Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

1 Korintasve 10:13—«Perëndia është besnik»

1 Korintasve 10:13—«Perëndia është besnik»

 «Nuk keni hasur asnjë sprovë që të mos e kenë hasur edhe të tjerë. Por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që të sprovoheni përtej asaj që mund të mbani. E kur të vijnë sprovat, ai do të sigurojë edhe rrugëdaljen, që t’u bëni ballë.»—1 Korintasve 10:13, Përkthimi Bota e Re.

 «Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve, përveçse tundimit njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t’ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t’ju japë dhe rrugëdalje, që ju të mund ta përballoni.»—1 Korintasve 10:13, Diodati i Ri—Përkthimi 1991-94.

Kuptimi i 1 Korintasve 10:13

 Ky varg thekson një cilësi të Perëndisë që na bën për vete, besnikërinë. Adhuruesit besnikë të Perëndisë mund të jenë të sigurt se Ai do t’u vijë në ndihmë, sidomos kur të hasin sprova ose tundime.

 «Nuk keni hasur asnjë sprovë që të mos e kenë hasur edhe të tjerë.» Kush adhuron Zotin, mund të tundohet të bëjë gjëra që Atij nuk i pëlqejnë. Sprova të tilla, megjithëse të vështira, nuk janë të pazakonta; mjaft të tjerë janë gjendur në të njëjtat situata. a Kjo u jep sigurinë e nevojshme adhuruesve të Perëndisë se edhe ata mund t’i përballojnë me sukses sprovat.

 «Perëndia është besnik.» Perëndisë Jehova b mund t’i zëmë besë. Ai e ka mbajtur gjithnjë fjalën se nuk do t’i braktisë ata që e duan dhe që tregojnë besnikëri e bindje. (Ligji i përtërirë 7:9; Psalmi 9:10; 37:28) Ja pse adhuruesit e tij s’kanë pikë dyshimi se do t’i realizojë edhe 2 premtimet inkurajuese që përmban ky varg.

 «Nuk do të lejojë që të sprovoheni përtej asaj që mund të mbani.» Zoti e tregon besnikërinë e tij duke mos lejuar që sprovat të bëhen kaq të rënda, sa të mos i përballojmë dot. Ai e di sa mban secili nga shërbëtorët e tij.—Psalmi 94:14.

 «Kur të vijnë sprovat, ai do të sigurojë edhe rrugëdaljen, që t’u bëni ballë.» Perëndia mund t’i japë fund një sprove ose t’u japë adhuruesve të tij gjithçka që u nevojitet për ta përballuar atë. Për shembull, mund t’u sigurojë drejtim nëpërmjet frymës së shenjtë, ngushëllim nga Bibla ose ndihmë konkrete me anë të bashkëbesimtarëve.—Gjoni 14:26; 2 Korintasve 1:3, 4; Kolosianëve 4:11.

Konteksti i 1 Korintasve 10:13

 Ky varg gjendet në letrën që apostulli Pavël i shkroi kongregacionit të krishterë në Korint. Në këtë pjesë të letrës, Pavli përdori historinë e Izraelit të lashtë si shembull paralajmërues për korintasit. (1 Korintasve 10:11) Pavli rendit disa sprova dhe tundime që hasën izraelitët, ndër to idhujtarinë dhe imoralitetin seksual. (1 Korintasve 10:6-10) Dhe disa iu dorëzuan këtyre tundimeve. Duke marrë shkas nga shembulli i tyre, Pavli u rikujton të krishterëve të mos kenë siguri të tepruar te vetja, me mendimin se s’do të dorëzohen kurrë para tundimeve. (1 Korintasve 10:12) Gjithsesi, ai u jep edhe siguri me fjalët e 1 Korintasve 10:13. Shërbëtorët besnikë të Perëndisë janë në gjendje të përballojnë me sukses çdo sprovë.

 Shih këtë video të shkurtër që i bën një përmbledhje librit të 1 Korintasve.

a Fjala greke e përkthyer «tundim», mund t’i referohet një sprove ose një vështirësie.

b Jehova është emri i Perëndisë. (Psalmi 83:18) Shih artikullin «Kush është Jehovai?»