Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

Proverbat 22:6—«Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë»

Proverbat 22:6—«Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë»

 «Stërvite djalin në udhën që duhet të ndjekë; edhe kur të plaket, nuk do të largohet prej saj.»—Proverbat 22:6, Përkthimi Bota e Re.

 «Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.»—Proverbat 22:6, Diodati i Ri—Përkthimi 1991-94.

Kuptimi i Proverbave 22:6

 Prindërit që i mësojnë fëmijët të duan Perëndinë dhe të respektojnë ligjet e tij, mund të presin që stërvitja e tyre të ndikojë për mirë te fëmijët gjatë gjithë jetës.

 «Stërvite djalin në udhën që duhet të ndjekë.» Këto fjalë mund të përkthehen edhe «drejtoje fëmijën për në udhën e duhur». Në mënyrë të përsëritur, libri i Proverbave i nxit prindërit që t’u mësojnë fëmijëve që në moshë të njomë se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar. (Proverbat 19:18; 22:15; 29:15) Megjithatë, prindërit e dashur e kuptojnë se fëmijët e tyre, njësoj si të rriturit, kanë vullnet të lirë. Prandaj, në vend që thjesht t’u thonë fëmijëve çfarë të bëjnë, ata arsyetojnë me ta dhe i ndihmojnë të bëhen të rritur të pjekur, të përgjegjshëm dhe të aftë të marrin vetë vendime të mençura.—Ligji i përtërirë 6:6, 7; Kolosianëve 3:21.

 Disa studiues të Biblës hedhin idenë se kjo shprehje ka kuptimin «stërvite fëmijën në përputhje me natyrën e tij», ose sipas prirjeve të tij. Ky mund të duket shpjegim i arsyeshëm, mirëpo shprehja hebraike e përkthyer «në udhën që duhet të ndjekë» ka shumë mundësi t’i referohet një udhe që është e mirë dhe e drejtë. Libri i Proverbave nxjerr në pah se një person ka mundësi të zgjedhë mes dy udhëve. Njëra quhet ‘udha e njerëzve të mirë’, ‘udha e mençurisë’ dhe ‘udha e drejtë’. (Proverbat 2:20; 4:11; 23:19) Tjetra quhet ‘udha e të këqijve’, ‘udha e të marrit’ dhe ‘udha e gabuar’. (Proverbat 4:14; 12:15; 16:29) Pra, udha që «duhet të ndjekë» një fëmijë i referohet ‘udhës së drejtë’, domethënë mënyrës së jetesës që na mëson Fjala e Perëndisë, Bibla.—Psalmi 119:105.

 «Edhe kur të plaket, nuk do të largohet prej saj.» Kur prindërit i mësojnë fëmijës normat morale të Zotit, ka më shumë të ngjarë që fëmija të ecë në këtë udhë të drejtë gjatë gjithë jetës. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se një fëmijë që merr stërvitjen e duhur nuk do të «largohet» asnjëherë nga udha e drejtë ose nuk do të shkelë kurrë ligjet e Perëndisë. Për shembull, nëse dikush rri me njerëz që e shtyjnë të bëjë të keqen, ai mund t’i braktisë «shtigjet e drejta» dhe të bëjë gjëra të gabuara. (Proverbat 2:12-16; 1 Korintasve 15:33) Prapëseprapë, kur prindërit i stërvitin fëmijët të zbatojnë normat e Perëndisë, po u krijojnë mundësinë më të shkëlqyer që të kenë sukses në jetë.—Proverbat 2:1, 11.

Konteksti i Proverbave 22:6

 Kapitulli 22 i Proverbave përbëhet nga thënie të shkurtra që pasqyrojnë mençurinë e Perëndisë për një larmi situatash në jetë. Ato theksojnë sa vlerë ka të fitosh një reputacion të mirë në sytë e Jehovait. a Një person e arrin këtë duke treguar përulësi, bujari dhe papërtueshmëri. (Proverbat 22:1, 4, 9, 29) Ndryshe nga kjo, vargje të tjera tregojnë se ata që i shpërfillin normat e Zotit dhe i keqtrajtojnë të varfrit do të vuajnë pasojat.—Proverbat 22:8, 16, 22-27.

 Edhe pse shumica e vargjeve në kapitullin 22 të Proverbave nuk flasin për stërvitjen e fëmijëve, ato nxjerrin në pah se cila mënyrë jetese na ndihmon të kemi miratimin e Perëndisë dhe lumturi të vërtetë. (Proverbat 22:17-19) Duke i stërvitur fëmijët të jetojnë në këtë mënyrë, prindërit tregojnë se duan më të mirën për fëmijët e tyre.—Efesianëve 6:1-3.

 Shih këtë video të shkurtër që i bën një përmbledhje librit të Proverbave.

a Jehova është emri i Perëndisë. (Psalmi 83:18) Shih artikullin «Kush është Jehovai?»