Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN | TË RINJTË

Si ta zbutësh temperamentin

Si ta zbutësh temperamentin

VËSHTIRËSIA

«I bërtita motrës dhe e përplasa derën aq fort, saqë varësja e rrobave pas saj hapi një të çarë në mur. Ajo vrimë më kujtonte vazhdimisht sa kalama isha treguar.»​—Diana. *

«Ulërita: ‘Je baba koti!’ dhe e përplasa derën me forcë. Mirëpo, para se të mbyllej, pashë lëndimin në fytyrën e tij dhe në çast doja të mos i kisha nxjerrë ato fjalë.»​—Lorena.

A ndihesh edhe ti si Lorena dhe Diana? Nëse po, ky artikull do të të ndihmojë.

Ç’DUHET TË DISH

Shpërthimet e zemërimit të prishin reputacionin. Briana 21 vjeçe thotë: «Mendoja se të tjerët thjesht duhej ta pranonin temperamentin tim të fortë. Por kuptova se njerëzit duken të marrë kur nuk e kontrollojnë dot veten, dhe kjo më shkundi​—kështu dukesha edhe unë para të tjerëve.»

Bibla pohon: «Kush zemërohet shpejt, kryen marrëzi.»​—Proverbat 14:17.

Njerëzit ia mbathin nga një vullkan që po shpërthen; po njësoj shmangin këdo që ka temperament shpërthyes

Zemërimi yt mund t’i largojë të tjerët. Danieli 18-vjeçar shprehet: «Kur humb vetëkontrollin, humb dinjitetin tënd dhe respektin e të tjerëve.» Elejna, po ashtu 18 vjeçe, është dakord. Ajo thotë: «Një temperament gjaknxehtë nuk është tërheqës. Vetëm sa i frikëson të tjerët.»

Në Bibël thuhet: «Mos ki shoqëri me njeriun zemërak, dhe mos u përziej me njeriun që ka shpërthime zemërimi.»​—Proverbat 22:24.

Mund të ndryshosh. Sara 15 vjeçe shprehet: «Jo gjithmonë mund ta kontrollosh mënyrën si ndihesh nga një situatë, ama mund të kontrollosh mënyrën si i shpreh ndjenjat. Nuk ka pse të shpërthesh.»

Në Bibël thuhet: «Kush nuk zemërohet shpejt, është më mirë se një burrë i fuqishëm, dhe kush e kontrollon frymën e tij, është më mirë se ai që merr një qytet.»​—Proverbat 16:32.

Ç’MUND TË BËSH

Vër një synim. Në vend që të thuash «kështu jam unë», përpiqu fort të ndryshosh gjatë një periudhe të caktuar, ta zëmë për gjashtë muaj. Gjatë kësaj kohe, mbaj shënim sa ke përmirësuar. Sa herë që humb vetëkontrollin, shkruaj (1) çfarë ndodhi, (2) si reagove (3) si mund të reagoje më mirë dhe pse. Pastaj vër synim të reagosh sipas asaj që shënove te pika 3 herën tjetër kur të të provokojnë. Sugjerim: shëno edhe sa ke përmirësuar. Shkruaj sa mirë ndihesh ngaqë tregove vetëkontroll.—Parimi biblik: Kolosianëve 3:8.

Mos reago menjëherë. Kur dikush a diçka të ngre nervat, mos thuaj gjënë e parë që të vjen në mendje. Mos u ngut! Po të jetë nevoja, merr frymë thellë. Eriku 15-vjeçar thotë: «Kur marr frymë thellë, kam kohë të mendoj para se të bëj a të them diçka për të cilën më vonë do të pendohem.»—Parimi biblik: Proverbat 21:23.

Zgjero këndvështrimin. Ndonjëherë mund të zemërohesh ngaqë sheh veç një anë të çështjes, anën që të prek ty. Përpiqu të shohësh edhe anën tjetër të medaljes. Një e re me emrin Xhesika, shprehet: «Edhe kur njerëzit sillen harbutërisht, zakonisht ekziston një shpjegim që më ndihmon t’i kuptoj sadopak.»—Parimi biblik: Proverbat 19:11.

Nëse është e nevojshme, largohu. Bibla nxit: «Largohu . . . përpara se të plasë sherri.» (Proverbat 17:14) Siç e tregon ky shkrim, nganjëherë është më mirë të largohesh nga një situatë e tendosur. Ndaj, në vend që ta bluash në mendje çështjen e ta lësh zemërimin të të shtohet, merru me një aktivitet fizik. Një e re që quhet Daniela thotë: «Kam parë se ushtrimet më heqin stresin dhe më ndihmojnë të tregoj vetëkontroll.»

Mëso ta kapërcesh çështjen. Në Bibël shkruhet: «Zemërohuni dhe mos mëkatoni: . . . mendohuni shumë në zemër tuaj dhe qëndroni në heshtje.» (Psalmi 4:4, Diodati i Ri) Vër re se nuk ka ndonjë të keqe të ndihesh i zemëruar. Puna është ç’do të ndodhë pas kësaj. Riçardi, një i ri, thotë: «Nëse i lejon të tjerët të të provokojnë, po u jep pushtet mbi ty. Pse të mos përpiqesh të tregohesh i pjekur e ta kapërcesh çështjen?» Po të veprosh kështu, do ta kontrollosh zemërimin në vend që ta lejosh të të kontrollojë ty.

^ par. 4 Disa emra në këtë artikull janë ndryshuar.