

Cilësi sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë

Është e natyrshme të jemi mirëdashës me ata që kemi lidhje të ngushta gjaku. Gjithsesi, në thelb mirëdashja është cilësi hyjnore. Jezui tha se Ati i tij qiellor është mirëdashës jo vetëm me ata që e duan, por edhe «me mosmirënjohësit». Jezui i nxiti dishepujt të imitonin Perëndinë në këtë aspekt: «Jini të përsosur, sikurse është i përsosur Ati juaj qiellor.»​—Luka 6:35; Mateu 5:48; Dalja 34:6.

Njeriu u krijua sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, prandaj është i aftë ta pasqyrojë ose ta shfaqë cilësinë e mirëdashjes. (Zanafilla 1:27) Po, mund ta imitojmë Perëndinë e të tregojmë mirëdashje jo vetëm ndaj atyre me të cilët kemi lidhje gjaku. Bibla e përshkruan mirëdashjen si pjesë të frytit të dëshirueshëm të frymës së shenjtë ose të forcës vepruese të Perëndisë. (Galatasve 5:22) Prandaj mund ta zhvillojmë më tepër këtë cilësi teksa mësojmë dhe afrohemi më shumë me Perëndinë, Krijuesin.

Mirëdashja është pjesë e natyrës njerëzore dhe vlerësohet shumë nga Perëndia, prandaj është e arsyeshme që Ai të na thotë ‘të bëhemi mirëdashës me njëri-tjetrin’. (Efesianëve 4:32) Gjithashtu, Shkrimet na kujtojnë: «Mos harroni mikpritjen.» Meqë fjala ‘mikpritje’ në gjuhën origjinale do të thotë «dashuri për të huajin», nxitemi t’u tregojmë mirëdashje atyre që s’i njohim.​—Hebrenjve 13:2.

A është e mundur të jemi mirëdashës me të tjerët, përfshirë të huajt, ndërkohë që shumica e njerëzve sot nuk tregon as mirëdashje, as mirënjohje? Çfarë mund të na ndihmojë të veprojmë kështu? Për më tepër, pse duhet të na interesojë kjo cilësi?

Perëndia e konsideron jetësore

Është interesante që, pasi tha se duhet t’u tregojmë mirëdashje të huajve, apostulli Pavël vazhdoi më tej: «Nëpërmjet saj disa, pa e ditur, pritën engjëj.» A e përfytyron dot si do të ndiheshe po të të jepej mundësia të pritje engjëj? Por, para këtyre fjalëve, Pavli tha shprehjen «pa e ditur». Me fjalë të tjera, po thoshte se po ta kemi zakon t’u tregojmë mirëdashje të tjerëve, përfshirë të huajt, pra ata që s’i njohim, mund të shpërblehemi në mënyra që as i mendojmë.

Shumica e përkthimeve të Biblës që kanë referime në mes të çdo faqeje, i lidhin fjalët e Pavlit me tregimet për Abrahamin dhe Lotin në kapitujt 18 e 19 të Zanafillës. Në të dyja  rastet lexojmë për engjëj që u shfaqën si të huaj me mesazhe të rëndësishme. Në rastin e Abrahamit, mesazhi kishte të bënte me përmbushjen e premtimit të Perëndisë për një bir, ndërsa në rastin e Lotit me çlirimin nga shkatërrimi që i priste qytetet e Sodomës e të Gomorrës.​—Zanafilla 18:1-10; 19:1-3, 15-17.

Nëse lexon shkrimet e mësipërme, do të shohësh se Abrahami dhe Loti u treguan dashamirësi kalimtarëve që s’i njihnin. Patjetër, në kohët biblike, t’u tregoje mikpritje udhëtarëve e kalimtarëve​—qofshin miq, të afërm a të huaj—​ishte çështje tradite dhe detyre. Në fakt, Ligji i Moisiut u kërkonte izraelitëve të mos i shpërfillnin nevojat e joizraelitëve që ishin në vend. (Ligji i përtërirë 10:17-19) Megjithatë, duket qartë se Abrahami e Loti shkuan përtej asaj që kërkonte ligji më vonë. Ata bënë përpjekje të jashtëzakonshme që t’u tregonin mirëdashje të huajve, dhe u bekuan për këtë.

Veprat e mirëdashjes që bëri Abrahami i sollën bekime jo vetëm atij, që u bë me një bir, por edhe neve. Si? Abrahami dhe i biri, Isaku, luajtën rol jetësor në përmbushjen e qëllimit të Perëndisë. Ata u bënë figura kryesore në linjën familjare që çoi te Mesia, Jezui. Udha e tyre besnike tregoi në mënyrë paraprake si do të sigurohej baza për shpëtimin e njerëzve me anë të dashurisë dhe të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë.​—Zanafilla 22:1-18; Mateu 1:1, 2; Gjoni 3:16.

Këto tregime na e bëjnë më se të qartë çfarë pret Perëndia nga ata që ka për zemër dhe sa shumë e çmon cilësinë e mirëdashjes. Në sytë e tij, kjo cilësi nuk është çështje zgjedhjeje, por është jetësore.

Kur tregojmë mirëdashje, e njohim më mirë Perëndinë

Bibla thotë se në ditët tona mjaft veta do të ishin «mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme». (2 Timoteut 3:1-3) Pa dyshim që përballesh me njerëz të tillë çdo ditë. Sidoqoftë, kjo nuk është arsye që t’i ndrydhim krejtësisht ndjenjat mirëdashëse për të tjerët. Të krishterët nxiten: «Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe. Bëni gjëra të shkëlqyera sipas nevojës që kanë të gjithë njerëzit.»​—Romakëve 12:17.

Le të mos kursehemi, por të shfaqim me bujari mirëdashje ndaj të tjerëve. Bibla thotë: «Kush ka dashuri . . . fiton njohurinë e Perëndisë.» Dhe një mënyrë si e tregojmë dashurinë, është duke qenë mirëdashës me të tjerët. (1 Gjonit 4:7; 1 Korintasve 13:4) Po, duke u treguar mirëdashje të tjerëve, e njohim më mirë Perëndinë, dhe kjo na bën më të lumtur. Jezui tha në Predikimin në Mal: «Lum  mirëdashësit, sepse do të gjejnë mirëdashje. Lum ata me zemër të pastër, sepse do të shohin Perëndinë.»​—Mateu 5:7, 8, Young’s Literal Translation.

Kur s’je i sigurt çfarë të bësh a të thuash, bëj ose thuaj atë që është mirëdashëse

Le të shohim shembullin e Akit nga Japonia, një shtëpiakeje në moshë të re me dy djem. Pasi i vdiq nëna papritur, ajo u dëshpërua tej mase. Ndonjëherë ndihej kaq keq, sa i duhej të shkonte te mjeku. Më vonë, në lagjen e saj u transferua një familje. Kohët e fundit u kishte vdekur babai në një aksident dhe nëna mbeti vetëm me pesë fëmijët e vegjël. Akit i erdhi shumë keq për këtë familje dhe bëri goxha përpjekje që të miqësohej me nënën e fëmijët. Ajo bënte gjithë sa mundej për ta ndihmuar atë familje, u jepte ushqim, rroba që s’i duheshin më familjes së saj e kështu me radhë, dhe si rezultat rifitoi qëndrueshmërinë emocionale. Ajo e ndjeu sa të vërteta janë këto fjalë të Biblës: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.» (Veprat 20:35) Po, t’u tregosh mirëdashje të tjerëve mund të jetë gjëja më e mirë për ty kur ndihesh përtokë.

«I jep hua Jehovait»

T’u tregojmë mirëdashje të tjerëve është sikur ‘t’i japim hua Jehovait’

Mirëdashja nuk ka pse të të kushtojë shumë. Nuk varet as nga aftësitë, as nga forca jote fizike. Një buzëqeshje, një fjalë e dhembshur, një ndihmë praktike, një dhuratë e vogël e menduar mirë ose thjesht t’i lësh të tjerët të kalojnë të parët në një radhë, shpesh vlerësohen shumë. Kur s’je i sigurt cila është gjëja e duhur për të thënë a për të bërë në një rrethanë të caktuar, thuaj ose bëj atë që është mirëdashëse. I riu i përmendur në fillim të këtij artikulli u prek thellë nga sjellja mirëdashëse e misionarit të moshuar, e cila i kapërceu pengesat gjuhësore. S’habitemi që një nga kërkesat e Perëndisë për adhuruesit e tij është ‘ta duan mirëdashjen’.​—Mikea 6:8.

«Një fjalë mirëdashëse mund të ngrohë tre muaj dimri.» Siç e përshkruan fuqishëm kjo shprehje e vendeve të Lindjes, pak mirëdashje mund të sjellë shumë të mira. Kur bëhet me motivin e duhur dhe sidomos kur shoqërohet nga dashuria për Perëndinë, mirëdashja ia ngroh zemrën si atij që e shfaq, edhe atij që i drejtohet. Edhe kur mirëdashja jote nuk vlerësohet, s’do të thotë se ka shkuar dëm. Është e çmuar në sytë e Perëndisë. Bibla na siguron se, kur u tregojmë mirëdashje të tjerëve, po ‘i japim hua Jehovait’. (Proverbat 19:17) Pse të mos gjesh raste për të treguar mirëdashje ndaj atyre që ke përreth?