Kalo te përmbajtja

© Kim, Hyun-tae/​iNaturalist. Licensuar nga CC-BY-4.0

A ËSHTË PROJEKTUAR?

Thirrja unike e bretkut të pemës japoneze

Thirrja unike e bretkut të pemës japoneze

 Bretku i pemës japoneze njihet për tingujt e përsëritur dhe në dukje rastësorë. Megjithatë, tingujt e secilit bretk janë kaq unikë, sa mund të dallohen edhe në mesin e një kori të zhurmshëm. Pasi bënë kërkime për këtë lloj bretku, studiuesit në Japoni zbuluan sekretin që fshihet pas kësaj: kur janë në grup, meshkujt nxjerrin tinguj tejet të koordinuar për të tërhequr femrat.

 Shqyrto faktet: Bretku i pemës japoneze e tërheq partneren me anë të tingujve. Këta tinguj prodhohen nga kordat e zërit dhe amplifikohen nga gusha e bretkut, një qeskë që fryhet e shfryhet si tullumbace.

 Si dallohen thirrjet e secilit bretk? Studiuesit kanë zbuluar se bretku i pemës japoneze nuk lëshon tinguj rastësorë, por sipas një radhe të caktuar. Në fakt, secili bretk ka radhën e vet. Kjo teknikë efikase shmang mbivendosjen e tingujve, bën të mundur që thirrja e çdo bretku të dallohet qartësisht ndonëse në kor, si edhe e ndihmon bretkun të kursejë energji. Gjithashtu, falë koordinimit mbresëlënës me të tjerët në kor, bretku mund të bëjë edhe pauza herë pas here.

 Të frymëzuar nga ky koordinim, studiuesit në fushën e komunikimit valor po përdorin përllogaritje matematikore të sofistikuara që të kontrollojnë kohën e transmetimit të të dhënave, me qëllim që të shmangin mbivendosjen e tyre. Si rezultat, të dhënat transmetohen në mënyrë më të besueshme dhe kursehet energji.

 Si mendon? A erdhi me evolucion aftësia e bretkut të pemës japoneze për të nxjerrë tinguj të koordinuar? Apo është projektuar?