Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

INTERVISTË | FREDERIK DUMULINI

«Jam i bindur se ka një Krijues»

«Jam i bindur se ka një Krijues»

Për më tepër se një dekadë, Frederik Dumulini ka punuar në fushën e kërkimeve farmaceutike në Universitetin e Gantit në Belgjikë. Dikur ishte ateist. Por më vonë u bind se jeta u krijua nga Perëndia. Zgjohuni! i bëri disa pyetje për punën dhe besimin Frederikut, i cili tani është një Dëshmitar i Jehovait.

A ka ndikuar feja te ti gjatë fëmijërisë?

Po. Mamaja ishte katolike. Por kur lexova për kryqëzatat dhe inkuizicionin, feja m’u neverit dhe nuk doja fare të kisha lidhje me të. Lexova edhe për fetë jo të krishtere dhe kuptova që nuk ishin më të mira. Kur isha 14 vjeç, arsyetova se përhapja e degradimit të fesë tregon se Perëndia nuk ekziston. Prandaj kur mësova teorinë e evolucionit në shkollë, arrita në përfundimin se jeta erdhi nga proceset natyrore.

Pse të tërhoqi shkenca?

Kur isha shtatë vjeç, më dhanë një mikroskop, që u bë lodra ime e preferuar. Përpos gjërave të tjera, e përdorja edhe për të vëzhguar insektet mahnitëse, si fluturat.

Si të lindi interesi për origjinën e jetës?

Kur isha 22 vjeç, takova një shkencëtare që ishte Dëshmitare e Jehovait. Ajo besonte se jetën e krijoi Perëndia. Kjo më dukej mjaft e çuditshme. Mendoja se mund ta provoja lehtë se besimi i saj ishte qesharak. Por për habinë time, ajo u jepte përgjigje të arsyeshme pyetjeve të mia. U bëra kureshtar për njerëzit që besojnë te Perëndia.

Pak muaj më vonë, takova një Dëshmitar tjetër që kishte mjaft njohuri në çështjet mjekësore. Kur u ofrua të më shpjegonte besimin e tij, pranova se doja të dija pse besojnë njerëzit te Perëndia. Doja ta shpëtoja nga iluzioni i tij.

A e binde se e kishte gabim?

Jo. Fillova të bëja kërkime për teoritë mbi origjinën e jetës. U habita kur zbulova se disa shkencëtarë me emër thonë se edhe qeliza më e thjeshtë është aq komplekse sa nuk mund ta ketë pasur origjinën nga toka. Disa prej tyre mendojnë se këto qeliza kanë ardhur nga hapësira. Ka shumë mospërputhje mbi zanafillën e jetës.

A ka ndonjë pikë ku përputhen?

Është e çuditshme, por shumë shkencëtarë bien dakord se në njëfarë mënyre proceset natyrore bënë që jeta të lindte nga materia e pajetë. Fillova të pyesja veten: «Nëse nuk e dinë si mund të lindte jeta pa një Krijues, atëherë si mund të jenë kaq të sigurt se lindi në këtë mënyrë?» Fillova të shqyrtoja se çfarë thotë Bibla për origjinën e jetës.

Në çfarë përfundimi arrite në lidhje me Biblën?

Sa më shumë mësoja për të, aq më tepër bindesha se thotë të vërtetën. Për shembull, vetëm kohët e fundit shkencëtarët kanë gjetur prova se universi ka pasur një fillim, ndërkohë që Bibla, që në vargun e saj të parë të shkruar rreth 3.500 vjet më parë, ka thënë: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.» * Zbulova se, sa herë që flet për çështje shkencore, Bibla është e saktë.

Zbulova se, sa herë që flet për çështje shkencore, Bibla është e saktë

A e pate të vështirë të besoje te Perëndia nga njohuritë shkencore që kishe?

Jo. Kur fillova të besoja te Perëndia, kisha tre vjet që studioja për shkencë në universitet. Edhe sot e kësaj dite, sa më shumë studioj për mënyrën si janë projektuar gjallesat, gjithnjë e më tepër jam i bindur se ka një Krijues.

A mund të na japësh një shembull?

Patjetër. Kam studiuar për efektet e ilaçeve dhe të lëndëve helmuese te qeniet e gjalla. Një projekt që më lë gojëhapur është mënyra si mbrohet truri ynë nga substancat e rrezikshme dhe nga bakteret. Ka një barrierë që ndan gjakun nga qelizat e trurit tonë.

Çfarë ka të jashtëzakonshme kjo?

Mbi njëqind vjet më parë, studiuesit vunë re se substancat që hyjnë në gjak, hyjnë edhe në çdo pjesë të trupit, përveçse në tru dhe në shtyllën kurrizore. Kjo është mahnitëse, sepse nëpërmjet një rrjeti kapilarësh të pallogaritshëm e të veckël, gjaku shkon në çdo qelizë në tru. Të gjitha qelizat pastrohen, ushqehen dhe oksigjenohen nga gjaku. Prandaj, si ka mundësi që gjaku qëndron i ndarë nga qelizat e trurit? Për shumë vjet, ka qenë një mister.

Si funksionon kjo barrierë?

Enët mikroskopike të gjakut nuk janë si tuba plastikë të cilët ndajnë atë që kanë brenda nga ajo që është jashtë. Muret e enëve të gjakut përbëhen nga qeliza. Këto qeliza lejojnë që substancat dhe mikrobet të kalojnë ndërmjet tyre dhe mes për mes tyre. Por, qelizat që përbëjnë enët e gjakut në tru janë ndryshe. Janë të lidhura shumë ngushtë me njëra-tjetrën. Këto qeliza dhe lidhjet e forta midis tyre janë të jashtëzakonshme. Një gamë e gjerë mekanizmash kompleksë sigurohen që disa elementë, si oksigjeni, dyoksidi i karbonit dhe glukoza, të kalojnë mes gjakut dhe trurit me rregull. Kurse përbërës, proteina dhe qeliza të tjera nuk hyjnë. Pra, barriera midis gjakut dhe trurit vepron në nivel molekular për të prodhuar barriera fizike, kimike dhe elektrike. Për mendimin tim, ky projektim nuk mund të ketë evoluar.