Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

Galatasve 6:9—«Le të mos lodhemi duke bërë të mirën»

Galatasve 6:9—«Le të mos lodhemi duke bërë të mirën»

 «Të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer, sepse në kohën e duhur do të korrim, nëse nuk lodhemi.»—Galatasve 6:9, Përkthimi Bota e Re.

 «Le të mos lodhemi duke bërë të mirën; sepse, po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet.»—Galatasve 6:9, Diodati i Ri—Përkthimi 1991-94.

Kuptimi i Galatasve 6:9

 Apostulli Pavël i nxit të krishterët të vazhdojnë të bëjnë atë që është e shkëlqyer ose e mirë në sytë e Perëndisë. Nëse veprojnë kështu, mund të jenë të sigurt se Perëndia do t’i shpërblejë.

 «Të mos dorëzohemi.» Kjo shprehje mund të përkthehet edhe «të mos lodhemi». Termi i përdorur në gjuhën origjinale mund të përcjellë edhe idenë që dikush të mos shkurajohet ose të mos humbasë entuziazmin. Duke përfshirë edhe veten në këto fjalë, apostulli Pavël pranoi se edhe ai duhej të luftonte hera-herës me shkurajimin.—Romakëve 7:21-24.

 Shprehja «atë që është e shkëlqyer» ose e mirë, i referohet çdo gjëje që duhet të bëjë një i krishter në shërbimin ndaj Perëndisë. Kjo përfshin veprat që bën një person për mirëqenien e bashkadhuruesve ose të të tjerëve.—Galatasve 6:10.

 «Sepse në kohën e duhur do të korrim, nëse nuk lodhemi.» Pavli u kujton lexuesve se mund të duhet kohë që të shohin dobitë që vijnë kur bëjnë diçka të mirë, ashtu siç duhet kohë që fermeri të shohë të mbjellat e tij të rriten. Duke folur për korrjen, Pavli e lidh këtë varg me të vërtetën themelore që thuhet te vargu 7: «Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.» Me fjalë të tjera, kur një i krishter bën atë që është e mirë në sytë e Perëndisë, do të korrë një shpërblim të madh, ku futet edhe jeta e përhershme.—Romakëve 2:6, 7; Galatasve 6:8.

Konteksti i Galatasve 6:9

 Apostulli Pavël ua shkroi këtë letër të krishterëve që jetonin në Galati rreth viteve 50-52 të e.s. Ai e bëri këtë për të luftuar ndikimin e disave që pohonin se ishin të krishterë, por në fakt po shtrembëronin të vërtetën për Jezuin. (Galatasve 1:6, 7) Këta mësues të rremë ngulnin këmbë se të krishterët duhej t’i bindeshin Ligjit që Perëndia i dha kombit të lashtë të Izraelit nëpërmjet Moisiut. (Galatasve 2:15, 16) Pavli shpjegoi se Ligji e kishte plotësuar qëllimin e tij dhe nuk vlente më për adhuruesit e Perëndisë.—Romakëve 10:4; Galatasve 3:23-25.

 Kur Pavli i nxiti bashkëbesimtarët të vazhdonin ‘të bënin atë që është e shkëlqyer’, nuk po u thoshte se duhej t’i bindeshin Ligjit të Moisiut. Përkundrazi, po i nxiste ‘të përmbushnin ligjin e Krishtit’, i cili përfshin gjithçka që mësoi Jezui për t’u bërë mirë të tjerëve.—Galatasve 6:2; Mateu 7:12; Gjoni 13:34.

 Shih këtë video të shkurtër që i bën një përmbledhje librit të Galatasve.