Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

Psalmi 37:4—«Gjej kënaqësinë tënde në Zotin»

Psalmi 37:4—«Gjej kënaqësinë tënde në Zotin»

 «Gjej kënaqësi të thellë te Jehovai, dhe ai do të t’i plotësojë dëshirat e zemrës.»—Psalmi 37:4, Përkthimi Bota e Re.

 «Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.»—Psalmi 37:4, Diodati i Ri i Rishikuar.

Kuptimi i Psalmit 37:4

 Psalmisti i nxit adhuruesit e Perëndisë të gëzojnë, ngaqë kanë një miqësi të ngushtë me të. Të gjithë miqtë e Perëndisë Jehova a mund të jenë të sigurt se ai do t’ua plotësojë dëshirat e përshtatshme.

 «Gjej kënaqësi të thellë te Jehovai.» Kjo shprehje mund të përkthehet edhe «qoftë Jehovai burimi i gëzimit tënd», «gjej kënaqësi duke i shërbyer Zotit» ose «gjej kënaqësi tek ajo që të ka premtuar Zoti». Me pak fjalë, «burimi i gëzimit [tonë]» duhet të jetë adhurimi i Perëndisë së vërtetë. (Psalmi 37:4, shënimi) Pse e themi këtë?

 Adhuruesit e Jehovait i shohin gjërat nga këndvështrimi i tij, siç tregohet në Bibël. Ata jo vetëm e njohin Zotin, por e kuptojnë edhe se është e mençur t’i binden. Si rezultat ruajnë një ndërgjegje të pastër dhe shmangin mjaft gabime e vendime të këqija. (Proverbat 3:5, 6) Për shembull, nuk lejojnë që zemërimi dhe zilia t’u grabitin paqen mendore tek shohin njerëz lakmitarë ose të pandershëm që duken sikur kanë sukses. (Psalmi 37:1, 7-9) Ata që i shërbejnë Perëndisë janë të lumtur ngaqë dinë se, së shpejti, Ai do t’i japë fund çdo padrejtësie dhe do t’i shpërblejë besnikët për sjelljen e shkëlqyer. (Psalmi 37:34) Gjithashtu kënaqen pa masë kur dinë se kanë buzëqeshjen miratuese të Atit të tyre qiellor.—Psalmi 5:12; Proverbat 27:11.

 «Ai do të t’i plotësojë dëshirat e zemrës.» Këto fjalë mund të përkthehen edhe «ai do t’u përgjigjet lutjeve të tua» ose «ai do të të japë atë që ti dëshiron më shumë». Sigurisht, Jehovai nuk plotëson çdo lloj kërkese. Ashtu si një prind i dashur, ai e di çfarë është më e mira për fëmijët e tij. Për më tepër, kërkesat tona dhe mënyra si jetojmë, duhet të jenë në harmoni me standardet dhe me vullnetin e Perëndisë. (Proverbat 28:9; Jakovi 4:3; 1 Gjonit 5:14) Kur veprojmë kështu, mund të jemi të sigurt se ‘Dëgjuesi i lutjes’ do të na dëgjojë.—Psalmi 65:2; Mateu 21:22.

Konteksti i Psalmit 37:4

 Psalmin 37 e kompozoi mbreti David, që jetoi në Izraelin e lashtë. Ai e shkroi psalmin në rend alfabetik, ose në stil akrostik. b

 Davidit iu bënë shumë padrejtësi në jetë. Iu desh t’ia mbathte nga mbreti Saul e nga të tjerë që donin ta vrisnin. (2 Samuelit 22:1) Prapëseprapë, ai gjithmonë i besoi me gjithë shpirt Perëndisë së tij. Davidi e dinte se në fund Jehovai do t’i ndëshkonte të ligjtë. (Psalmi 37:10, 11) Edhe pse të ligjtë duken sikur lulëzojnë, në fund ‘do të vyshken si bari i njomë’.—Psalmi 37:2, 20, 35, 36.

 Psalmi 37 bën një kontrast mes asaj që do t’u ndodhë njerëzve që ndjekin standardet e Perëndisë dhe atyre që i shpërfillin këto standarde. (Psalmi 37:16, 17, 21, 22, 27, 28) Ja pse na ndihmon të fitojmë mençuri e të bëhemi ata lloj njerëzish që Perëndia i miraton.

 Shih këtë video të shkurtër që i bën një përmbledhje librit të Psalmeve.

a Jehova është përkthimi i zakonshëm në shqip i emrit të Perëndisë nga gjuha hebraike. Për të kuptuar pse mjaft përkthime të Biblës e kanë zëvendësuar emrin e Perëndisë me titullin Zot, lexo artikullin «Kush është Jehovai?»

b Në këtë stil kompozimi, vargu ose vargjet e para fillojnë me shkronjën e parë të alfabetit hebraik, grupi tjetër me shkronjën e dytë e kështu me radhë. Kjo strukturë mund të ketë shërbyer për t’i kujtuar më kollaj psalmet.