Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

Gjoni 16:33—«Unë e munda botën»

Gjoni 16:33—«Unë e munda botën»

 «Jua kam thënë këto gjëra që falë meje të keni paqe. Në botë do të keni vështirësi, por merrni zemër! Unë e munda botën.»—Gjoni 16:33, Përkthimi Bota e Re.

 «Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën!»—Gjoni 16:33, Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar.

Kuptimi i Gjonit 16:33

 Me këto fjalë të dashura, Jezui i siguroi dishepujt e tij se edhe ata mund të arrinin ta gëzonin miratimin e Perëndisë, pavarësisht nga sprovat dhe kundërshtimet.

 «Jua kam thënë këto gjëra që falë meje a të keni paqe.» Pjesa tjetër e vargut tregon se paqja që përmendet këtu, nuk nënkupton mungesën e konflikteve. I referohet qetësisë shpirtërore dhe mendore. Kjo paqe e brendshme bëhet e mundur «falë» Jezuit, që u premtoi dishepujve se do t’u dërgonte frymën e shenjtë. Ky «ndihmës» i fuqishëm do t’i ndihmonte dishepujt e Jezuit t’ia dilnin mbanë përballë çfarëdolloj vështirësie.—Gjoni 14:16, 26, 27.

 «Në botë do të keni vështirësi, por merrni zemër!» Jezui e pranoi hapur se dishepujt e tij do të hasnin sprova të tilla, si padrejtësi dhe përndjekje. (Mateu 24:9; 2 Timoteut 3:12) Gjithsesi kishin arsye të forta që ‘të merrnin zemër’ e ‘të mos trembeshin’.—Gjoni 16:33, Bibla Simon Filipaj.

 «Unë e munda botën.» Në këtë varg, fjala ‘botë’ i referohet shoqërisë së padrejtë të njerëzimit që është e ndarë nga Zoti. b 1 Gjonit 5:19 thotë se «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të Ligut», pra të Satanait. Ja pse njerëzit e kësaj ‘bote’ mendojnë dhe veprojnë në një mënyrë që nuk i pëlqen Perëndisë.—1 Gjonit 2:15-17.

 Satanai dhe bota e tij u orvatën ta pengonin Jezuin të plotësonte vullnetin e Perëndisë, ku përfshihej t’u mësonte të tjerëve për Perëndinë dhe të jepte jetën e vet si shpërblesë. (Mateu 20:28; Luka 4:13; Gjoni 18:37) Mirëpo, Jezui nuk lejoi që bota të ndikonte te mënyra si mendonte dhe ta largonte nga Zoti. Ai qëndroi besnik, madje deri në vdekje. Ja pse mund të thoshte me plot gojën se e kishte mundur botën dhe se Satanai, «sundimtari i kësaj bote», ‘nuk kishte pushtet mbi të’.—Gjoni 14:30.

 Jezui iu referua shembullit të tij për t’u treguar dishepujve se edhe ata mund t’i qëndronin besnikë Perëndisë kur t’u vihej në provë integriteti. Me fjalë të tjera, Jezui po thoshte: «Meqë unë ia dola ta mund botën, mund t’ia dilni edhe ju.»

Konteksti i Gjonit 16:33

 Jezui i tha këto fjalë një natë para se të vdiste. Duke e ditur që pas pak do të vdiste, shfrytëzoi mundësinë për t’u dhënë këshillat e fundit apostujve besnikë. Ndër të tjera u dha disa informacione që apostujt duhej t’i mendonin seriozisht: nuk do ta shihnin më Jezuin, kundërshtarët do t’i përndiqnin e madje do t’i vritnin. (Gjoni 15:20; 16:2, 10) E meqë apostujt mund të ishin frikësuar nga kjo që dëgjuan, Jezui në fund u dha zemër dhe siguri me fjalët që gjejmë te Gjoni 16:33.

 Fjalët dhe shembulli i Jezuit mund t’u japin zemër edhe dishepujve të tij sot. Të gjithë të krishterët mund t’i qëndrojnë besnikë Perëndisë, pavarësisht nga sprovat.

a Shprehja greke e përkthyer «falë meje», mund të përkthehet edhe «në unitet me mua». Ajo nënkupton se dishepujt e Jezuit mund të gëzonin paqe nëse qëndronin në unitet me të.

b Termi ‘botë’ është përdorur në kuptim të ngjashëm edhe te Gjoni 15:19 dhe te 2 Pjetrit 2:5.