Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

Efesianëve 3:20—«[Perëndia] mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë»

Efesianëve 3:20—«[Perëndia] mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë»

 «Atij që po vepron te ne me fuqinë e vet e që mund të bëjë shumë e shumë më tepër nga sa kërkojmë a konceptojmë ne, i qoftë lavdia!»—Efesianëve 3:20, 21, Përkthimi Bota e Re.

 «Tani atij që, sipas fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë, atij i qoftë lavdia.»—Efesianëve 3:20, 21, Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar.

Kuptimi i Efesianëve 3:20

 Apostulli Pavël shpreh sigurinë e tij se Perëndia ka aftësinë t’u përgjigjet lutjeve e të përmbushë pritshmëritë e adhuruesve të tij, në mënyra që mund t’u duken të pamundura. Madje, përgjigjet e Tij mund të tejkalojnë gjithçka që ata presin a imagjinojnë.

 «Atij që po vepron te ne me fuqinë e vet e që mund të bëjë . . .» Vargu 21 tregon se përemri «atij» i referohet Perëndisë Jehova. a Në këtë shkrim Pavli thotë: «[Atij] i qoftë lavdia me anë të kongregacionit dhe me anë të Krishtit Jezu.» Për më tepër, Perëndia mund të na japë fuqinë, pra forcën, që na nevojitet për të bërë vullnetin e tij.—Filipianëve 4:13.

 Në vargun 20, apostulli Pavël thekson diçka të veçantë për aftësinë që ka Jehovai të ndihmojë adhuruesit e tij. Duke komentuar për shprehjen «atij . . . që mund të bëjë», një vepër referimi shkruan: «Kjo shprehje nuk i referohet potencialit apo mundësisë që ka Perëndia, por fuqisë së tij për të realizuar diçka.» Një mik njerëzor mund të na dojë të mirën, por jo gjithmonë ka mundësi të na ndihmojë. Kurse Jehovai është përherë në gjendje të bëjë gjithçka që nevojitet për t’u kujdesur për adhuruesit e tij e për t’iu përgjigjur lutjeve të tyre. Vetëm Ai ka fuqi dhe autoritet të pakufizuar.—Isaia 40:26.

 «[Perëndia] mund të bëjë shumë e shumë më tepër nga sa kërkojmë a konceptojmë ne.» Jehovai mund të bëjë jo thjesht shumë më tepër, e madje as «shumë e shumë» më tepër për adhuruesit e tij. Ai është aq bujar, sa mund të na ndihmojë në mënyra që kapërcejnë çdo imagjinatë tonën.

 Shprehja «më tepër nga sa kërkojmë a konceptojmë ne» përforcon fjalët e mëparshme. Me fjalët «më tepër nga sa kërkojmë a konceptojmë ne», apostulli do që të gjithë të krishterët të kuptojnë se Zoti mund t’i ndihmojë në forma që s’ua pret mendja. Bibla ECM e përkthen kështu pjesën e parë të vargut 20: «Perëndia mund të bëjë pafundësisht te ne më shumë sesa mund të kërkojmë ose të parafytyrojmë ndonjëherë.» Me raste të krishterët mund të ndihen sikur problemet e tyre janë tejet të rënda ose të komplikuara për t’u zgjidhur. Dhe mbase as nuk dinë se për çfarë të luten. Por, Jehovain nuk e kufizon asgjë; ai e kupton në detaj situatën e tyre dhe është plotësisht i aftë t’i ndihmojë. Në kohën e duhur ai mund të zgjidhë çdo problem, në mënyra që nuk i kishin përfytyruar ose që u dukeshin të pamundura. (Jobi 42:2; Jeremia 32:17) Ndërkohë ai u jep forcë që të përballojnë problemet, e madje ta bëjnë këtë me gëzim!—Jakovi 1:2, 3.

Konteksti i Efesianëve 3:20

 Libri i Efesianëve është një letër që apostulli Pavël ua shkroi të krishterëve që jetonin në qytetin e Efesit në Azinë e Vogël, pjesë e Turqisë së sotme. Në këtë letër, Pavli shkroi mendime që i kishte shprehur në një lutje që kishte bërë për ta. (Efesianëve 3:14-21) Ai u lut që të krishterët në Efes—e në kuptim më të gjerë, të gjithë të krishterët—ta njohin më mirë dashurinë e Krishtit, duke u përpjekur të imitojnë mënyrën e dashur si mendonte dhe vepronte Jezui. Pavli e mbylli lutjen duke lëvduar Perëndinë me fjalët që gjejmë tek Efesianëve 3:20, 21.

 Shih këtë video të shkurtër që i bën një përmbledhje librit të Efesianëve.

a Jehova është emri i Perëndisë. (Psalmi 83:18) Shih artikullin «Kush është Jehovai?»