Kalo te përmbajtja

Blue Planet Archive/Mark Conlin

A ËSHTË PROJEKTUAR?

Riprodhimi i grunionit të Kalifornisë

Riprodhimi i grunionit të Kalifornisë

 Peshku i vogël, i njohur si grunioni i Kalifornisë, i lëshon vezët në brigjet e Paqësorit të Kalifornisë, SH.B.A, dhe në Gadishullin e Kalifornisë, Meksikë. Këta peshq i dinë fiks ditët dhe momentet kur duhet t’i lëshojnë vezët, që ato të mbijetojnë.

 Shqyrto faktet: Peshqit grunionë i lëshojnë vezët vetëm gjatë tri ose katër netëve pas baticës më të lartë, që ndodh kur hëna është e re ose e plotë gjatë muajve të pranverës dhe të verës. Nëse do t’i lëshonin më përpara, baticat që gërryejnë rërën e bregut do t’i merrnin ato me vete. Meqenëse i lëshojnë vezët pasi ka kaluar batica më e lartë, pra kur dallgët tërhiqen dhe depozitojnë sërish rërë, vezët e tyre janë të sigurta nën shtresën e rërës që shtohet.

Wally Skalij/Los Angeles Times via Getty Images

 Gjithashtu, gjatë periudhës së shumimit në pranverë e në verë, baticat e natës janë gjithmonë më të larta se ato të ditës. Kjo i ndihmon peshqit të arrijnë më shpejt në breg dhe të mbrojnë vezët nga baticat e larta të radhës.

 Që të lëshojnë vezët, grunionët presin një dallgë të madhe që i ndihmon të afrohen sa më shumë drejt bregut derisa të dalin në rërë. Ndërsa uji tërhiqet qetësisht, femra hap një gropë me trupin e saj në rërën e lagësht, ku si fillim fut bishtin. Pasi depoziton vezët në një thellësi prej pesë deri në tetë centimetrash, një ose më shumë meshkuj i fekondojnë ato. Më pas, peshqit zvarriten drejt ujit dhe kthehen në oqean me dallgën e radhës.

 Vezët zhvillohen në rërën e lagësht, por kanë nevojë për lëvizjen e dallgëve që të çelin. Kjo ndodh gjatë baticës së radhës, rreth dy deri në katër javë më vonë.

 Si mendon? A erdhi me evolucion aftësia e grunionit për t’u riprodhuar në kohën dhe mënyrën e duhur? Apo është projektuar?